E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalistët: Presidenti të dekretojë sa më parë ligjin e dosjeve

Ekren Spahia dhe drejtuesit e tjere te PLL Tiranë, 13 Janar, 11:34, NOA - Edhe Partia Lëvizja e Legalitetit ka reaguar sot për ligjin e “dosjeve”, duke kërkuar miratimin nga Presidenti. PLL e mbështet dhe e ka përshëndetur miratimin e ligjit “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve" dhe është duke pritur dekretimin e ligjit nga Presidenti Topi shpreson në hyrjen e tij në fuqi sa më parë.

Gjatë një konference për shtyp, drejtuesit e PLL-së, thanë se, “sipas pikëpamjes tonë, pavarësisht objektit dhe sferës të ngushtë të veprimit si dhe boshllëqeve të tjera, ky ligj përben një angazhim serioz që duhet vlerësuar si një hap në drejtimin e duhur për dënimin e komunizmit dhe krimeve te atij sistemi”.

“Si një parti me identitet të qartë antikomunist dhe përfaqësuese e drejtpërdrejtë e interesave të shtresës së popullsisë që u masakrua dhe persekutua barbarisht nga regjimi komunist, Partia "Lëvizja e Legalitetit" do të punojë pandërprerë  dhe do të ofrojë gjithë kontributin e saj për plotësimin e kuadrit ligjor që krahas dënimit shumëplanësh të komunizmit, krimeve të tij dhe autorëve të tyre, do të sigurojë në mënyrë të shpejtë një kompensim real dhe integrim të plotë në shoqërinë tonë të të gjitha viktimave të atij sistemi gjakatar”, thanë ata.

“Partia "Lëvizja e Legalitetit" është e mendimit se, në përputhje edhe me disa dokumente dhe Rezoluta përkatëse të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ligji shqiptar "Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe të zgjedhurve" duhet shoqëruar edhe me akte të tjera ligjore dhe nënligjore që duhet të synojnë: sensibilizimin e brezave të rinj për krimet e komunizmit dhe rrezikshmërinë e tij; ndryshimin dhe plotësimin e teksteve shkollore që i referohen periudhës komuniste; ngritjen e përmendoreve dhe memorialëve të viktimave të komunizmit në mbarë vendin; rehabilitimin e plotë të emigrantëve politikë dhe familjeve të tyre që u detyruan të largohen nga vendi për shkak të persekutimit komunist; hapjen e dosjeve dhe arkivave sekrete të shtetit lidhur me periudhën e diktaturës komuniste dhe krimet e atij sistemi, etj. PLL vlerëson se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE kërkon  shkëputjen e saj përfundimtare nga e kaluara komuniste dhe dënimin pa ambiguitet të atij regjimi”, thuhet në deklaratën e bërë nga PLL-ja.

c.a/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›