Koalicioni qeverisës do të sigurojë së paku 75 vota

Partia Demokratike e Kosovës, e cila në bazë të rezultateve paraprake është fituese e zgjedhjeve, shpreson se do të lidhë një koalicion qeverisës, i cili do të sigurojë të paktën 75 vota në Parlament. PDK-ja përjashton çdo mundësi që të bëjë kompromise në lidhje me postin e kryeministrit, të cilin thotë se elektorati ia ka besuar liderit të saj, Hashim Thaçit.
Zyrtari i kësaj partie politike, Memli Krasniqi, ka thënë se negociatat konkrete për qeverinë e re do të nisin pas rivotimeve të pjesshme të 9 janarit dhe pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Ai ka thënë se PDK-ja dhe partnerët do të kenë numra të mjaftueshëm për formimin e qeverisë së re.
“PDK-ja, bashkë me partnerët, jo vetëm do të ketë shumicën e nevojshme, por do të ketë një shumicë me së paku rreth 75 vota në Kuvend. Por, për sa u përket detajeve të marrëveshjes për qeverisje, do t`i bëjmë pas çertifikimit të rezultateve të zgjedhjeve”, ka thënë Krasniqi.
“Për postin e kryeministrit nuk do të ketë kompromis. Thaçi ka qenë kandidat për kryeministër, ai e ka marrë besimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, është lideri më i besueshëm dhe më i votuar në vend. Normalisht, ai këtë përgjegjësi, siç e ka kryer në mandatin e kaluar, do ta kryejë edhe në mandatin e ardhshëm”, ka vijuar me tej ai.