Zhduket adoleshentja, ishte në prag të fejesës
Një adoleshente është zhdukur nga banesa e saj në Yrshek, duke mos lënë gjurmë. Vajza, e cila ishte në prag të fejesës, e ka lënë numrin e saj të celularit të ndezur deri në momentin që e ka marrë shoku i saj, por edhe atij nuk ia ka hapur, por e ka fikur, duke zhdukur gjithë gjurmët. Bëhet fjalë për 18-vjeçaren Levanda S., e cila është larguar që pasditen e së premtes.
Rreth orës 18:00 të dy ditëve më parë, pa folur me njeri, ajo është bërë gati për të dalë. Rrugës ka takuar motrën më të vogël, që e ka marrë me vete për pak dhe më pas i ka thënë të kthehet në banesë se ajo do të vinte më vonë. Por, që nga ai moment, ajo nuk është parë më. Familja e ka marrë në telefon më vonë, por ajo nuk e ka hapur, pavarësisht se celulari i saj vazhdonte të ishte i ndezur. Familja ka tentuar disa herë të lidhet me të, por nuk ia ka arritur. Në këto kushte, i ati ka telefonuar te shoku i saj, që sipas të dhënave policore, ishte në prag të fejesës me të bijën. Në ato momente, ai ka tentuar të lidhet në telefon dhe sapo ka hyrë në linjë, vajza e re, jo vetëm nuk i ka folur, por edhe e ka fikur atë. Duke u shqetësuar për fatin e 18-vjeçares, familja i është drejtuar policisë. Nga Yrsheku, prindërit e Levandës janë paraqitur në Komisariatin nr. 6, duke kërkuar ndihmën e efektivëve për gjetjen e vajzës. Ata kanë rrëfyer gjithë skenën se çfarë kishte ndodhur dhe ka vënë në dispozicion fotografinë dhe të dhënat e saj. Në këto kushte, policia i ka pyetur nëse kishte pasur ndonjë konflikt në familje, por ata e kanë mohuar një fakt të tillë dhe se nuk kishin asnjë dyshim se për çfarë mund të ishte larguar. Gjithashtu, policia ka marrë në pyetje edhe motrën e vogël të 18-vjeçares, e cila është shprehur se nuk e dinte që motra e saj do të largohej për të mos u kthyer.
Policia ka regjistruar edhe numrin e vajzës 18-vjeçare dhe dje ka nisur kërkimet për të. Fotoja i është shpërndarë të gjithaa shërbimeve të policisë, pavarësisht se kërkimet për të nuk kanë sjellë asnjë rezultat. Policia tha se ka marrë kontakt edhe me miq të vajzës, por as ata nuk kanë mundur të ndihmojnë me informacion të vlefshëm për gjetjen e saj. Sipas policisë, dyshimet kryesore kanë të bëjnë me ndonjë njohje të vajzës me ndonjë person tjetër. Kjo shihet, tani për tani, si arsye e mundshme për largimin e adoleshentes.
Kështu ndodhi dy javë më parë, në një tjetër rast në Paskuqan. Nusja u largua nga banesa e burrit të saj, pasi ai ishte emigrant dhe kjo jetonte me vjehrrin dhe vjehrrën. Familjen e saj e kishte fqinje me banesën e burrit, por pasi kishte njohur një djalë nëpërmjet gazetës, kishte vendosur të largohet, pasi nuk i pëlqente rregulli i familjes së re. Ajo u gjet disa ditë më vonë në Fier, bashkë me djalin e ri dhe u kthye pranë familjes.
#