E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maxhoranca refuzon Ina Ramën për shtimin e punonjësve, Dobjani: Buxheti, antikushtetues

 

BLEDAR HOTI

Kuvendi nuk merr në konsideratë kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për shtim punonjësish në një shifër prej 40 vetash. Përplasjet e përhershme ndërmjet maxhoracnës dhe organit të akuzës janë reflektuar edhe në diskutimin e buxhetit të shtetit, ku kërkesa për shtim punonjësish nga kryeprokurorja nuk është miratuar nga maxhoranca e djathtë. Kryeprokurorja Ina Rama e ka lidhur shtimin e punonjësve në lidhje me detyrimin ligjor që ka institucioni i saj për të emëruar 11 magjistratë të rinj. “Gjendemi në të njëjtat kushte, numri i punonjësve është si ai i vitit 2007-2008. Ky numër rritet për shkak të këtyre risive që unë parashtrova, që janë menaxhimi i rasteve, ligji për marrëdhëniet me jashtë, Prokuroria e Përmetit, që janë ngjarje të reja që na kërkojnë shtesa të reja në organikë. Mendojmë që numri 40 është një numër i domosdoshëm për të bërë të mundur që këto struktura që ne përmendim të fillojnë nga funksioni”, tha kryeprokurorja Rama. Nga 807 që ka maksimalen, Prokuroria ka gjithsej 806 punonjës, por kryeprokurorja ka kërkuar shtimin e punonjësve për shkak të rritjes së numrit të kërkesave të mëdha të dosjeve që kanë në shqyrtim. “Prokuroria e Pergjithshme në zbatim të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokuroris së Përgjithshme në Republikën e Shqipërisë”, neni 23, ka detyrimin ligjor që studentët që mbarojnë Shkollën e Magjistraturës në profil prokuror duhet të emërohen si prokuror në këto struktura. Për vitin 2010 duhet të emërohen detyrimisht 10 prokurorë që mbarojnë këtë shkollë dhe 5 stazhierë prokurorë”, thuhet në kërkesën e paraqitur. Ndërsa kryeprokurorja theksoi se kjo nuk do t’i kalonte shifrës së 330 prokurorëve të përcaktuar me dekret të Presidentit të vendit. Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Çausholli, u shpreh se “vetë Prokuroria e Përgjithshme duhet të shohë nga procesi i riorganizmit çështjen e plotësimit me punonjës. Ne do të preferonim se numri i punonjësve prej 807 vetë të rishihet edhe një herë struktura, duke mbajtur parasysh dhe nevojat në të ardhmen”. Kreu i Komisionit të Ligjeve tha se “për të zgjidhur nevojat tuaja për ekspertizë për punonjës për forca të reja nëpërmjet riorganizimit të brendshëm, a e keni studiuar këtë mundësi?”. “Ju kërkoni që të keni një zyrë të posaçme të ndihmësve të ekspertëve. Është një fakt se ne duhet ta themi publikisht, Prokuroria e Përgjithshme ka në gjirin e vet prokurorët më të mirë të vendit, asat. Por tani na del se duhet njerëz për ndihmë, juristë dhe këta, jo asa, por fanta. Këta fantat, në gjuhën e portokallisë, po na zejnë vendin e fantave të tjerë të ekspertëve. Mos vallë e gjejmë zgjidhjen te riorganizimi”, tha Rusmali. Në lidhje me këtë pikë, kryeprokurorja tha se “se institucioni i saj do të vlerësojë çdo mundësi të sajën, por ky është një zbatim i ligjit për një standard më të lartë, ashtu siç e kanë edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë nga dy ndihmësa ligjorë”. “Duke qenë se gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, njëlloj asa si prokurorët kishin të drejtën e ndihmësave, ne thamë, jo në ato nivele ti kemi dhe ne, duke e cilësuar si një ndihmesë dhe për asat e Prokurorisë së Përgjithshme”, tha Rama. Por Rusmali u shpreh se vetëm nëse gjendet kompromis ndërmjet Prokurorisë dhe Ministrisë së Financave, Komisioni i Ligjeve mund të miratojë kërkesat për shtim punonjësish. Për sa i përket institucioneve të pavarura si KQZ-ja, Avokati i Popullit, Avokati i Prokurimeve dhe IDLKP-ja janë më të prekurat për shkak se qeveria ia ka ulur buxhetin në krahasim me vitin e kaluar.

Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme

Për vitin 2010 duhet të emërohen detyrimisht 10 prokurorë që mbarojnë këtë shkollë dhe 5 stazhierë prokurorë.

