Regjistrimi fillestar, 45 ditë të bëhesh pronar
Procesi i regjistrimit fillestar, çfarë do të thotë për njerëzit e thjeshtë dhe cila është e ecuria e këtij procesi deri më tash?
-Regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme është procesi i regjistrimit ligjor në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të pasurisë në fjalë, bazuar mbi Ligjin Nr. 7843, datë 13. 07. 1994, "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Kjo konsiston në fund, në përgatitjen e hartës treguese të pasurisë së paluajtshme dhe të kartelës së pasurisë së paluajtshme. Në fund të procesit, qytetarët pajisen me certifikatën e kësaj pasurie. Regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë, ka filluar në vitin 1995 dhe ky regjistrim është i shtrirë në të gjitha zonat urbane dhe rurale. Deri tani, në rreth 80 për qind të zonave rurale ka përfunduar ky proces regjistrimi, duke bërë të mundur njëkohësisht edhe sigurimin e informacionit për pasuritë në zonat rurale.
A kë një datë të përcaktuar kur pritet të përfundojë ky proces i regjistrimit fillestar?
-Në kuadër të këtij projekti, ZQRPP-ja synon që deri në fundin e vitit 2011 të përfundojë procesin e regjistrimit fillestar në zonat urbane, duke i dhënë fund njëkohësisht edhe sistemit të deritanishëm hipotekor, duke dhënë një garanci më të madhe për tregun e pasurive të paluajtshme dhe duke lehtësuar njëkohësisht, tej mase edhe shërbimin ndaj klientit.
Sa janë qytetarët pjesë e këtij projekti të financuar nga BB-ja?
-Pa dyshim, qytetarët duhet të jenë pjesë e këtij projekti. Ky projekt i regjistrimit fillestar përfundon me momentin e afishimit për 45 ditë, i të dhënave për çdo pasuri, në çdo zonë kadastrale, ku secili prej qytetarëve ka mundësi të verifikojë se si është trajtuar ligjërisht. Ata duhet të marrin pjesë aktive gjatë gjithë procesit të regjistrimit fillestar. Duke pasur parasysh se procesi i regjistrimit fillestar, të çon në hartimin e Regjistrit të Pasurive të Paluajtshme, është me interes të theksohet se të gjitha institucionet që kanë shpërndarë tituj të regjistrueshëm në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe të gjithë qytetarët që kanë interesa mbi pasuritë e paluajtshme, të paraqesin të gjithë dokumentacionin që ata kanë, që ata disponojnë, pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Ju synoni të hartoni një regjistër të pasurive të paluajtshme, si do të hartohet dhe si do ndahen zonat kadastrale?
- Procesi i regjistrimit fillestar në zonat urbane ka filluar tashmë në 22 zona kadastrale, të shtrira kryesisht në rrethet Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Sarandë dhe Shkodër. Deri në vitin 2011, ky proces do të shtrihet edhe në 50 zona kadastrale të tjera, të cilat shtrihen në rrethet Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Sarandë dhe Shkodër, por edhe në Elbasan, Korçë e në rrethet e tjera.
Shqipëria për efekt regjistrimi, është ndarë në 3058 zona kadastrale, ku për zonat rurale, kufiri i një fshati përbën një zonë kadastrale, ndërsa në zonat urbane, qytetet janë ndarë në më shumë se një zonë kadastrale. ZQRPP-ja e cila drejtohet nga kryeregjistruesi i Republikës është shtrirë në të gjithë vendin, me 35 ZVRPP-të, të cilat nga ana e tyre janë zyrat që operojnë çdo ditë, duke kryer veprimet me regjistrimet, si dhe duke dhënë informacion për dokumentacionin e duhur për regjistrimin e pronave të paluajtshme, si dhe për veprime të ndryshme me pasuritë e paluajtshme. Regjistri i Pasurive të Paluajtshme, që tashmë po krijohet, bazuar mbi Ligjin Nr. 7843, datë 13. 07. 1994, "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, përfshin të dhëna të plota mbi parcelën e pasurive të paluajtshme. Këto të dhëna kanë të bëjnë me pozicionin gjeografike, me sipërfaqen e pronës, si dhe të drejta e interesa të tjera që kanë të bëjnë dhe janë të lidhura me pasurinë e paluajtshme. Gjithashtu, kjo kartelë është e referuar në një hartë treguese të pasurisë së paluajtshme, që siguron një kontroll më të fortë mbi informacionin, duke mos lejuar në të ardhmen problemin e akumuluar prej vitesh, problemin e mbivendosjes. Ky proces, që ka filluar që në vitin 1995, një nga vlerat e tij ka evitimin e mbivendosjeve, pra saktësimin e pozicionit gjeografik të një pasurie të paluajtshme.
Si mund të informohen qytetarët, për t'u bërë pjesë e këtij procesi të regjistrimit fillestar?
-Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që në fillim të këtij projekti të regjistrimit fillestar, së bashku me kompaninë e kontraktuar për këtë qëllim, ndërmarrin një proces të informimit publik, i cili nga ana e tij, zhvillohet në disa forma. Do të ketë një informim tërësor për këtë lloj procesi të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme. Qytetarët nga ana e tyre duhet të jenë të vëmendshëm dhe bashkëpunues, për të dorëzuar të gjithë dokumentacionin që disponojnë, pranë kompanisë, njerëzit e së cilës paraqiten për verifikime në terren, si edhe për tu njohur me hapat e mëtejshëm të bërjes pjesë e këtij procesi. Por, gjithë dokumentacioni që ata disponojnë, paraqitet pranë Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Me rëndësi të vçantë dhe për t'u ritheksuar, është pjesëmarrja e publikut gjatë procesit 45-ditor të afishimit publik, të listave dhe të dhënave të dokumentacionit, nëpër ambiente të ndryshme të zonave kadastrale, ambiente që sigurohen nga kompania private, së bashku me ZQRPP-në. Ky është momenti që qytetarët, me thjeshtësi procedurash dhe me shërbim falas, të mund të zgjidhin pretendimet që dalin gjatë regjistrimit fillestar për të bërë saktësime apo korrigjime. Këto korrigjime, gjithmonë duhet të kryhen pa kaluar momenti i ligjërimit të regjistrimit fillestar. Ky korrigjim nga ana tjetër, gjithmonë do të bëhet mbi ballafaqimin dhe verifikimin e një dokumentacioni të paraqitur nga qytetarët.
Pjesë e këtij procesi të regjistrimit fillestar duhet të bëhen të gjithë personat që kanë një titull pronësie. Pra, në këtë proces duhet të përfshihen të gjithë nga e para? Edhe ata që kanë qenë të regjistruar para vitit 1995 do të duhet të regjistrohen sërish?
-Që të gjithë qytetarët, qoftë ata të paraqitur pranë sporteleve të ZVRPP-ve, duke aplikuar për regjistrim fillestar, qoftë ata që nuk janë paraqitur ndonjë herë pranë këtyre sporteleve, janë të lutur që të bashkëpunojnë gjatë procesit të regjistrimit fillestar, në mënyrë që prona e tyre, pasuria e tyre, të mos hasë në ndonjë problematikë të mundshme, pas këtij procesi, sepse në këtë mënyrë, do t'i shkurtohen procedurat, por edhe kostot.