E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, edhe 3 muaj afat për bonot e privatizimit

ALUZINI njoftoi se qytetarët kanë ende kohë për të bërë kërkesën me shkrim

Qytetarët që kanë ndërtime pa leje dhe që duan të paguajnë detyrimet me bono privatizimi, kanë të paktën edhe 3 muaj afat për të bërë kërkesën pranë ALUIZNI-t për të paguar me bono. Agjencia e Legalizimeve sqaroi dje pas shkrimit në “standard” se afati i bërjes së kërkesës nuk mbyllet në datën 24 shkurt, por do të shtyhet të paktën edhe për 3 muaj të tjerë. Ndryshimi i ligjit të legalizimeve që ndodhi në datën 4 shkurt nga Kuvendi, ka përcaktuar edhe 3 muaj të tjerë afat, të cilat fillojnë me hyrjen në fuqi të ligjit, i cili pritet të ndodhë brenda këtyre ditëve. Qytetarët duhet të paraqiten pranë zyrave të Agjencisë së Legalizimeve për të bërë një kërkesë me shkrim ku të deklarojnë se dëshirojnë të paguajnë me bono privatizimi. “Këto subjekte, për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të bonove të privatizimit, kanë të drejtë që brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit, nr. 10219 “Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, të paraqesin kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t”, - thuhet në njoftimin zyrtar të agjencisë së legalizimeve. Më tej në këtë njoftim thuhet se “poseduesit e objekteve informale, sipas përcaktimeve në ligjin nr. 10219, datë 4.2.2010 “Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, mund të paraqesin kërkesat pranë drejtorive rajonale të ALUIZNI-t, me hyrjen e në fuqi të tij, për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi”. Të gjithë të tjerët që kanë bërë pagesën me lekë në dorë dhe dua që të paguajnë me bono, qeveria do t’i rimbursojë ata dhe për këtë pritet një vendim i posaçëm nga Këshilli i Ministrave. Kërkesa me shkrim nuk kufizon afate për përdorimin e letrave me vlerë, pasi pagesa me bono mund të bëhet në çdo moment, por brenda 3 muajve duhet të bëhet një kërkesë në agjencinë lokale të ALUIZNI-t, ku të deklarohet se do paguash me bono privatizimi. Pagesa me bono Parlamenti miratoi në datën 4 shkurt ligjin nr. 10219 “Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar. Ky ligj parashikon si formë alternative pagese, për parcelën ndërtimore të objektit informal, bonot e privatizimit, krahas pagesës në lekë, në vlerë të plotë monetare. Poseduesit e objekteve informale me funksion banimi apo të përzier, të kualifikuara për legalizim, me hyrjen në fuqi të ligjit, kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë, për pagesën e parcelës ndërtimore me bono privatizimi, sipas përcaktimeve të nenit 1 dhe 2 të ligjit nr. 10219. Bëjnë përjashtim nga ky rregull, objektet informale me destinacion social-ekonomik apo që shfrytëzohen sipas këtij destinacioni dhe shtesat informale në objekte me leje. Përqindjet e përdorimit të bonove të privatizimit, ndahen sipas vendndodhjes së objektit informal dhe sipas sipërfaqes së parcelës që kalon në pronësi të poseduesit të ndërtimit informal. Për objektet pa leje në zona informale (jashtë vijës kufizuese të ndërtimit) për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Për pjesën e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m², e cila llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, ky rregull nuk aplikohet. Për objektet informale, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit (vija e verdhë) për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70 për qind të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², vlera e të cilave llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, pagesa mund të kryhet për deri 50 për qind të vlerës me bono privatizimi. Ligji parashikon përfitimin e lehtësive të parashikuara në të edhe për poseduesit e objekteve informale, që kanë kryer pagesa të mëparshme, të parcelës ndërtimore të objektit. Sipërfaqet që paguhen me bono privatizimi Për objektet pa leje në zona informale (jashtë vijës kufizuese të ndërtimit) për sipërfaqe të parcelës nga 1-500 