Olldashi: Legalizimet mbyllen brenda vitit

Deklarata e ministrit erdhi pas një takimi me krerët e zyrave të ALUIZNI-t në të gjithë vendin
Në total rreth 170 mijë parcela të përfshira në procesin e legalizimeve, deri më tani janë miratuar 65 mijë
TIRANË- Qeveria synon ta përmbyllë brenda vitit procesin e legalizimit të objekteve të ndërtuara pa leje në të gjithë sipërfaqën e vendit gjatë dy dekadave të fundit. Deklarata vjen nga ministri i Punëve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, i cili dha edhe shifra në lidhje me ecurinë e këtij procesi deri në këto momente. "Kemi rënë dakord që në një kalendar të përjavshëm ne të shohim ecurinë në terren të procesit për ta monitoruar nga afëer dhe për të qënë të sigurt që gjithçka ecën në ritmin e duhur. Kjo me qëllim mbylljen e ciklit brenda objektivit politik të përcaktuar qeveria. Në total janë 170 mijë parcela që janë prekur nga procesi i legalizimit, janë kaluar me vendim qeverie rreth 65 mijë, dhe rreth 27 mijë të tjera në shqyrtim. Procesi është shumë intensiv, por të gjitha shifrat janë optimiste për të arritur në ato objektiva, që ta mbyllim brenda vitit" - deklaroi Olldashi. Deklarata e kreut të transporteve u bë pas një takimi të zhvilluar me drejtorët e ALUIZNI-t në të gjithë vendin si dhe kreun e Hipotekës.
Për shkak se legalizimi i ndërtimeve pa leje shoqërohet me pagesën e tarifës prej pronarëve të objekteve përshpejtimi i këtij procesi do të përkthehej në më shumë të ardhura në buxhet. Gjithashtu nga të ardhurat që do të akumulohen prej legalizimeve pritet të bëhet kompensimi i pronarëve. "Është një proces që po ecën mjaft mirë me synimin që ne kemi për të mbyllur brenda tre katër muajve që vijnë kalimin e të gjitha parcelave dhe për ta mbyllur procesin në tërësinë e vetë brenda vitit. Me përfundimin e legalizimeve do të krijohet edhe fondi nga pagesat e tarifës së legalizimit prej qytetarëve, me të cilin më pas do të kompensohen pronarët", - shtoi Olldashi.
Procesi i legalizimeve është shoqëruar me zigzage të vazhdueshme për shkak të ndryshimeve të herë pas hershme në dispozitat ligjore. Me ndryshimet e bëra së fundmi u zgjerua edhe më tej numri i përfituesve nga përdorimi i letrave me vlerë, por kjo masë nuk është pritur mirë nga pronarët për shkak se ul në maksimum fondet nga të cilat pritet të bëhet edhe kompensimi i tyre.