Legalizimet, lejet me letra me vlerë, sipas një grafiku
Duke filluar nga dita e djeshme, ka hyrë në fuqi ligji për pagesën me letra me vlerë në procesin e legalizimeve në masën 50 për qind të vlerës. Agjencia e Legalizimeve bën me dije se tashmë qytetarët mund të nisin procedurat për të paguar ndërtimin e tyre informal me letra me vlerë. Kjo vlen edhe për qytetarët që tashmë e kanë bërë pagesën, të cilët nëse disponojnë bono privatizimi, atëherë qeveria do t’u kthejë paratë. Personat që kanë bërë pagesën me lekë në dorë, duhet të paraqesin një kërkesë pranë ALUIZNI-t për të marrë mbrapsht 50 për qind të vlerës së paguar me para në pagesë me letër me vlerë. Mësohet se vetëm në Tiranë ka edhe 85 mijë ndërtime që do të marrin lejen e legalizimit. Sipas drejtuesve të Tiranës, deri në fund të muajit dhjetor pritet të mbyllet procesi i dhënies së lejeve. Nga ana tjetër, ALUIZNI po krijon një grafik për dhënien e lejeve. Çdo qytetari do t’i caktohet dita kur ai duhet të paraqitet për të marrë lejen dhe për të bërë pagesën. Grafiku do të publikohet edhe pranë njësive të qeverisjes vendore. Dosja e çdo qytetari me ndërtim pa leje do të përgatitet e plotë pa praninë e tyre dhe ata do të paraqiten vetëm për pagesën. Më pas dosja shkon në hipotekë, ku bëhet edhe dokumentacioni përfundimtar.
Procedura
Sipas ndryshimeve ligjore, ata që kanë ndërtime pa leje dhe që lejohen nga ligji për të paguar tarifat sipas ligjit me bono privatizimi, duhet të bëjnë një kërkesë në Agjencinë e Legalizimeve. Kjo kërkesë duhet bërë jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Referuar ligjit që hyri në fuqi në datën 24 nëntor, jo të gjithë që kanë një ndërtim pa leje mund të paguajë me letra me vlerë. Të drejtën e përdorimit të letrave me vlerë, pas rikthimit të tyre në treg nga qeveria, do ta kenë vetëm ish-pronarët. Kjo bëhet për të pasur mundësi të parablejnë me letra me vlerë objektet e ngritura në pronat e tyre, të cilat janë në proces privatizimi. Mësohet se ekspertët e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave kanë bërë modelimin dhe ekuivalentimin e tyre. Në këtë kontekst, krijohet një lehtësi e madhe për pronarin për të parablerë objektin e nxjerrë në privatizim. Letrat me vlerë do të përdoren për të blerë objekte në proporcion me vlerën e saj.
Përfituesit
Kështu, për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha, çmimi ndryshon në bazë të metrave katrorë. Me bono thesari paguajnë ata që kanë mbi 500 metra katrorë parcelë ndërtimore. Këta individë e paguajnë me vlerë tregu ndërtimin, kështu që sipas ndryshimeve ligjore, ata kanë mundësi të paguajnë me letra me vlerë deri në 50 për qind të vlerës së ndërtimit. Për parcelat ndërtimore të ndërtimeve informale brenda vijave të paguajnë me letra me vlerë ata që kanë mbi 300 metra katrorë dhe do të mund të paguajnë vetëm 50 për qind të vlerës së ndërtimit me bono privatizimi. Për sa u përket shtesave pa leje, çdo ndërtim mbi 100 metra katrorë do të paguajë me letra me vlerë deri në 50 për qind të vlerës së ndërtimit. Nga ana tjetër, bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera, gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë. Kjo do të thotë që çdokush që ka bono, mund t’i kalojë ato në këtë proces, duke i kthyer vlerën atyre në masën 100 për qind. Aktualisht, rreth 70 për qind e qytetarëve që kanë marrë lejen e legalizimit e kanë paguar detyrimin financiar, por në rast se ata disponojnë bono privatizimi, qeveria do t’u kthejë lekët. Kjo do të thotë që ata që e kanë paguar tashmë shtëpinë e tyre me letra me vlerë, mund të tërheqin paratë e dhëna për ALUIZNI-n për t’i shkëmbyer me letra me vlerë. “Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit, personat duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t, brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, - thuhet në ligj.