Tajson Gej kerkon podiumin olimpik

Sprintieri amerikan Tajson Gej është i përqendruar që të arrijë te suksesi në stafetën e 4x100 metrave, si mënyra e vetme që të harrojë zhgënjimin e klasifikimit në vendin e katërt në garën e 100 metrave.
Gej, i cili është njeriu i dytë më i shpejtë i të gjitha kohërave, nuk ka arritur të ngjitet asnjëherë në podiumin olimpik dhe ishte jashtëzakonisht shumë i zhgënjyer në përfundim të garës së fituar nga Usain Bolt, e ku në podium u ngjitën xhamajkani tjetër, Blejk dhe amerikani Gatlin.
“Tani ndihem më mirë. Gjithsesi, kur e kujtoj finalen e 100 metrave ndihem keq. Por, në të njëjtën kohë, po shoh përpara që të marr një medalje në garën e stafetës. Ky është objektivi im dhe jam i përqendruar që ta realizoj. Një medalje aty absolutisht që do të mbushte një vend të vogël në zemrën time”, deklaroi Gej.
Sprintieri i cili iu nënshtrua një operacioni që e mbajti jashtë pistave të garave për afro një vit, nuk kërkoi justifikime për zhgënjimin në garën e 100 metrave, duke deklaruar se realizoi “një prej nisjeve më të mira në karrierë” dhe se e mbylli garën sa më shpejt që mundi, duke dhënë maksimumin.
Mes të tjerave, ai ka pranuar dominimin xhamajkan të garave të shpejtësisë në atletikë. “Mendoj se kjo është koha e Xhamajkës. Ata po stërviten shumë dhe po punojnë me metoda të ndryshme nga të tjerët për të qenë në pozita sa më të mira. Kjo është e vërteta. Tashmë Amerika duhet të riorganizohet për të rikthyer dominimin në pista”, shtoi Gej.
Në fund nuk ka munguar edhe një koment për Usain Bolt dhe spektaklin që njeriu më i shpejt në botë jep përpara dhe pas garave. “Kur sheh Bolt të garojë, është e vështirë. Ai ka besim të madh te vetja sepse është një atlet shumë i fort dhe prej talentit që ka ndikon te të tjetër që të mos japin më të mirën”. Pavarësisht se gjatë kësaj jave feston 30-vjetorin e lindjes, Tajson Gej këmbëngul se Londër 2012 nuk do të jetë Olimpiada e tij e fundit.