Zgjedhjet lokale, fiton PD në 5 njësitë
Zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit, zhvilluar në 5 njësi vendore, fitohen nga Partia Demokratike. Zgjedhjet që u zhvilluan dje në nNjësinë vendore nr. 10 në Tiranë, komunën Otllak në Berat, Bashkinë Klos, Fushë-Arrëz si dhe në komunën Fierzë mbyllën një proces normal votimi. Procesi i numërimit të votave filloi rreth orës 21:30 dhe nga numërimi i votave të para doli se kandidatët e Partisë Demokratike ishin në avantazh nga ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas burimeve zyrtare në KQZ, rezultati final i zgjedhjeve do të dalë në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur mendohet që të mbyllet edhe procesi i numërimit të votave.
Pjesëmarrja
Në zgjedhjet e pjesshme lokale morën pjesë një mesatare prej 30 për qind në të pesta njësitë vendore. Kjo shifër konsiderohet e kënaqshme referuar këtyre zgjedhjeve të pjesshme si dhe faktit që ato kanë qenë të bojkotuara nga opozita.
Sipas të dhënave paraprake, rezulton se pjesëmarrja më e lartë ka qenë në Klos, ku kanë votuar rreth 50 për qind e zgjedhësve, ndërsa në Fierzë e Fushë-Arrëz kanë hedhur votën 40 për qind e votuesve. Në komunën Otllak të Beratit, pjesëmarrja nuk ka kaluar më shumë se 30 për qind dhe në njësinë 10 kanë votuar 20 për qind e zgjedhësve që janë në listat e votimit. Procesi i numërimit të votave nisi rreth orës 22:00 të mbrëmjes. Qendrat e votimit janë mbyllur në orën 18:00 sipas orarit zyrtar, ndërkohë që është vërejtur se nuk ka pasur njerëz që prisnin në radhë për të votuar. Mësohet se vetëm në njësinë 10 në Tiranë procesi është mbyllur disa minuta më vonë, për shkak se në disa qendra ka pasur votues në radhë.
Kandidatët
Në këto zgjedhje morën pjesë vetëm kandidatët e PD-së dhe LSI-së, ndërsa vetëm në komunën Otllak kandidoi komunisti Hektor Beqollari i PPSHr-së. Në këtë komunë kandidoi nga PD-ja Muharrem Hoxha, ndërsa nga LSI-ja Nasi Gjoka. Në Bashkinë Fushë-Arrëz kandidoi Alfred Qafa nga PD dhe Dedë Gjergji nga LSI. Në komunën Fierzë kandidoi Gjelosh Peplokaj nga PD dhe Mehmet Ponari nga LSI. Në njësinë nr. 10 Tiranë kandidoi Blend Fuga nga PD dhe Gjergji Thomai nga LSI. Ndërsa në Bashkinë Klos kandidoi Ramazan Mjeshtri nga PD dhe Xhevdet Reçi nga LSI. PBDNJ-ja plotësoi boshllëkun e krijuar nga bojkoti i PS-së, duke u përfaqësuar në përbërjen e KZAZ-ve dhe pse vetë nuk ka paraqitur kandidatë në zgjedhjet e pjesshme në 5 njësi vendore. Qeveria miratoi një ditë më parë fondin prej 7.5 milionë lekësh që do të përdoret nga Komisioni i Zgjedhjeve për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore që do të zhvillohen nesër në pesë njësi administrative në vend. Nga i gjithë fondi, rreth 3.4 milionë do të përdoren për paga dhe sigurime shoqërore e shëndetësore për komisionerët, ndërsa pjesa tjetër për mbulimin e shpenzimeve për blerjen e materialeve të nevojshme në zhvillimin e procesit.
Kandidatët
Komuna Otllak
Muharrem Hoxha, PD
Nasi Gjoka, LSI
Hektor Beqollari, PPSHr
Bashkia Fushë-Arrëz
Alfred Qafa, PD
Dedë Gjergji, LSI
Komuna Fierzë
Gjelosh Peplokaj, PD
Mehmet Ponari, LSI
Njësia nr. 10 Tiranë
Blend Fuga, PD
Gjergji Thomai, LSI
Bashkia Klos
Ramazan Mjeshtri, PD
Xhevdet Reçi, LSI