E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, partitë joparlamentare, shpresë tek ndonjë deputet bujar



Garimi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për partitë joparlamentare apo kandidatin e pavarur ka për t’u shoqëruar me një procedurë ligjore tepër të rreptë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje procedurat për regjistrimin në zgjedhje, duke përcaktuar të gjitha kriteret për t’u regjistruar në zgjedhje. Partive joparlamentare apo një kandidati të pavarur, do t’i duhen 10 mijë firma për t’u regjistruar në zgjedhje. Të gjitha firmat duhet të jetë me noter, njëkohësisht një përfaqësues ligjor i KQZ-së do të verifikojë dokumentacionin. Por nuk mbaron këtu, pasi të 10 mijë firmëtarët do të duhet të lëshojnë një deklaratë që kanë pranuar të hedhin firmën. Nga ana tjetër, koalicioneve do t’u duhen 15 mijë firma zgjedhësish. Duke parë këto kritere të rrepta, partitë e vogla joparlamentare, të cilat nuk kanë vende në Parlamentet, do t’u duhet të zgjedhin një rrugë tjetër. Ligji zgjedhor parashikon që në rast se ndonjë deputet jep firmën për emrin e partisë, atëherë firmat nuk janë të domosdoshme. Kështu, paritë e vogla do të duhet të lypin firmën e ndonjë deputeti për të kaluar këtë pjesë të ligjit. Kandidatët e pavarur do të duhet të mbledhin firma të barabarta sa 1 për qind e zgjedhësve në qarkun përkatës. Listat shumemërore të partive politike, të cilat nuk zotërojnë asnjë mandat në Kuvend, duhet të shoqërohen në çdo rast me dokumentacionin e miratuar me vendim të KQZ-së. Komiteti nismëtar për regjistrimin e një kandidati për deputet të propozuar nga zgjedhësit duhet të regjistrohet në KQZ jo më vonë se 60 ditë para datës së zgjedhjeve. Depozitimi i nënshkrimit të zgjedhësve para nëpunësit të KQZ-së do të bëhet sipas modelit të miratuar me vendim të KQZ-së. Në këtë rast, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve autorizon me vendim zyrat rajonale zgjedhore dhe specialistë të Drejtorisë Juridike në KQZ që të pranojnë depozitimin e nënshkrimeve përpara tyre. Procedura e depozitimit të nënshkrimeve zhvillohet në ambientet e zyrave rajonale zgjedhore përkatëse. Listat mbështetëse për koalicionet, partitë politike dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit duhet të paraqiten të printuara dhe në format elektronik.

Njëkohësisht dje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka bërë dhe një herë thirrje Partisë Socialiste që të dorëzojë sa më shpejt propozimet e saj për anëtarët e Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Partia Republikane dorëzoi propozimet e saj në KZAZ, ndërsa PS-ja ende nuk i është përgjigjur kësaj kërkese. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se mosdorëzimi i këtyre emrave përbën një cenim të standardit të zgjedhjeve, duke thënë ditën e sotme, afatin e fundit për PS-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›