E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Përgjigja për statusin e Shqipërisë, pas zgjedhjeve

Presidenca çeke është shprehur se Shqipëria mund të aplikojë në çdo kohë, por shqyrtimi do të bëhet pas zgjedhjeve

TIRANË- Nëse Shqipëria do të aplikonte sot për statusin e vendit kandidat, përgjigja nga vendet e Bashkimit Europian do të vinte vetëm pas zgjedhjeve të muajit qershor. E ka thënë qartë dje ministri i Jashtëm i Çekisë, Karel Schwarzenberg, gjatë një deklarimi për mediat në Bruksel.

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian, deklaroi në Bruksel se Shqipëria është e ftuar të aplikojë për statusin kandidat në tre muaj e gjysmë që i kanë mbetur, por se shqyrtimi i kërkesës nga 27 vendet anëtare, do të bëhet vetëm pas zgjedhjeve në vend, që përkon me presidencën pasardhëse suedeze.

"Ndoshta do të ketë zgjedhje të suksesshme, dhe nëse dëshmohet se do të zhvillohen me sukses të plotë, ky do të jetë rekomandimi më i mirë për Shqipërinë dhe për këtë gjë nuk ka asnjë dyshim.

"Ne do të ishim shumë të lumtur nëse Shqipëria aplikon gjatë presidencës sonë, atëherë ndoshta procesi do të marrë pak kohë dhe gjatë presidencës suedeze që është po kaq mikpritëse sa presidenca jonë, unë jam i sigurt se Carl Bild do t'ju mbështesë po aq sa ju mbështes dhe unë",- tha Karel Schwarzenberg.

Sipas tij, megjithëse proceset ndonjëherë mund të duken të gjata në kohë, e rëndësishme është të ecet përpara dhe se angazhimi i BE-së është i palëkundshëm për vendet që plotësojnë kriteret.

Edhe ministri i Jashtëm i Suedisë, ka deklaruar se Shqipëria është e mirëpritur, por në të njëjtën kohë ka kujtuar se është një proces i gjatë, deri në pranimin e kërkesës. "Jeni gjithnjë të mirëpritur gjatë presidencës çeke, si gjatë asaj suedeze.

Por duhet kuptuar se, pastaj do të pasojë një proces i gjatë, me përgatitjen e opinionit nga Komisioni dhe eventualisht me politika vendimmarrëse shtesë. Aplikimi dhe kalimi nga Këshilli tek Komisioni, është shumë teknik dhe mund të marrë pak kohë gjithashtu",- u shpreh Carl Bildt, ministër i Jashtëm i Suedisë.


Wilson


Ndërkohë, ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Fraser Wilson, ka përforcuar qëndrimin e ndërkombëtarëve se zgjedhjet e ardhshme parlamentare mbeten kushti kryesor për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas njoftimit për shtyp të PDK-së, në takimin e zhvilluar me Kryetarin e demokristianëve, Nard Ndoka, ambasadori i Britanisë së Madhe ka deklaruar se, këto zgjedhje, kanë një rëndësi jetike për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ai ka kërkuar nga të gjitha forcat politike, që të angazhohen për garantimin e standardeve europiane në këto zgjedhje.


Procesi


Procesi i integrimit europian është i ndarë në 7 faza, ndërkohë që Shqipëria, deri më sot, ka kaluar vetëm 3 prej tyre. Për Shqipërinë, mbeten edhe 4 faza deri në anëtarësimin e saj të plotë.

Faza e katërt përfshin atë kapitull që quhet "Opinioni" dhe i referohet vlerësimit që i bëhet aplikimit të një vendi për t'u anëtarësuar në BE nga ana e Komisionit Europian, mbi bazën e përgjigjeve të pyetësorit të përgatitur nga Komisioni. Kjo fazë nis nga momenti i aplikimit të një vendi dhe zgjat nga 1 deri në 3 vjet.

Faza e pestë përfshin fillimin e "Negociatave të Anëtarësimit" në BE, që përfshin një hark kohor, minimalisht një vit, dhe maksimalisht 7 vjet.

Faza e gjashtë është nënshkrimi i "Traktatit të Anëtarësimit", periudhë kjo nga 2 muaj deri në 5 vjet. Ndërsa faza e shtatë është "Data e Anëtarësimit", që përfshin harkun kohor nga 1 deri në 2 vjet.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›