Shqipëria, i vetmi vend në Evropë pa stadium Champions-i
Leonard Karaj
Futbollit, sportit më të ndjekur në vendit tonë i mungon një shtëpi “e ligjshme”. Në prag të ndeshjeve sezonale të Kupave të Evropës asnjë nga stadiumet e vendit tonë nuk plotëson kriteret më minimale të pjesëmarrjes në këto kompeticione. Sipas drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit prej kohësh është kërkuar nga këta të fundit që të vihet dorë të paktën në modernizimin e stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” duke kërkuar kështu edhe ndihmën e shtetit. Në të paktën dy vitet e fundit zyrtarët e UEFA-s kanë bërë një sy qorr duke pranuar që skuadrat shqiptare të luanin në Champions në këtë impiant, ndërkohë e ardhmja e afërt e këtyre ditëve nuk premton të njëjtën gjë.
Stadiumi
“E sigurt është që në rast se një skuadër shqiptare, le të marrim për shembull Tiranën arrin të kalojë dy ture dhe të shkojë në ndeshjet në grupe, UEFA asesi nuk do të lejojë që të luhet në këtë stadium dhe zgjidhja do të ishte në vendet fqinjë të cilat i plotësojnë kriteret”, pohon një nga drejtuesit e FSHF-së për gazetën “Panorama”. Por duhet sqaruar diçka; UEFA kur homologon një stadium nuk niset asesi nga fakti nëse një skuadër qoftë kjo edhe e San Marinos ka kapacitet të arrijë deri në ndeshjet në grupe apo jo. Një gjë e tillë prezumohet se të gjitha skuadrat kanë mundësi teorike për të shkuar në ndeshjet në grupe ndaj stadiumet medoemos duhet t’u përmbahen kritereve të UEFA-s për ndeshjet e Champions League. Për t’u theksuar është gjithashtu se në vende të ndryshme të Evropës ka stadiume shumë herë më të vogla se “Qemal Stafa” ose “Loro Boriçi” por që jo vetëm plotësojnë të gjitha kriteret e UEFA-s (veç kapacitetit mbi 30 mijë vende të ulura i cili është fakultativ) por janë edhe në listën e impianteve me tre, katër ose pesë yje.
Kriteret
Ndër kriteret që nuk plotësohen në asnjë nga stadiumet në vendin tonë janë kapaciteti (mbi 30 mijë vende të ulura), bari i tapetit të fushës, i liçensuar nga FIFA, dhomat e zhveshjes (25 vende për tu ulur), të cilat duhet të jenë të ndara nga njërë tjetra dhe të kenë dhomë antidopingut e të ndihmës së shpejtë por si dhe impianti të jetë i survejuar nga kamera kontrolli si jashtë edhe brenda. Por akoma më larg duket kriteri që parashikon mbi 1500 vende për personat VIP dhe mbi 200 vende për gazetarët dhe mediat vizive. Ndërsa problematik është edhe ndriçimi, i cili sipas kritereve të vendosura nga UEFA duhet të ketë të parashikuar edhe një sistem alternativë për çdo rast të mundshëm të një black-out elektrik para fillimit ose gjatë një ndeshjeje.
Kriteret e Champions
1. Stadiumi duhet të ketë një kapacitet minimalisht 30 mijë vende të ulura.
2. Sipërfaqja e fushës duhet të jetë 105 metra gjatësi me 68 metra gjerësi.
3. Bari i tapetit të fushës duhet të jetë natyral ose artificial por i licencuar nga FIFA.
4. Në pankinat e skuadrave duhet të ketë minimalisht 13 vende për t’u ulur.
5. Në dhomat e zhveshjes duhet të jenë minimalisht 25 vende për t’u ulur.
6. Duhet absolutisht që dhomat të jenë të ndara nga njëra-tjetra; Dhoma e të deleguarëve, Dhoma e antidopingut, Dhoma e ndihmës së shpejtë dhe natyrisht dhomat e dy skuadrave.
7. Stadiumi duhet të ketë kamera kontrolli si jashtë edhe brenda dhe natyrisht dhe një Dhomë të Forcave të Sigurisë.
8. Stadiumi duhet të parashikojë vende komode për më shumë se 1500 persona VIP si dhe minimalisht 200 gazetarë.
9. Stadiumi duhet të ndriçohet nga prozhektorë të cilët duhet të japin minimalisht 1400 vat.
10. Stadiumi duhet të parashikojë edhe një ndriçim alternativ për fushën në rast të black-out elektrik.
Stadiumet në Shqipëri
1. Asnjë stadium në vendin tonë nuk plotëson kriterin e parë të 30 mijë vendeve të ulura.
2. Vetëm stadiumi “Qemal Stafa” plotëson kriterin e dytë të vendosur nga UEFA.
3. Ndonëse me pikëpyetje (sipas drejtuesve të FSHF), kriteri i tretë thuajse plotësohet si nga “Qemal Stafa” dhe nga “Loro Boriçi” në Shkodër.
4. Kriteri i katërt plotësohet nga pjesa më e madhe e stadiumeve të Superligës.
5. Asnjë stadium në vendin tonë nuk plotëson kriterin e 5-të 25 vendeve për t’u ulur në dhomat e zhveshjes.
6. Dhe si rrjedhim nuk plotësohet as kriteri i 6-të i dhomave të të deleguarëve, antidopingut dhe e ndihmës së shpejtë.
7. Asnjë stadium në Shqipëri nuk ka sigurim me kamera si jashtë edhe brenda.
8. Asnjë stadium nuk plotëson kriterin e vendeve për VIP ose për gazetarët.
9. Të vetmit stadiume me drita janë “Qemal Stafa dhe “Loro Boriçi” në Shkodër.
10. Vetëm stadiumi “Loro Boriçi” ka një sistem ndriçimi alternativë, në rast të black-out elektrik.
Deklarata e presidentit Duka
Jo më larg se tre ditë më parë presidenti i federatës Duka pohoi gjatë një interviste për Ora News se ai kishte kërkuar rikonstruksionin e “Qemal Stafës”, por nuk kishte gjetur ende mbështetjen e shtetit. “Kam kërkuar që të rregullohet të paktën tribuna e cila është në kushte skandaloze me një investim të përbashkët qeveri-federatë, 50% me 50%, me kushtin e vetëm që më pas kombëtarja të luajë pa probleme në këtë stadium, por nuk kam marrë ende asnjë përgjigje serioze”.