E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Rama mban ende në sirtar planin urbanistik



Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, deklaroi dje se kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ende nuk ka dorëzuar Planin Urbanistik të Tiranës. Sipas Olldashit, Rama ka gënjyer në mënyrë të turpshme kur ka thënë se qeveria po vonon miratimin e planit. Ministri e cilësoi Ramën si një politikan që bën llafe. “Kemi parë dje kryetarin e Bashkisë së Tiranës, që është modeli i politikanëve që bëjnë llafe, të dalë dhe të gënjejë në mënyrë të paturpshme, duke ftuar qeverinë të miratojë planin urbanistik të kryeqytetit”, - tha Oldashi. Ai tha më tej se Plani Urbanistik i Tiranës është ende në sirtarët e bashkisë dhe ftoi Ramën që ta dorëzojë atë në KRRTRSH për ta miratuar sa më shpejt. “Ne jemi të gatshëm të miratojmë planin urbanistik, por së pari duhet të na e dërgojë, sepse nuk e ka dërguar akoma, vazhdon ta mbajë në sirtar”, - tha më tej ministri.

Olldashi lëshoi akuza të tjera ndaj Ramës. Sipas tij, ai ka bllokuar qëllimisht planin urbanistik të kryeqytetit, i cili ende zyrtarisht sot nuk ka një plan rregullimi. “Kryetari i Bashkisë se Tiranës mos të dalë dhe te gënjejë ne mënyrë të pacipë përpara kamerave, por të bëjë detyrën që ka për të bërë, të nisë planin urbanistik pranë Sekretarisë Teknike të KRRTRSH-së dhe qeveria do të procedojë me shpejtësi që t’i japë planin rregullues kryeqytetit, në mënyrë që edhe kryeqyteti të funksionojë dhe të mos mbetet i bllokuar sikurse është bërë deri më sot”, - deklaroi ministri i Transporteve.

Plani urbanistik vijon të jetë një debat mes Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë qendrore. Kreu i bashkisë, Edi Rama, akuzoi pak ditë më parë qeverinë se po vonon miratimin e planit në KRRTRSH, por ministri Olldashi e cilësoi këtë si një deklaratë të turpshme, pasi, sipas tij, nga bashkia nuk është bërë ende dorëzimi i planit. Pavarësisht debatit, Tirana vijon ende të mos ketë një plan të plotë urbanistik.

Deklaratat e ministrit Olldashi u bënë gjatë inspektimit të punimeve në rrugën që lidh Cakranin me qytetin e Fierit, një rrugë që ka qenë në gjendje të tmerrshme. Z. Olldashi u shpreh mjaft i kënaqur që punimet vazhdojnë të ecin me ritëm shumë të mirë. “Jam mjaft i kënaqur që punimet kanë ecur në ritmin e duhur sepse është një rrugë shumë e rëndësishme për zonën, për Cakranin, për fshatrat e kësaj komune si dhe për vetë qytetin e Fierit për lidhjet që ka me këtë zonë”, - tha Olldashi. Ai premtoi se investime të tjera do të vijnë në këtë qark. “Investimet në Qarkun e Fierit do të vazhdojnë për të përmirësuar infrastrukturën e këtij qarku, për të përmbushur në këtë mënyrë të gjitha premtimet që u kemi bërë banorëve të kësaj zone, për t’i dhënë brenda mandatit 4-vjeçar një infrastrukturë tërësisht moderne”, - tha ministri i Punëve Publike dhe Transportit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›