E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, 150 lejet që jepen sot në Tiranë



Agjencia e legalizimeve do të ndajë sot lejet e radhës së legalizimeve në qytetin e Tiranës. Bëhet fjalë për rreth 150 pasuri të cilat do të përfitojnë certifikatën. Këto leje shpërndahen sot në Pallatin e Kongreseve, në orën 11. Lejet përfshijnë objekte informale me kalim pronësie si dhe shtesat e pallateve përpara vitit 1993. Legalizimi i këtyre pasurive informale do të pasohet nga procesi i regjistrimit të tyre në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në funksion të përfshirjes së tyre në sistemin kombëtar të regjistrimit dhe pajisjes me tituj pronësie, brenda afateve të parashikuara në kuadrin ligjor. Miratimi i kalendarit të aktiviteteve për shpërndarjen e lejeve të legalizimit paraprihet nga një program masash për organizimin e aktiviteteve me këtë tematikë, në çdo qark të vendit, duke filluar nga dita e sotme deri në fund të javës së parë të muajit prill. Drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t kanë plotësuar dokumentacionin e dosjeve të legalizimit për çdo objekt informal, si dhe kanë njoftuar qytetarët për shpërndarjen e lejeve të legalizimit sipas afateve të fiksuara në këtë kalendar.

Vendimi, kush përfiton magazinë doganore

Këshilli i Ministrave miratoi dje kriteret për përfitimin e magazinave doganore. Sipas vendimit, personat për të përfituar regjimin e magazinës doganore të tipit C, Duty Free Shop, duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim pranë zyrës doganore, ku mendohet të vendoset magazina. Subjekti i interesuar për të marrë autorizimin duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim pranë degës doganore, që ka kompetencën territoriale mbi ambientet e kërkuara për t’u miratuar si magazinë doganore e tipit C (Duty Free Shop). Dega doganore me marrjen e aplikimit nga subjekti i interesuar, nëpërmjet një komisioni prej 3 personash verifikon dosjen dhe ambientet e propozuara. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pas shqyrtimit nga sektori përgjegjës, brenda 10 ditëve ia përcjell dosjen për miratim Ministrisë së Financave, nëse janë plotësuar kushtet e përcaktuara, në të kundërt, ia kthen për plotësim apo për refuzim degës doganore propozuese. Ministri i Financave, brenda një afati jo më të gjatë se 30 ditë nga depozitimi i dosjes në drejtorinë, që mbulon politikat fiskale në Ministrinë e Financave, miraton ose jo autorizimin duke njoftuar subjektin dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Në rastin e mosmiratimit të autorizimit, ministri i Financave shpjegon arsyet e refuzimit. Subjektet e interesuara kanë të drejtën e ankimit administrativ, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Administrative. Subjekti, të cilit i është miratuar autorizimi, njoftohet zyrtarisht të kryejë pagesën e tarifës vjetore të autorizimit për shumën 20 000 euro, në llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Me paraqitjen e dokumentit bankar të pagesës, subjekti pajiset me autorizimin përkatës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave kryen aktivizimin në sistemin kompjuterik të fillimit të funksionimit të magazinës Duty Free Shop. Në rastin e marrjes së autorizimit për magazinë doganore duty free në bordin e anijeve dhe të avionëve, tarifa vjetore e autorizimit është 10 000 euro. Nëse subjekti e merr autorizimin gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, paguhet 100 për qind e taksës, nëse e merr autorizimin në gjashtëmujorin e dytë të vitit, paguhet 50 për qind e masës së tarifës vjetore. Pagesa e tarifës vjetore bëhet një herë në vit, brenda tremujorit të parë të vitit. Edhe në rastin e rinovimit të autorizimit pagesa vjetore bëhet e plotë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›