E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pack notë pozitive zgjedhjeve

Delegacioni vlerësues i Parlamentit Evropian për ecurinë e zgjedhjeve në Kosovë i ka dhënë notë pozitive procesit të votimeve dhe përgatitjeve që janë bërë paraprakisht.

Kryesuesja e këtij delegacioni, eurodeputetja Doris Pack ka lavdëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mënyrën se si e ka menaxhuar këtë proces për herë të parë në Kosovën e pavarur dhe pjesëmarrjen, sipas saj, të lartë të votuesve në proces.

Duhet ti përgëzojmë qytetarët e Kosovës, pjesëmarrjen mund të them të lartë dhe kjo tregon se ata e kanë kuptuar se duke qenë të pavarur, duhet të marrësh përgjegjësi dhe ti tregosh botës se ata janë me të vërtetë të gatshëm të ecin përpara në rrugën evropiane, ka thënë Doris Pack në konferencën për shtyp ku ka prezantuar vlerësimet rreth procesit zgjedhor, një dityë pas mbajtjes së votimeve.

Pack është shprehur se mbarëvajtja e zgjedhjeve do të jetë një arsye e fortë që Kosova duhet ta përdorë në llogari të veten kur e kërkon njohjen nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë bërë këtë. Por ajo ka përjashtuar mundësinë e ndonjë lloji presioni që Brukseli të mund tu bëjë këtyre shteteve për ta njohur Kosovën.

Ne nuk mund të bëjmë presion. Por mendoj se ajo çka kosovarët kanë treguar me këto zgjedhje është se ata kanë arritur pjekurinë e duhur dhe ndoshta kjo do të mund ti bindë disa nga shtetet tjera që të shikojnë në mënyrë pozitive për ta njohur pavarësinë e Kosovës, është shprehur Pack.

Ajo ka supozuar se disa nga shtetet ndoshta janë duke pritur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare pas kërkesës së bërë nga Serbia për të dhënë një opinion këshilldhënës rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kurrë nuk i dihet, por mund të them se nëse zgjedhjet do të kishin ecur keq, kjo nuk do të kishte qenë e dobishme, ka thënë ajo.

Duke folur për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, Doris Pack ka thënë se është e lumtur që një përqindje e konsiderueshme e tyre nuk i ka dëgjuar kërcënimet e ministrit të jashtëm serb, Vuk Jeremiq se nëse serbët e Kosovës dalin në votime të Kosovës, ata do të konsiderohen si tradhëtarë.

Delegacioni i Parlamentit Evropian për zgjedhjet e Kosovës drejtohej nga vetë Doris Pack ndërsa në kuadër të tij kanë bërë pjesë edhe Diana Wallis, nënkryetare e Parlamentit Evropian dhe Antonio Panzeri, Marietje Schaakem Marije Cornelissen dhe Jacek Wlosowitz.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›