E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, tapia në Hipotekë, vetëm kur shlyen detyrimet



Komisioni i Ligjeve rrëzoi dje amendimet që kërkoi Agjencia e Legalizimeve sipas të cilave, personat që kanë ndërtime pa leje, mund të marrin tapinë në Hipotekë edhe pse s’kanë paguar ende tarifat e legalizimit. Komisioni la në fuqi që tapia e legalizimit do të merret vetëm atëherë kur personi të paguajë të gjitha tarifat që kërkon ligji. “Për ndërtimet e legalizuara, për të cilat nuk janë shlyer pagesat e parashikuara në ligj, kryen procedurat e regjistrimit, duke vendosur kufizim sipas ligjit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme të ndryshuar. Kufizimi do të zgjasë deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve”, - thoshte amendimi i ALUIZNI-t që rrëzoi Komisioni i Ligjeve. Agjencia e Legalizimeve kërkoi këto amendime pasi sipas saj, krijon një lehtësi për procesin. “Ne aktualisht jemi para faktit që për 70% të ndërtimeve informale kanë mbaruar procedurat për kualifikimin dhe pajisjen me leje legalizimi dhe ndërkohë pritet që të bëhet pagesa e këtyre detyrimeve që kanë të bëjnë me kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore. Në mënyrë që këto pasuri të mos mbeten peng, ne propozojmë që blloku të regjistrohet si pasuri e regjistruar e palegalizuar, por ndërkohë të qëndrojë e kufizuar. Që do të thotë, personi që i është legalizuar, të mos ketë të drejtën të veprojë mbi të derisa të shlyejë detyrimet financiare”, - thuhej në relacionin e ALUIZNI-t. Deputetët e mazhorancës arsyetuan se kjo kërkesë bie ndesh me ligjin bazë të regjistrimit të pasurisë, pasi nuk mund të ketë kufizime për pronën. Sipas tyre, në momentin që një person të marrë tapinë, ai mund të kryejë çfarëdo të dëshirojë me pronën e tij pa i kufizuar asnjë të drejtë. Një tjetër pikë e rrezuar në komision ishte edhe ajo për ndërtimet që kanë ndërtuar në tokën e tyre. ALUIZNI kërkoi që kalimi i pronësisë për këto ndërtime të bëhet në tërësi, po komisioni e rrëzoi. “Për objektet ekzistuese dhe ndërtimet me leje që nuk i kanë të rregulluara raportet e pronësisë mbi truallin, mbi të cilat kanë shtesa informale, bëjnë kalimin e pronësisë së truallit në tërësi në përputhje me përcaktimet e këtij ligji”, - thoshte kërkesa e ALUIZNI-t që u rrëzua.

Tashmë, sipas ligjit, ndërtimi me leje mund të marrë tapinë në Hipotekë vetëm pasi të ketë shlyer detyrimet tek Agjencia e Legalizimeve. Pronësinë mbi tokën mund ta marrë vetëm kur të përfundojnë detyrimet financiare.

Nga ana tjetër, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka publikuar udhëzimin që tregon mënyrën e regjistrimit të truallit ku është ndërtuar ndërtimi pa leje. Pasi merret leja e legalizimit dhe kryhen detyrimet, duhet regjistruar trualli në Hipotekë, pasi vetëm kështu përfundon i gjithë procesi.

Ndërtimet afër rrugëve nacionale nuk legalizohen

Një tjetër pikë e rrezuar nga Komisioni i Ligjeve ishte edhe për ndërtimet afër rrugëve nacionale. ALUIZNI kërkoi që ndërtimet që kanë karakter ekonomik brenda një vije 100 metërshe në rrugët nacionale të legalizohet, por Komisioni i Ligjeve e rrëzoi këtë kërkesë. “ALUIZNI propozon edhe disa ndryshime, si në nenin 2, pika 4, për të cilin kërkojmë shfuqizimin, duke e konsideruar këtë si diskriminuese për faktin sepse nga praktika kemi vene re se të gjitha ndërtimet formale që ngrihen në largësinë 100 metra nga aksi kryesor i rrugës, janë të kategorive që kanë destinacion social-ekonomik. Ashtu siç janë pika karburanti, qendra tregtare, hotele etj. Për më tepër, të gjitha këto ndërtime i kanë të rregulluara raportet e pronësisë mbi tokën. Pra, toka është e regjistruar në pronësi të këtyre personave që kanë ngritur këto ndërtime. Dhe duke bërë diskriminim midis ndërtimeve të cilat mund të jenë edhe me raporte pronësie jo të rregulluara, por që shtrihen brenda zonave informale të miratuara, na duket jo e drejtë. Për më tepër, të gjitha këto ndërtime nga pikëpamja urbanistike janë të përshtatshme në vendin ku janë ngritur”, - kërkoi ALUIZNI. Ndërkaq, Komisioni i Ligjeve la në fuqi pikën 4 të nenit 2 që thotë: “Fusha e zbatimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet informale brenda një distance prej 100 metrash nga akset rrugore kombëtare, me përjashtim të rasteve kur ndërtimi informal përfshihet brenda një zone informale të miratuar”.

Të paguash me bono, bëhet kërkesë jo më vonë se tre muaj

Poseduesit që kanë ndërtime pa leje dhe që lejohen nga ligji për të paguar tarifat sipas ligjit me bono privatizimi, duhet të bëjnë një kërkesë në Agjencinë e Legalizimeve. Kjo kërkesë duhet bërë jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Aktualisht, rreth 70 për qind e qytetarëve që kanë marrë lejen e legalizimit, e kanë paguar detyrimin financiar, por në rast se ata disponojnë bono privatizimi, qeveria do t’u kthejë lekët. Kjo do të thotë që ata që e kanë paguar tashmë shtëpinë e tyre me letra me vlerë, mund të tërheqin paratë e dhëna për ALUZINI-n për t’i shkëmbyer me letra me vlerë. “Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit, personat duhet të paraqesin kërkesë, me shkrim, pranë ALUIZNI-it, brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, - thuhet në projektligj. Të ardhurat e arkëtuara nga procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje transferohen në buxhetin e shtetit, për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si fond kompensimi financiar, sipas parashikimeve të ligjit nr. 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar”.

Pagesa me bono, qeveria kthen paratë

Komisioni i Ligjeve vendosi dje që Këshilli i Ministrave të miratojë listën e personave që paguajnë me letra me bono privatizimi për shtëpitë e tyre pa leje. Ligji ka fuqi prapavepruese që do të thotë se ata që e kanë paguar me lekë, por që disponojnë edhe bono privatizimi, mjaftojnë që t’i dorëzojnë tek Agjencia e Legalizimeve dhe qeveria kthen shumën e lekëve që është paguar. Bonot e privatizimit, për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të përdoren nga disponuesit, që janë në proces legalizimi. Bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera, gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›