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Për pjesën e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m², e cila llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, ky rregull nuk aplikohet. Për objektet informale, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit (vija e verdhë) për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², vlera e të cilave llogaritet me çmimin e tregut në çastin e kalimit të pronësisë, pagesa mund të kryhet për deri 50% të vlerës me bono privatizimi. Bëjnë përjashtim objektet informale me destinacion social-ekonomik apo që shfrytëzohen sipas këtij destinacioni dhe shtesat informale në objekte me leje. Treg i posaçëm për letrat me vlerë Letrat me vlerë do të tregtohen së shpejti në një treg të posaçëm. Në seancën e fundit parlamentare, Kuvendi miratoi ligjin “Për marrjen në kontroll të shoqërive publike”, ku përcaktohen politika të veçanta për këto investime. “Parashikohet hartimi i politikave të investimit të shoqërisë administruese në përputhje me parimet e krijimit dhe funksionimit të tregjeve sekondare të letrave me vlerë, duke ndalur krijimin e tregjeve të rreme, që do të shtrembëronin funksionimin normal të tregut”, - thuhet në ligjin e miratuar nga Kuvendi. Në këtë mënyrë, me krijimin e tregjeve sekondare, do të jetë një garanci më shumë për të tregtuar, duke shitur e blerë letra me vlerë. Vlera në treg, bonot e privatizimit blihen me 13% Vlera e bonove të privatizimit në treg ndodhet aktualisht në masën e 13-përqindëshit. Letrat me vlerë prej më se 1 muaji kanë pasur këtë vlerë, ndërsa pikën më të lartë këtë muaj e kanë arritur në masën 14 për qind. Tregtarët e tyre shprehen se vlera e bonove do të vijojë të ruajë këto ritme, të paktën edhe për pak kohë. Vlera e tyre kapi në muajin shtator një vlerë deri në 20 për qind, kjo edhe për shkak të sasisë së pakët në treg të tyre. Në muajin shtator bonot arritën pikën e tyre më të lartë të shitjes. Vlera e tyre u rrit ndjeshëm në treg pas miratimit të ligjit që i lejon bonot e privatizimit të përdoren në procesin e legalizimit. Por, me shtimin e shitjes së tyre, vlera e bonove të privatizimit ra. Në mesin e dhjetorit, shitja e bonove nuk i kaloi 8 për qind, ndërsa aktualisht vlerat e tyre nuk po i kalon 14 për qind. Gjithsesi, vlera e bonove pritet të rritet, kjo për shkak se ato do të përdoren në shumë fusha, dhe jo vetëm në procesin e legalizimeve që tashmë u sanksionua me ligj. Anglo-Adriatika, do të rishpërndahen bonot e privatizimit Ministria e Financave do të hartojë një udhëzim të posaçëm, i cili do të përcaktojë procedurën e shpërndarjes së bonove të privatizimit individëve. Udhëzimi pritet të miratohet pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” që u miratua në seancën e fundit parlamentare. “Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjitha bonot e privatizimit të investuara në fondet e investimit të krijuara me ligjin nr. 7979, datë 26.07.1995, “Për fondet e investimeve”, u rishpërndahen individëve. Ministri i Financave me udhëzim rregullon procedurat dhe afatet e rishpërndarjes”, - thuhet në ligjin e miratuar në Kuvend. Bëhet fjalë për të gjitha bonot e privatizimit, të cilat janë investuar nga qytetarët në kompani që dështuan si “Anglo-Adriatika”. Të gjitha bonot do të kthehen me një procedurë që Ministria e Financave do ta përcaktojë. çdo qytetar që disponon dokumentin që ka dorëzuar letrat e tij me vlerë tek “Anglo-Adriatika”, mund ta dorëzojë dhe të përfitojë sasinë e bonove që ai ka investuar. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, ato kapin shifrën e 64 miliardë lekëve, të cilat janë shpërndarë para vitit 1997. Njëkohësisht me miratimin e projektligjit të vlerësimit të letrave me vlerë të ish-të përndjekurve politikë, rreth 12.5 miliardë lekë letra me vlerë pritet të gjallërohen. Tashmë me miratimin e këtij projektligji nga Kuvendi i ri, bonot e privatizimit që nuk patën fatin e duhur edhe në kompani të tilla se “Anglo-Adriatika”, do të rivlerësohen.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›