E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lefterie Lleshi zgjidhet kryetarja e re e KQZ me votat e mazhorances

Kuvendi ka votuar përmes votimit të fshehtë, përbërjen e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kryetare e institucionit përgjegjës për organizimin e proceseve zgjedhore, është zgjedhur kandidatura e Lefterie Lleshit. Në mbështetje të zonjës Lleshi kanë votuar 73 deputetë, ndërkohë që opozita ashtu siç ishte paralajmëruar më parë, nuk morri pjesë në votim. Gjithashtu, Kuvendi ka votuar edhe për anëtarët e KQZ-së. Kështu, fillimisht janë votuar me konsensus kandidatët e propozuar nga Partia Demokratike Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj, si dhe kandidatët e propozuar nga Partia Socialiste Albana Shtylla dhe Denar Biba. Konsensus politik morrën edhe kandidaturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilirjan Muho dhe ai i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Jani Jani.
Përpara hapjes së votimit për të gjitha çështjet e diskutuara gjatë seancës së sotme parlamentare, përfshirë këtu dhe anëtarësinë dhe kreun e rit të KQZ, Kryeministri Berisha vlerësoi punën e ish-kryetarit të KQZ-së, Arben Ristanit gjatë mandatit të tij në krye të këtij institucioni.  “Për mua është kënaqësi të vazhdoj bashkëpunimin me zotin Ristanin. Ka pasur mirëkuptimin e plotë kur vendosi të mos kandidojë për KQZ. Zoti Ristani ishte kryetari i parë që u zgjodh nga parlamenti që u votua me konsensus. PS i hoqi konsensusin dhe Ristani deklaroi se nuk do ishte kandidat për KQZ. E falënderoj përzemërsisht. Ju (opozita) mos u bëni merak se në krahun tim do e keni në të gjitha betejat e ardhshme. Por ia bëj këtë falenderim se po shkëputet nga një detyrë shtetërore, që e kreu me dinjitetin më të madh. I falënderoj të katër këta zotërinj, që sot nuk i votojmë në parlament”, vuri në dukje Berisha. 

Të dhëna
Lefterie Lleshi, lindur në Librazhd në 11 Prill 1970, para zgjedhjes në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mban detyyrën e anëtares së Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Drejtore në Shërbimin Juridik në Kuvendin e Shqipërisë. Zonja Lleshi ka përfunduar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, si dhe ka kryer kualifikime të shumta në institucione të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit. Ajo ka punuar më parë në Agjencinë Kombëtare të Privatizimit, Shërbimin Informativ Kombëtar. Gjithashtu, Lefterie Lleshi ka botuar një sërë shkrimesh dhe analizash në publikime profesionale mbi çështje të së demokracisë dhe jurisprudencës.

OSBE përshëndet zgjedhjen e kryetares së re të KQZ-së

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Ëollfarth, mirëpriti zgjedhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, ditën e sotme.
“Zgjedhja e sotme e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfshirë kreun e institucionit, është një hap i parë i rëndësishëm drejt zbatimit të Kodit të ri Zgjedhor”, tha ai.
“Unë i nxis të gjithë aktorët të punojnë së bashku dhe të dëshmojnë vullnetin e kërkuar politik për të zbatuar më tej Kodin e ri Zgjedhor, plotësisht dhe në frymë të mirë. Kjo nevojitet për të krijuar besim në të gjitha nivelet – mes votuesve, komisionerëve zgjedhorë dhe politikanëve – duke ofruar, njëkohësisht, një fushë loje të drejtë dhe të barabartë për të gjithë”. Ëollfarth përsëriti gatishmërinë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për të ndihmuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjithë aktorët e tjerë në zbatimin e legjislacionit zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›