PS, Manjani: Qeveria nuk garanton rendin publik dhe sigurinë

Gjatë një konference për shtyp Ylli Manjani, Kryetar i Komisionit të Ligjeve, Administratës Publike dhe Sigurisë në PS, tha se, “Viti 2009 nisi me një seri vrasjesh, ekzekutimesh, vjedhje banesash, madje janë shfaqur dhe maskat sërish. Ekzekutimet e mafioze, që terrorizojnë përditë jetët tona, janë dëshmi e gjallë se shteti politik i Sali Berishës nuk arriti të ndëshkojë krimin e organizuar në vend. Pa pikë turpi e përgjegjësie shteti i sotëm në vend që të gjejë autorët justifikohet duke thënë se vrasjet "janë luftë klanesh" apo "ekzekutime për hakmarrje", a thua se këto krime janë legjitime.
Hakmarrja primitive dhe vetëgjyqësia janë sot mjetet me të cilat krimi vazhdon të marrë jetë shqiptaresh e shqiptarësh. Shteti i sotëm nuk e ndalon dot as hakmarrjen e as vetëgjyqësinë”.
Sipas Manjanit, “grabitjet e banesave dhe të bizneseve janë shtuar dukshëm. Edhe bankat janë bërë në mënyrë të përsëritur preh e grabitjes në mes të ditës. Ende asnjë autor i kapur apo i dyshuar nuk raportohet nga shërbimet e policisë. Ndërkohë, shteti i Sali Berishës bën përgjegjës jo grabitësit që nuk i kap dot, por qytetarët dhe bizneset e grabitura, të cilët sipas qeverisë duhet të mbajnë roje private”.
“Dhe nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, në një shtet qeveria e të cilit merr anën e të pandehurit dhe jo të ligjit. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe kur pastruesit e parave dhe të korruptuarit kanë mbrojtjen personale të Kryeministrit. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, kur prokuroria dhe shteti sulmohen barbarisht nga Kryeministri dhe qeveria. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, kur shërbimet e policisë së shtetit sot janë të tejmbushura me militantë politikë që marrin urdhra vetëm nga Kryeministri” theksoi ai.
Sipas tij, shteti e ka humbur kontrollin e veprimtarisë kriminale në territor. “Përqendrimi i veprimtarisë antikrim në drejtoritë rajonale të policisë ka bërë që komisariatet e policisë sot janë shndërruar thjesht në kazerma të punësimit të militanteve dhe jo në agjenci shtetërore që kapin elementet kriminal. Parandalimi i krimit dhe i pasojave kriminale janë shërbime luksi për këtë qeveri. Shteti i sotëm i Sali Berishës nuk i shërben dot më interesave legjitime të shqiptarëve për rend dhe siguri”, deklaroi Manjani.
“PS është e shqetësuar për këtë situatë të rënduar të rendit publik. Ne mirëkuptojmë të gjithë shqetësimet e shqiptarëve, të cilët nuk mbrohet dot nga ky shtet i përfshirë vetë në krim. Është jetike për të gjithë ne që në këto 5 muaj që i kanë mbetur kësaj qeverie, institucionet e ruajtje së rendit dhe ata të ndjekjes penale të marrin në dorë fatin e sigurisë në vend. Nga ana tjetër ne jemi të sigurt se me ardhjen në qeverisje PSSH do ta ndryshojmë këtë gjendje krejtësisht”, përfundoi dekleratën e tij, Ylli Manjani.
c.a/NOA