E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, gati 2 mijë dosje në Elbasan



Drejtoria e ALUIZNI-t Elbasan ka mundur që të lëshojë 300 leje legalizimi për objektet informale që nga fillimi i këtij procesi dhe ka mundur që të grumbullojë rreth 2000 dosje, të cilat janë gati për legalizim. Ndërsa pritet shlyerja e detyrimit financiar nga aplikuesit, “që ka përcaktuar drejtoria jonë”, - shprehet kreu i këtij institucioni Ditor Musai. Sipas tij, procesi po ecën me ritme të kënaqshme. Për hartimin e dokumentacionit për legalizimin e zonave informale, grupet e specialistëve janë shpërndarë jo vetëm në territorin që i përket Bashkisë së Elbasanit, por edhe në bashki e komuna të tjera të qarkut. Gjithashtu, zoti Musai u shpreh se gjatë legalizimit të ndërtimeve pa leje shpesh janë hasur edhe raste që penalizohen nga ligji i legalizimit e më konkretisht janë evidentuar 80 objekte të tilla. Një pjesë e objekteve të cilat nuk hyjnë në fazën për legalizim, janë edhe një grup objektesh ngjitur me digën e Zaranikës, e cila ka dalë jashtë funksionit dhe mund të rrezikojë të gjitha ndërtimet. Nga ana e ALUIZN-it pretendohet që në fund të vitit 2010 do të kenë përfunduar 18,756 dosje për këto objekte informale, pasi plani grafik për këtë proces është i gatshëm, ku më pas do të mbetet vetëm shlyeja financiare. Në këtë proces legalizimi, sipas z. Musai, merren konfirmime nga të gjitha institucionet e specializuara, si Drejtoria e Rrugëve, bashkitë e komunat, Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave, Drejtoria e Ujërave, me qëllim që gjatë procesit të kualifikimit të një objekti mos të bien ndesh me kodet e tyre të caktuara. Ndërsa së shpejti në këtë drejtori pritet përgjigja për miratim nga Drejtoria e Përgjithshme Hekurudhore për 40 objekte të cilat janë brenda kufirit të ndërtimit me leje.

Por ndërkaq, kreu i ALUIZN-it, Ditor Musai, shprehu një shqetësim në lidhje me një problem që ka dalë kohët e fundit në njësinë vendore të Bashkisë së Përrenjasit, ku procesi i legalizimit është frenuar nga kryetari i kësaj bashkie. Ai i bëri thirrje kryetarit të Bashkisë së Përrenjasit, zotit Artan Topi, pasi sipas tij, ky i fundit pretendon që të kryejë vetë procesin e legalizimeve. Kjo njësi vendore ka frenuar procesin e legalizimit edhe pse është njoftuar disa herë në lidhje me këtë çështje duke i dërguar shkresa zyrtare e ligjore. Ky problem është unik në Shqipëri, pasi sipas zotit Musai, kreu i Bashkisë së Përrenjasit ka mungesë informimi për këto kompetenca. Zoti Topi ka lajmëruar qytetarët që të mos pranojnë grupet e ekspertëve që janë dërguar atje për të kryer matjet dhe u ka thënë qytetarëve që ndërtimet pa leje do të kryhen nga vetë kryetari i Bashkisë së Përrenjasit. Gjithashtu, Musai u bën thirrje qytetarëve të kësaj zone që të pranojnë ekspertët për të bërë matjet nëse duan që banesat e tyre të legalizohen pasi kreu i bashkisë nuk ka asnjë detyrim ligjor për të kryer këtë proces që është vetëm nën pushtetin e ALUIZNI-t. N. Allkja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›