Legalizimet, drafti i PD merr vetëm votat e PR-së
Fondacioni “Qemal Stafa” denoncon ndryshimet në ligjin për legalizimet. PS do bëjë amendimet kur të vijë në pushtet
TIRANË- Gjatë rishqyrtimit të draftit për legalizimet në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Partia Demokratike ka siguruar vetëm votat e republikanëve. Kryetari i grupit parlamentar i PR-së, Arjan Madhi deklaroi dje se rezervat e republikanëve që kishin për ligjin e legalizimeve janë marrë parasysh, ndaj dhe vota e tyre do jetë pro draftit. Pjesë e paktit mes PD-së dhe PR-së ishte edhe kompensimi i subjekteve brenda 3 muajve në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave për shpërblimin e pronarëve, nga zyrat rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Megjithatë, Partia Demokratike nuk mori parasysh thuajse asgjë nga vërejtjet e opozitës, por edhe vetë presidentit Bamir Topi, sa i përket shkeljes se kompetencave të pushtetit vendor. Për këtë arsye, drafti për legalizimet do të shkojë sërish i kontestuar në Kuvend nga PS, e cila me ardhjen e saj në pushtet, do bëjë edhe amendimet e duhura. Për këtë çështje është diskutuar dje edhe gjatë tryezës së organizuar nga Fondacioni “Qemal Stafa”, me temë “Planifikimi dhe Zhvillimi i Territorit”, ku morën pjesë ekspertë, profesionistë të pavarur, specialistë të këtyre fushave dhe përfaqësues të shoqërisë civile. “Duke qenë se ky p/ligj që nuk merr parasysh sugjerimet e grupeve të interesit, por vetëm interesat politike të disa individëve të maxhorancës aktuale, duke qenë se nuk ofron asnjë zgjidhje të qenësishme të problemeve të pronësisë dhe territorit, por vetëm i shtyn për një kohë të pacaktuar, duke kompromentuar rëndë të ardhmen e vendit, ka mundësi që edhe ky p/ligj, si edhe shumë të tjerë tashmë, do t’i shtohet listës së akteve normative që pas vitit 2009 do të duhet të rishikohen për t’u përshtatur me standardet dhe interesat e shqiptarëve, gjithmonë nëse përpara këtij momenti nuk e shfuqizon Gjykata Kushtetuese për të ndaluar efektet e atyre dispozitave që cenojnë procesin”,- tha dje gjatë tryezës, drejtori Ekzekutiv i FQS-së, Saimir Tahiri. Ndërsa deputeti i PS-së, Ben Blushi deklaroi gjatë tryezës, se territori në Shqipëri është përdorur politikisht dhe është abuzuar. “Ky ndryshim është përdorur për të ndryshuar balanca elektorale dhe në thelb, ky ka qenë qëllimi i atyre që kanë frymëzuar një proces zaptimi të territoreve”. Blushi shtoi se mungesa e kontrollit mbi territorin, është përdorur për pasurim të padrejtë apo korrupsion. Ndërsa arkitekti Maks Velo deklaroi se çështja e pronave nuk ka për t’u rregulluar kurrë, sepse askush nuk ka dëshirë. “Është krijuar një mekanizëm djallëzor që nuk çmontohet dot kurrë. Me këtë që kemi bërë me territorin, i kemi rënë Shqipërisë në palcë. Po ndërtojmë nga varret deri te dyqanet dhe pallatet, e kjo nuk është normale. Jemi rrethuar nga një ushtri mafiozësh e të paaftësh, kombinimi i të cilëve ka shkatërruar gjënë tonë më të shtrenjtë, hapësirën”,- tha ai.