E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS-LSI zgjedhjet i mbysin ne borxhe

26/11/2009  Zgjedhjet e 28 qershort, PD ka përfitur 157 milionë lekë

PD, ngelen pa paguar posterat e fushatës

Më shumë se 28 milionë i ka marrë kompania irlandeze e konsulencës

Albana Lika

Partia Demokratike, si forcë që përfundoi mandatin e parë të qeverisjes në mesin e këtij viti, ka përfituar donacione rreth 73 milionë lekë më shumë se Partia Socialiste, e cila hyri në zgjedhje për marrë pushtetin. Ndërsa forca më e madhe e mazhorancës, edhe sot në pushtet, në total për zgjedhjet e 28 qershorit mblodhi donacione në masën 79 855 180 lekë. Sipas një llogarie matematikore, ajo ka përfituar 73 000 044 lekë më shumë në formë sponsorizimi se partia e saj kundërshtare. Nga këto 32 101 700 lekë kanë qenë dhurime mbi 100 mijë deri në 1 milionë lekë, 46 782 480 lekë nën 100 mijë dhe në natyrë 971 000 lekë. Sponsorizimet në selinë qendrore të Partisë Demokratike janë bërë nga 50 persona fizikë, të cilët kanë bërë dhurime mbi 100 000 lekë. Ndërkohë dhurime për fushatën zgjedhore të organizuar nga degët e PD-së në rrethe i kanë bërë për zonat e tyre deputetë të zonës, deputetë të Partisë Demokratike, siç janë Paulin Sterkaj 150 000 lekë, Gjokë Uldedaj 150 000 lekë, Kreshnik Çipi 1000 000 lekë dhe Ardian Kollozi 1000 000 lekë. Por ashtu si selia rozë, edhe PD-ja ka dalë me borxhe nga kjo fushatë me 8 258 500 lekë. Kjo forcë politike shpenzoi nga buxheti i shteti 16 573 342 lekë, burimet e veta 50 255 554 lekë, të ardhura nga kuotat 3 533 700 lekë, interesa bankare 1 661 lekë, plus sponsorizimet, duke e çuar në 150 219 437 lekë të ardhurat në total. Totali i shpenzimeve të Partisë Demokratike, sipas raportit, rezulton të jetë 157 054 067 lekë. Referuar raportit, pjesën më të madhe të shpenzimeve të papaguar e zënë ato për posterat - 5 510 000 lekë. Por PD-ja nuk ka paguar as lekët për tullumbacet që ka përdorur gjatë fushatës, detyrimin për përdorimin e ambienteve të hotelin “Tirana” dhe “Sheraton”, qiranë e zyrave elektorale si dhe tatimin mbi të ardhurat. Për sa u takon shpenzimeve, masën më të madhe, prej 44 882 548, PD-ja e ka paguar për konsulencë të kompanisë irlandeze, e ndjekur nga harxhet për hapësirën publicitare në vlerën e 28 595 160 lekë. Të njëjtën vlerë, rreth 5.5 milionë lekë, ky subjekt i ka shpenzuar për përdorimin e automjeteve italiane dhe flamuj.

Trasparenca

LSI vetëm 1 milionë lekë nga donacionet

Donacione në vlerë monetare dhe në sende dhe shërbime sipas vlerës së tregut janë dy mënyrat e përfitimit të donacioneve nga Lëvizja Socialiste për Integrim për fushatën zgjedhore të 2009-s. Në total ajo përfitoi nga donacionet 1 milion lekë dhe së bashku me fondin publik 4.5 milionë lekë dhe përfitimet nga reklamat televizive, kjo parti ka pasur në dispozicion shumë prej 11 400 733 lekë. donacionet e personave fizikë janë disa mbi vlerën 100 mijë lekë dhe disa të tjerë nën 100 mijë lekë. Kështu, Selim Xhafa ka dhuruar 400 000 lekë, Dritan Toga 300 000 lekë, Esmeralda Llane 387 000 lekë dhe 50 mijë lekë janë dhurimet nën 100 000 lekë. Ndërkohë që sipas tabelës së shpenzimeve të paraqitura zë më zë LSI-ja ka shpenzuar rreth 22 890 000 lekë. Kjo parti kishte të papaguar rreth 9 milionë lekë, por nga koha e blerjes së shërbimeve deri më sot i ka likuiduar shumicën e borxheve dhe i kanë mbetur ende edhe rreth 580 mijë lekë për të shlyer. Në fondin e shpenzimeve masën më të madhe të përdorimit e zënë spotet publicitare në televizione, rreth 51 për qind të shpenzimeve, e ndjekur nga konsulenca për fushatën nga dy kompani amerikane, për të cilat LSI-ja ka shpenzuar rreth 6 milionë lekë. Ndërsa për posterat janë përdorur mbi 1.5 milion lekë, pak më pak se kaq janë përdorur për shpenzime kancelari, 540 mijë për marrjen e sallave me qira, ndërsa pjesa tjetër për karburant apo pagat e punonjësve dhe sigurimet e tyre shoqërore.

