E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, 24 shkurti, afati i fundit për pagimin me bono

Përdorimi i letrave me vlerë apo bonove të privatizimit në procesin e legalizimeve nuk ka afat. Ligji parashikon që brenda një periudhe 3-mujore, çdo i interesuar që kërkon të paguajë ndërtimin e tij me letra me vlerë, duhet të bëjë një kërkesë tek Agjencia e Legalizimeve. Kështu, duke filluar nga data 24 nëntor e vitit të kaluar e deri më 24 shkurt, qytetarët kanë afat për të bërë kërkesës pranë ALUIZNI-t. Por, ky afat nuk ka të bëjë me përdorimin e letrave me vlerë, por thjesht me një kërkesë formale. Drejtori i ALUIZNI-t për Tiranën, Agim Berisha, ka konfirmuar se pagesa me letra me vlerë mund të bëhet në çdo kohë dhe se afati tremujor ka të bëjë me plotësimin e kërkesës. Sipas ndryshimeve ligjore, ata që kanë ndërtime pa leje dhe që lejohen nga ligji për të paguar tarifat sipas ligjit me bono privatizimi, duhet të bëjnë një kërkesë në Agjencinë e Legalizimeve. Kjo kërkesë duhet bërë jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Referuar ligji që hyn në fuqi në datën 24 nëntor, jo të gjithë që kanë një ndërtim pa leje mund të paguajë me letra me vlerë. Kështu, për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi ndryshon në bazë të metrave katrorë. Me bono thesari paguajnë ata që kanë mbi 500 metra katrorë parcelë ndërtimore. Këta individë e paguajnë me vlerë tregu ndërtimin, kështu që sipas ndryshimeve ligjore, ata kanë mundësi të paguajnë me letra me vlerë deri në 50 për qind të vlerës së ndërtimit. Për parcelat ndërtimore të ndërtimeve informale brenda vijave të paguajnë me letra me vlerë ata që kanë mbi 300 metra katrorë dhe do të mund të paguajnë vetëm 50 për qind të vlerës së ndërtimit me bono privatizimi. Për sa u përket shtesave pa leje, çdo ndërtim mbi 100 metra katrorë do të paguajë me letra me vlerë deri në 50 për qind të vlerës së ndërtimit. Nga ana tjetër, bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera, gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›