Topalli: Nuk bëjmë kompromis me mafien e Ramës
Nënkryetarja e PD-së përforcoi dje akuzat në adresë të kryesocialistit Edi Rama,
duke i bërë të qartë se mazhornaca nuk do të pranojë asnjë ultimatum të natyrës mafioze që vjen nga kryetari i PS-së. Sipas saj, ultimatumi i Edvin Ramës është ultimatumi që ai bën kundër sistemit demokratik, kundër shtetit ligjor, shtetit të së drejtës, është ultimatum ndaj 20 mijë komisionerëve dhe numëruesve të PS-së. Gjatë fjalës në kuvendin e PD-së së Shkodrës kryetarja e Kuvendit, duke analizuar zhvillimet e fundit politike, pohoi se PS-ja hyri në një krizë të thellë.
“Ai nuk do të respektonte më statutin, i cili thoshte se kur kryetari i
partisë humb zgjedhjet, ai duhet të largohet nga skena politike. Ai shkeli
nenin e këtij statuti, me lehtësinë më të madhe”, - deklaroi znj. Topalli. Kryetarja e Parlamentit i cilësoi si qesharake deklaratat e Ramës dhe, siç u shpreh ajo, ultimatumet ndaj shqiptarëve janë të papranueshme, për qytetarët e lirë të një kombi të lirë, anëtar i NATO-s. “Në cilin vend të botës ndodh që t’u bëhet ultimatum vendimeve të gjykatës. Në cilin vend të botës, humbësi mund të kërkojë pushtet? Vetëm me teleskop ta shohë pushtetin pa vota, ne nuk bëjmë marrëveshje me krimin, ne nuk bëjmë kompromis me mafien, nuk bëjmë kompromis në kurriz të Kushtetutës. Më thoni cili është ai shqiptar që rreh dhe dhunon nënën e tij dhe guxon të thotë se po i prekin jetën private? Çfarë shqiptari është ai që rreh si kafshë të gjitha gratë dhe partneret e tij? Dhe jo në shtëpi, por jashtë dhe mund të guxojë të thotë se po më prekni jetën private”, - u shpreh znj. Topalli.
Duke iu referuar rezultateve të zgjedhjeve të 28 qershorit, kryetarja e
Kuvendit shtoi më tej se shqiptarët me vullnetin e tyre nëpërmjet votës së lirë, e
nxorën Edvin Ramën humbës. Sipas saj: “Ky zotëri ka filluar tamam siç na thoshin dikur, në njërën dorë pushkën dhe në tjetrën kazmën. Gramoz Ruçi thoshte 20 vjet më parë: ‘Pushteti del nga gryka e pushkës’. Pushteti del vetëm nga vota, nga zgjedhjet e lira, nga zgjedhje me standardet e OSBE/OHIDR-it”.