Ledian Memushaj: Idhulli im është Lorik Cana
Ledian Memushaj duket se është ambientuar menjëherë me skuadrën e Leçes, ku është dhënë në formë huazimi nga Kievo. Mesfushori shqiptar ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes që Leçe do të luajë nesër kundër Kietit, takim i vlefshëm për Kupën e Italisë dhe ku Memushaj pritet të luajë titullar.
Të dielën na pret ndeshja e parë zyrtare e sezonit, gara e Kupës së Italisë kundër Kietit, që është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Duam rezultat dhe të kalojmë turin, për më tepër sepse këtu fillon sezoni ynë, ka thënë lojtari.
Memushaj ka bërë të qartë se ka një idhull shumë të veçantë, shembullin e të cilit mundohet të ndjekë sa më shumë në lojën e tij në mesfushë.
Si lojtar shqiptar, unë marr gjithmonë si shembull Lorik Canën, një bashkëkombësin tim. Ai luan te Lacio, e kam njohur personalisht në ekipin kombëtar dhe luan në të njëjtin rol me mua, ka shpjeguar Memushaj, duke lënë të kuptohet se dëshiron të ndjekë shembullin e bashkëkombësit më të famshëm.
