E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, polici speciale për ndërtimet pa leje në bregdet

 

Qeveria është gati të miratojë një vendim të pabazuar në ligj, për të dubluar Inspektoratin e Ndërtimit

TIRANË- Pushuesit shqiptar që kanë vendosur të kalojnë pushimet e verës në bregdet, do të jenë edhe këtë vit në shoqërinë e inerteve të ndërtimit dhe pluhurit. Kjo, jo vetëm për shkak të papastërtive që karakterizojnë në vazhdimësi plazhet tona, por edhe sepse qeveria ka vendosur që shumë shpejt, në pikun e sezonit të ndërmarrë një fushatë të posaçme për prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje në gjithë vijën bregdetare. Një fakt, të tillë e ka bërë të ditur dje ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, gjatë mbrojtjes që i ka bërë projektligjit për “Disa ndryshime në ligjin për Turizmin”. I ftuar për të prezantuar këtë nismë ligjore në Komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, duke iu përgjigjur interesit të deputetëve mbi gjendjen e ndërtimeve pa leje në bregdet, Pango ka bërë përgjegjës pikërisht pushtetin vendor, për situatën ende të rënduar që ekziston në zonat turistike. “Përgjegjësia për gjendjen në këto zona përsa i përket ndërtimeve pa leje, është e pushtetit vendor. Ne i kemi kaluar me ligj pushtetit vendor kompetencat e Policisë Ndërtimore, që sot quhet Inspektorati i Ndërtimit”, - u shpreh Pango. Por edhe për këtë çështje duket se mazhoranca e ka gjetur zgjidhjen duke krijuar një strukturë të posaçme dubluese, apo paralele me Inspektoratin e Ndërtimit, e cila do të merret pikërisht me prishjen e këtyre ndërtimeve në zonat bregdetare. Pango ka bërë publike për herë të parë, nismën për ngritjen e një trupe të specializuar në rolin e një policie ndërtimore, e cila do të merret pikërisht me shkatërrimin e të gjitha atyre objekteve që janë ngritur pa lejen përkatëse. “Ne jemi duke punuar dhe shumë shpejt do të krijojmë një njësi të specializuar, e cila do të prishë të gjitha ndërtimet pa leje në bregdet”,- bëri të ditur ministri i Turizmit, Ylli Pango. Megjithatë, ai nuk ka sqaruar se cilat do të jenë kompetencat e saj dhe mbi ç’legjislacion do të funksionojë, por vetëm ka theksuar se ajo do të jetë një hallkë, pjesë e pushtetit qendror. “Është një njësi posaçërisht për të mos i lënë më kompetencë abuzuesve të cilët, pse mos të themi që për para` kanë lejuar që të ndërtojnë pallate dhe në breg dhe në rërë. Qeveria e madhe nuk ka kompetencat e duhura. Prandaj ne detyrohemi që të krijojmë hallkë qendrore të fuqishme dhe të shpejtë dhe shumë shpejt do të shikoni se kësaj kërkese do t’i përgjigjemi”, - u shpreh Pango. Por përveç mangësive në legjislacionin mbi të cilin do të ngrihet një strukturë e tillë dhe dublimit që i bëhet Inspektoratit të Ndërtimit, i cili varet nga pushteti vendor, ajo që duket më shqetësuese për çdo pushues, është pikërisht ndërmarrja e kësaj nisme pikërisht në sezonin turistik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›