E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama të dërgojë planin urbanistik në KRTRSH”

16/11/2009  Qëndrimi i Olldashit

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i kërkoi kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama, të dërgojë planin urbanistik të kryeqytetit në KRTRSH, në mënyrë që qeveria të mund të procedojë për miratimin e tij. Kërkesa e Olldashit vjen si reagim ndaj Partisë Socialiste, e cila një ditë më parë deklaroi se qeveria po e zvarrit miratimin e këtij plani. “Kemi parë dje kryetarin e Bashkisë së Tiranës, që është modeli i politikanëve që bën llafe, madje në mënyrë të paturpshme doli dhe gënjeu dhe ftoi qeverinë që ta miratojë planin. Jemi të gatshëm që ta miratojmë planin urbanistik të Tiranës, por duhet të na e dërgojë, sepse e ka akoma në sirtar planin”, - vuri në dukje Olldashi gjatë fjalës së tij. Njëkohësisht, duke qëndruar po një çështje të tillë, ministri Olldashi i kërkoi Ramës që “të mos dalë të gënjejë në mënyrë të pacipë, po të bëjë detyrën që ka për të bërë e të nis planin pranë sekretarisë teknike të KRRTRSH-së dhe ne do të procedojmë me shpejtësi që t’i japim planit rregullues të kryeqytetit, në mënyrë që edhe kryeqyteti të funksionojë dhe të mos mbetet i bllokuar sikurse është deri më sot”. Një deklaratë të tillë ministri Olldashi e bëri dje gjatë inspektimit të punimeve në rrugën që lidh Cakranin me qytetin e Fierit. Ministri u shpreh mjaft i kënaqur që punimet vazhdojnë të ecin me ritëm shumë të mirë. “Jam mjaft i kënaqur që punimet kanë ecur në ritmin e duhur, sepse është një rrugë shumë e rëndësishme për zonën, për Cakranin, për fshatrat e kësaj komune si dhe për vetë qytetin e Fierit për lidhjet që ka me këtë zonë”, - tha Olldashi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›