Vizita, Berisha: Shqipëria e Kosova, një komb
Berisha zhvillon takime me Sejdiun, Thaçin e Krasniqin. Garanton respektim të kufijve dhe vazhdim të lobimit për pavarësinë e Kosovës
TIRANË - Ndryshe nga sa kishte premtuar, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, nuk përshkoi rrugën Durrës - Kukës për të zhvilluar vizitën e tij të parë, që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kreu i ekzekutivit ka ndjekur linjën ajrore, ndërsa mësohet se ai do ta përshkojë këtë rrugë në kthim të vizitës së tij.
Kryeministri Berisha e nisi dje vizitën e tij zyrtare me një takim të zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Kreu i ekzekutivit ka shfrytëzuar konferencën për shtyp të mbajtur pas takimit, për të sqaruar më shumë se sa qytetarët kosovarë, komunitetin ndërkombëtar se Kosova dhe Shqipëria janë një komb, por dy shtete të pavarura. "Kombi është një dhe i pandarë në shpirtin dhe identitetin e tij.
Nuk mund të bëhet fjalë për dy kombe shqiptare, dy kombe serbe apo dy kombe kroate etj. Është detyrë, për të mos thënë domosdoshmëri e qeverisë shqiptare dhe e qeverisë së Kosovës, të bashkëpunojmë ngushtësisht për kapërcimin e pasojave të këtyre ndarjeve... Dua të theksoj se Shqipëria dhe Kosova janë dy vende të ndryshme.
Është në interesin jetik të çdo shqiptari konsolidimi i pavarësisë së Kosovës, por këto nuk janë vende të huaja për njëri-tjetrin, janë vende vëllezër. Shumë vende e cilësojnë njëri-tjetrin si vëllezër dhe në botë dy vendet që kanë më se të drejtë të quhen të tillë janë Shqipëria dhe Kosova", - tha dje Berisha.
Të njëjtin mendimin ka ndarë edhe kryeministri Thaçi, i cili nxori në pah se Kosova po punon për të tejkaluar padrejtësitë, që i janë shkaktuar, dhe se shqiptarët pavarësisht se jetojnë në shumë shtete, janë pjesë e një kombi.
Lidhur me faktin, nëse Berisha, si lider i PD-së, po ndikon mbi Partinë Demokratike të Kosovës, vetë Berisha tha se midis forcave politike të shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës apo Maqedonisë e Malit të Zi, nuk ekziston problemi i spektrit politik dhe se marrëdhëniet mes vendeve mbeten të njëjta pavarësisht se cila parti i fiton zgjedhjet.
Pas takimit të dy kryeministrave, u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve, si marrëveshja për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve dhe protokolli për qarkullimin në zonat kufitare, marrëveshja në fushën e doganave marrëveshja e bashkëpunimit policor ndërkufitar, marrëveshja e ripranimit të personave me qëndrim të paligjshëm dhe marrëveshja e bashkëpunimit të administratave lokale.
Kufijtë
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Kryeministri Berisha u takua edhe me Presidentin Fatmir Sejdiu. Në këtë takim, Berisha vlerësoi faktin se Kosova po konsolidon të drejtat e pakicave. Berisha dhe Sejdiu i bënë apel qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë, të marrin pjesë në zgjedhjet e lokale, dhe të mos bien pre e kërkesave të Beogradit për të bojkotuar këto zgjedhje.
Ndërsa në fjalën e mbajtur dje në Parlamentin e Kosovës, kryeministri Berisha ndër të tjera ka theksuar se, interesi jetik kombëtar për çdo shqiptar kudo që jeton, është mos ndryshimi dhe respektimi i kufijve aktualë ndërkombëtarë të rajonit dhe konsolidimi i pavarësisë së Kosovës, nëpërmjet njohjes së mëtejshme ndërkombëtare të saj. Berisha theksoi gjithashtu se, "fobia ndaj shqiptarëve është thjesht një atavizëm që nuk i vlen më askujt".
Po dje, Kryeministri i vendit takoi edhe kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ku, ashtu si edhe në takimet e tjera, Berisha premtoi se Shqipëria do të vazhdojë të lobojë për Pavarësinë e Kosovës.
Kryeministrit shqiptar iu akordua dje nga presidenti i Kosovës, "Medalja e Artë e Lirisë". Në të njëjtën ditë Berisha u nderua edhe me titullin "Doktor Honoris Causa" nga Universiteti i Prishtinës.