Në zbatim të dekretit të Presidentit duhen 5 punonjës për Prokurorinë e Përmetit.

Duhen 6 punonjës si përkthyes për krjimin e Zyrës për çështjen e Ekstradimeve.

Për krijimin e zyrës së veçantë të Ndihmës Juridike me 11 ndihmës ligjorë për 22 prokurorë.

Kërkohet 3 punonjës ekspertë në fushën e krimit ekonomik, duke krijuar një zyrë të veçantë për Shërbimet e Ekspertimeve.

Në zbatim të krijimit të 6 njësive Antikorrupsion, duhen 9 punonjës prej të cilëve 6 prokurorë dhe 3 oficerë të policisë gjyqësore.

Duhen 5 punonjës për administrator rrjeti

Spahiu i kënaqur me shtimin e punonjësve për KLD-në

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka mbetur i kënaqur në lidhje me pranimin e kërkesës për një shtim punonjësish me 11 veta në institucionin ku ai bën pjesë.”Sigurisht ky është një lajm i mirë për ne dhe jam dakord për një gjë të tillë. Ne një gjyqësor ku nuk regjistrohen dhe nuk filmohen dot seancat gjyqësore dhe ku një numër kaq të kufizuar të inspektoratit nuk mund të dokumentojë dhe të verifikojë çfarë ndodh në seancat gjyqësore në Shqipëri, rritja e numrit të inspektorëve mund të bëjë të mundur pa dyshim numrin e thellimit të monitorimit, vëzhgimit dhe verifikimit të problemeve”, tha Spahiu.

Dobjani: Buxheti i Bodes, antikushtetues

BLEDAR HOTI

Avokati i Popullit e cilëson si antikushtetuese hartimin e buxhetit nga Ministria e Financave dhe jo nga vetë institucioni i tij. I thirrur në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Avokati i Popullit, Emir Dobjani ka theksuar se “Kushtetuta ia jep atij të drejtën për të hartuar vetë buxhetin e shtetit”. “Sipas nenit 60 pika 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Avokati i Popullit ka një buxhet të veçantë dhe e administron vetë atë. Ai e propozon buxhetin sipas ligjit. Kurse sipas ligjit, neni 36, Avokati i Popullit parashikohet se mjetet financiare të institucionit përballohen nga buxheti i shtetit, ku Avokati i Popullit ka një kre të veçantë”, deklaroi Dobjani. Ai u shpreh se në vazhdimësi nuk po zbatohet kjo dispozitë e Kushtetutës dhe ligjit që sjell si pasojë që projekti hartohet nga teknicienët e Ministrisë së Financave, që nuk  marrin sa duhet në konsideratë kërkesat, nevojat dhe specifikat e punës së Avokatit të Popullit. “Projekti në të ardhmen duhet të diskutohet siç parashikon neni 36 i Kushtetutës dhe shifrat që do të vendosin deputetët, të futen në buxhetin e shtetit ashtu siç vendosin komisionet e përhershme parlamentare. Faktikisht Komisioni i Ekonomisë nuk na ka thirrur asnjëherë”, deklaroi Dobjani. Kreu i komisionit Ilir Rusmali tha se nuk mund të hedhim teza në lidhje me prentendimet e Avokatit të Popullit mbi antikushtetueshmërinë. “Ligji për hartimin e buxhetit është bazë në kushtet që diskutojmë. Nëse nuk keni pasur konsulta të vazhdueshme me Ministrinë e Financave, kjo është një çështje tjetër. Por nëse ju thoni se ligji për buxhetin e shtetit është antikushtetues, sepse bie ndesh me dispozitat e Kushtetutës që përcaktojnë pavarësinë buxhetore të Avokatit të Popullit, kam përshtypjen se jemi në një shinë krejt të palogjikshme dhe të pajustifikueshme. Kjo nuk i takon përfaqësuesve të Financave, pasi nuk janë ekspert të së drejtës. Ky lloj diskutimi për forcën juridike të njërit ligj apo tjetrit duhet të hiqet nga tavolina”, replikoi Rusmali. Dobjani tha se kërkesën e tij për zërin e investimeve janë dhënë 11 milionë lekë më pak. “Për zërin e investimeve kemi kërkuar 17.500 milionë lekë dhe na është planifikuar vetëm 6 milionë. Gjykojmë të paktën të na shtohen 3 milionë lekë për idrozolimin e tarracës së institucionit. Gjithashtu kërkojmë që të na jepen fondet edhe për sistemin e sigurisë me 1.7 milionë lekë, pasi institucionit tonë dhe pse kushtetuese i është hequr ruajtja nga ana e policisë së shtetit”, theksoi Dobjani. Gjithashtu Avokati i Popullit ka bërë të ditur se shtesa në fond duhen edhe për blerjen e makinave dhe të pajisjeve kompiuterike, pasi ka dhjetë vite që nuk ka bërë shpenzime të tilla. “Mund të jem i vetmi titullar institucioni që mund të kem makinën 10-vjeçare, që e mbaj që nga 1999, megjithatë po heq dorë nga kjo, por të paktën plotësoni kushtet për pajisjet kompiuterike”, theksoi Dobjani. Përfaqësuesja e ministrisë së Financave, Vilma Çausholli, theksoi se çdo vit Avokati i Popullit ka pasur blerjen e pajisjeve elektronike pa pasur idenë e blerjes së tyre. Ajo theksoi se asnjë prej institucioneve të pavarura nuk ka negociuar me Ministrinë e Financave përpara paraqitjes përfundimtare të projektbuxhetit për diskutim në Kuvend. Dobjani, i mbetur i pakënaqur nga qëndrimi i Ministrisë së Financave, theksoi se “në këto 10 vite institucioni i tij ka pasur financime në formë donacionesh nga Danimarka dhe s’ka kryer investime nga ana e buxhetit të shtetit. Këtu përmend makinat dhe pajisjet kompiuterike”.

