E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE, ndihmë në shkatërrimin e municioneve



OSBE-ja do të ndihmojë autoritetet shqiptare në eliminimin e municioneve të tepërta. Një fakt të tillë e konfirmoi dje kreu i prezencës në Shqipëri, Robert Bosh. I pranishëm në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Rehabilitimit për Gratë dhe Fëmijët në Gërdec, ambasadori Bosh tha se do të ndihmohet më tej qeveria shqiptare. “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e përfshirë dhe po ndihmon qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj për shkatërrimin e municioneve të mbetura, nga të cilat ka ende shumë në këtë vend. Duke ndihmuar në shkatërrimin e tyre, ne ndihmojmë në shmangien e çdo lloj fatkeqësie në të ardhmen”, - tha ambasadori Bosh. Qendra e përuruar dje në Gërdec, do të shërbejë si kopsht për fëmijët, ndërsa janë hapur edhe kurse kompjuteri e rrobaqepësie për të reja, si dhe një zyrë për psikologun.

Mungesa e Korridorit 8, 1 miliard euro humbje

Mungesa e Korridorit 8 vlerësohet në një humbje financiare prej 1 miliard eurosh për tri vendet në Ballkan: Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bullgarinë. Ky është konkluzioni i një studimi zyrtar bullgar botuar në gazetën maqedonase “Dnjevnjik”. Llogaritja është bërë nga autoritetet bullgare, të cilat në dekadën e fundit kanë firmosur një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi për këtë projekt me homologët maqedonas dhe shqiptarë. Sipas gazetës maqedonase, thuhet se Bullgaria ka bërë progres në vitet e fundit, ndërsa Maqedonia mbetet në vend. Sipas këtij vlerësimi, thuhet se Korridori 8 është një vepër infrastrukturore me rëndësi tepër të madhe për të tria vendet, të cilat në rast se do ta kishin, do të përfitonin 1 miliard euro. Korridori 8 është një nga korridoret trans-evropiane që kishte qëllim të lidhte dy detet, duke nisur që nga portet italiane të Barit dhe Brindisit, të kalonte Durrësin dhe Tiranën në Shqipëri, kryeqytetet maqedonase dhe bullgare dhe të përfundonte në portet e Detit të Zi. Pas 20 viteve, ky korridor ende nuk po ndërtohet. Pas 15 vitesh konstruksion të linjës hekurudhore, për të cilën janë shpenzuar 100 milionë euro, Maqedonia ka arritur të bëjë vetëm një pjesë të saj dhe të ndërtojë disa ura hekurudhore, që tashmë po bien.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›