Lea Cristina,diplomatja që pikturoi Shqipërinë
ALMA MILE
“Shqiptarët janë si shkëmbinjtë, të fortë dhe të bukur, por nuk të lejojnë të shohësh në brendësi të tyre”. Asaj iu deshën tre vjet për të kuptuar thelbin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. E duket se i ka rënë në të. Jo më kot ajo pikturon shkëmbinj të murrmë, të hirtë... Janë shkëmbinjtë e Thethit, Valbonës... Janë më së shumti ata që i kanë bërë përshtypje Lea Cristina-s, bashkëshortes së zv/ambasadorit amerikan në Tiranë, Stephen Cristina, së cilës regjisorja Donika Mustafaj i ka kushtuar dokumentarin e radhës. “Një zonjë amerikane në Tiranë” titullohet dokumentari me skenar dhe regji të Mustafajt, i cili u shfaq mbrëmjen e së hënës në sallën e Akademisë së Arteve. Janë 30 minuta që i kushtohen Lea Cristina-s, por jo për faktin se ajo është bashkëshortja e një diplomati me peshë në Tiranë. Në dokumentar nuk flitet për politikat e përfaqësisë amerikane në Tiranë, madje bashkëshorti i saj shfaqet vetëm një herë në një fotografi. Gjithçka i kushtohet artistes së lindur në Finlandë dhe të martuar në Amerikën e Jugut. Dokumentari është realizuar thjeshtë, qartë. Minutazhi rrjedh mes bisedash me Lean, artistë të ndryshëm dhe një ndjekje me makinë nëpër vendet, ku ajo shkon për t’u qetësuar, për të shijuar peizazhin e bukur dhe për të vizatuar.
Muret e rezidencës së saj janë të mbushura me piktura nga vende të ndryshme të botës, ku ajo ka shëtitur. E mes tyre edhe piktura të realizuara në Shqipëri. Ka shkelur anë e kënd vendit e kudo ku ka shkuar nga fiksuar skica, të cilat më vonë i ka hedhur në telajo. Kur realizuesja e këtij dokumentari e pyet se përse pikturon, ajo i thotë se ka nevojë të shprehet në këtë mënyrë. “Ndonjëherë i heq të gjitha pikturat që kam nëpër mure, sepse më duken ide të vjetruara, dua të pikturoj diçka të re”, - thotë ajo. Për të dhënë një mendim më të specializuar për pikturat e saj, Mustafaj ka pyetur piktorë të njohur, por edhe miq të saj, si Najada Hamza, Shpend Bengu, Sali Shijaku, fotografi Roland Tasho, apo koleksionisti Përparim Kalo, galeristja Valentina Koçi, etj., të cilët vlerësojnë realizmin dhe bukurinë e tablove. Ajo ka tre vjet në Shqipëri, por duket sikur ka një jetë të tërë. E flet shqipen me një rrjedhshmëri të shkëlqyer dhe fjalori i saj gjuhësor është shumë i pasur. Nuk ka nevojë për përkthyes, madje të duket se ajo flet shumë më rrjedhshëm e më pasur se edhe një shqiptar. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ajo është afeksionuar shumë pas njerëzve, natyrës dhe thotë se tanimë ndihet shumë shqiptare. I pëlqejnë veshjet tradicionale shqiptare dhe hera-herës, i pëlqen të vishet me kostumet e grave të veriut, me shaminë me lule, kapur me karfica, jelekun, apo fundin e gjatë të qëndisur. Por jo vetëm kaq. Dashamirësinë për këtë vend e ka treguar edhe në ndihmën që ka dhënë për artin shqiptar. Ajo është anëtare e bordit të Fondacionit për Zhvillim FAVA, një nga mbështetëset kryesore në projektet e realizuara në Galerinë Kombëtare të Arteve. Lea Cristina do të largohet nga Shqipëria në datën 4 korrik, duke marrë me vete jo vetëm pikturat e saj, por edhe shpirtin shqiptar. Do të largohet drejt Afganistanit, me shpresën se do të kthehet sërish në Shqipëri.
Një rast jo i zakonshëm
Ideja për të realizuar këtë dokumentar ka më shumë se një vit që i vërtitet në kokë. Shqipja e pastër dhe tablotë me peizazhe i tërhoqën vëmendjen Donika Mustafajt, e cila vendosi që këtë personazh, ta bënte të njohur edhe për publikun e gjerë. “Kjo zonjë e ka njohur Shqipërinë në thellësi dhe kjo është tepër interesante. Ajo ka kuptuar shpirtin e vërtetë të shqiptarëve, të cilin ajo do ta përçojë në vendet ku ajo do të shkojë, apo në Amerikë e Finlandë”, - thotë Mustafaj. Sipas saj Lea Cristina, bashkëshortja e zv/ambasadorit amerikan në Tiranë, nuk është një rast tipik diplomatësh, por një figurë që ia vlen të vihet në dukje.