Kushtetuta

Neni 60/Avokati i Popullit

1. Avokati i Popullit mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike.

2. Avokati i Popullit është i pavarur në ushtrimin e detyrës së tij.

3. Avokati i Popullit ka buxhet të veçantë, të cilin e administron vetë. Ai e propozon buxhetin sipas ligjit

Kërkesat e Avokatit të Popullit

Për pagat nuk kemi vërejtje

Për sigurimet shoqërore janë dhënë 6 milionë lekë ose 1.2 milionë lekë më pak.

Për zërin mallra, shpenzime operative janë dhënë 17.570 milionë lekë, ose 3,050 milionë lekë më pak se në vitin 2009

Shpenzimet për karburantin ne kemi kërkuar 30 milionë lekë na janë dhënë 13 milionë lekë më pak se nevojat.

Për zërin investime kemi kërkuar 17.500 milionë lekë dhe na është planifikuar 6 milionë lekë. Kërkojmë të shtohen të paktën 3 milionë lekë.

Duam 1.8 milionë lekë për izolimin e tarracës së godinës

Duam 1.7 milionë lekë për sigurinë fizike, vendosjen e policëve privat dhe kamerave të sigurisë fizike.

Berisha: Prioritet i buxhetit, rruga e Arbrit dhe Elbasan-Tiranë

Gjatë tre viteve të ardhshme prioritet në infrastrukturë do të jetë rruga e Arbrit dhe ajo Elbasan- Tiranë me tunel. Qeveria miratoi dje buxhetin afatmesëm 2010- 2012. Sipas Kryeministrit Berisha “Rruga e Arbrit me gjithë tunelin e parë 3.2 km apo 3.7 km dhe autostrada Tiranë- Elbasan me tunelin  e saj do të bëhet  realitet nga ky buxhet. Qytetarët e Elbasanit kanë një ëndërr të hershme dhe këtë ëndërr kjo qeveri do ta shndërrojë në realitet. Në qoftë se bëni një referendum për infrastrukturën në Elbasan, kërkesa e parë do të jetë tuneli dhe ne do ta bëjmë atë. Brenda 2 muajve, përfunduam projektin, nga një kompani ndër më seriozet të kontaktuara nga BE. Ndërkohë dua t’ju informoj se janë bërë përpjekje shumë serioze për financimet dhe se është në rrugë të mbarë”. Sipas kreut të qeverisë deri tani janë gjetur fondet për ndërtimin e tunelit, çka sipas tij do të çojë në ndryshimin e buxhetit. “Natyrisht, kjo autostradë, e cila i shërben të gjithë jugut dhe juglindjes së Shqipërisë, do të përfundojë brenda këtij mandati. Ky buxhet do të jetë buxheti i Boshtit të Jugut. Po punohet me shpejtësi me projekte në të gjitha segmentet, në segmentin Papër- Berat, edhe në segmentin Berat-Memaliaj. Shumë shpejt përfundon dhe ky projekt, për të cilin kam garanci të plotë për financimin nga vende mike të Shqipërisë”, u shpreh më tej Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›