PD-PS replika për raportin e TIA
Partia Socialiste akuzoi Qeverinë dhe Kryeministrin Berisha si përgjegjës për rënien në 10 shkallë më poshtë në luftën kundër korrupsionit sipas raportit të Transparency International. Deputetja socialiste Olta Xhaxhka, tha dje se fakti që tanimë edhe ambasadorët e BE ndjejnë detyrimin të reagojnë, duke e quajtur një lajm të keq rënien e Shqipërisë me 10 vende në indeksin e korrupsionit, është indikatori më dramatik, që provon se korrupsioni i shfrenuar i Familjes në pushtet ka kaluar çdo cak. Partia Demokratike përmes zëdhënëses së saj, Erla Mëhilli iu përgjigj menjëherë deputetes socialiste. Ajo i kërkoi Edi Ramës të lejojë deputetët socialistë të futen në Parlament që të luftojnë bashkërisht korrupsionin. “Korrupsionin e mbron Edi Rama, i cili vetëm gjatë vitit 2008 mori për vete së bashku me Eftimin dhe Shkrelin e tij 70% të lejeve të ndërtimit. Korrupsionin e mbron Edi Rama, që nuk dërgon për miratim Planin Rregullues të kryeqytetit në KRRTRSH”, u shpreh Mëhilli.