Pezullohet ligji i qeverisë

Kushtetuesja: Zyrtarët me makina

Kryetarët e gjykatave të të gjitha niveleve në vend si dhe gjyqtarët do të kenë të drejtë të lëvizin me automjete shtetërore deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit ka pezulluar dje veprimin e ligjit të qeverisë, e cila përjashton zyrtarët e lartë nga përdorimi i automjeteve shtetërore. Në një seancë të posaçme Kushtetuesja vendosi që kategoria e gjyqtarëve dhe krerëve të të gjitha niveleve të gjyqësorit të përjashtohet nga ky kufizim deri në një vendim përfundimtar. Unioni i Gjyqtarëve kishte ankimuar disa dispozita të ligjit në fjalë si antikushtetuese. Vendimi për përjashtimin e zyrtarëve nga e drejta e përdorimit të automjeteve zyrtare u mor në fillim të tetorit nga qeveria dhe u miratua më pas në Kuvend. Nga e drejta e përdorimit të makinave përfshihen deputetët si dhe nivelet e dyta dhe të treta të qeverisjes, të Presidencës, të institucioneve kushtetuese dhe të tjera. Njëherazi ligji parashikon dhe kufizim lëvizjeje për Presidentin, kryeparlamentaren, kryeministrin dhe kryetarin e opozitës, që duan të lëvizin në fundjavë me makinën e shtetit, pa paguar 50 mijë lekë në vit.

Partitë politike dorëzojnë formularët e donacioneve dhe shpenzimeve në KQZ

PS 8 milionë lekë borxhe nga fushata elektorale

2. 5 milionë lekë janë debitet që i ka kompanisë “Albtelekom”

Albana Lika

Fushata elektorale e 28 qershorit e ka futur Partinë Socialiste në borxhe. Ajo ka 8 139 430 lekë të papaguara, të cilat i ka shpenzuar jashtë limit të saj të të ardhurave. Sipas raporteve të auditimit të shpenzimeve financiare, selia rozë është sponsorizuar në fushatën e saj elektorale nga 17 subjekte fizike dhe juridike, sponsorizime që kapin vlerën e 6 855 136 lekë. Ato kanë qenë 11 967 euro, 5 000 dollarë, 3 179 000 lekë dhe pjesa tjetër në litra benzine dhe shpenzime për 20 mijë posterat. Sponsorizimi në të mira materiale kap shifrën e 1 677 000 lekë, 512 000 materiale publicitare dhe 1 165 000 karburant. Sipas tabelës së pasqyruar të ardhurat gjithsej të partisë më të madhe të opozitës kapin shifrën 93 607 440 lekë. Nga këto përveç shifrës së sponsorizimeve nga fondet e veta PS-ja ka shpenzuar 73 059 100 lekë dhe nga buxheti i shtetit 13 639 204. Shpenzime në total, që kapin shifrën 101 746 870 lekë, i tejkalojnë të ardhurat e siguruara në fushatën në masën 8 139 430 lekë. Këto shpenzime përfaqësojnë faturat e papagura ndaj disa furnitorëve: “Marketing & Distribution” - 577 200 lekë; “Metro” sh.a - 2 405 125 lekë; “Advertising” sh.a - 500 000 lekë; “Platea” sh.a Tiranë - 2 111 851 lekë; “Albtelecom” sh.a - 2 545 254 lekë. Këto PS-ja pritet ti paguajë pas arkëtimit të këstit të dytë të financimit buxhetor. Për sa u takon shpenzimeve, ato për reklamat zënë vendin kryesor. