E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet KDK e LSI-së

Tiranë - Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi sot mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar, e cila ishte në funksion të platformës së organizimit dhe shpalosjes së pikave kryesore të programit elektoral që do të ketë LSI, për realizimin e objektivit të saj për të dalë forcë e parë politike në Qershor të këtij viti, por njëkohësisht edhe për koalicionin fitues të zgjedhjeve që LSI do të udhëheqë.

Në këtë mbledhje u theksua se që sot dhe në vazhdim Kryesia e LSI do të kthehet në Shtab Qendror Elektoral, ndërsa kryesitë e LSI në rrethe do të kthehen në shtabe vendore elektorale. Gjatë takimit anëtarë të ndryshëm të KDK që diskutuan, theksuan frymën pozitive që është krijuar në mbështetje të LSI kudo në Shqipëri, dhe nevojën për t’ju përgjigjur qoftë nga ana organizative, por edhe domosdoshmërinë e paraqitjes së një programi që do ta nxjerrë Shqipërinë nga varfëria e tejskajshme e krijuar nga monopolet dhe platformën për rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Komiteti Drejtues Kombëtar kooptoi disa anëtarë të rinj të tij, si dhe miratoi disa anëtarë të rinj në Kryesinë e LSI.

Njëkohësisht për ti dhënë një impuls të ri anës organizative në kushtet e fushatës elektorale, Komiteti Drejtues Kombëtar vendosi që Kryetarja e LRI Erisa Xhixho të emërohet njëkohësisht Nënkryetare e LSI, Sekretari i Përgjithshëm i LRI Besjan Pesha të emërohet njëkohësisht Zv.Sekretar i Përgjithshëm i LSI, Anëtarja e Kryesisë së LSI, Luzhiana Abazi të emërohet njëkohësisht Zv.Sekretare e Përgjithshme e LSI, si dhe Nora Malaj të emërohet Sekretare e Shanseve të Barabarta.

Ndërkohë, kryetari i LSI-së, Ilir Meta u shpreh se deri në Mars do të merret mendimi i çdo anëtari për kandidatët për deputetë, sipas parimit “Një anëtar- Një votë”. Sipas tij, thelbi i programit të LSI-së është rritja e mirëqenies për çdo qytetar shqiptar, e cila nis në radhë të parë nga lufta me program konkret kundër varfërisë dhe kundër monopoleve, që janë një nga arsyet themelore të rritjes së kësaj varfërie. “Në themel të programit tonë në luftën kundër varfërisë, do të jenë bonusi jetik dhe punësimi jetik”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›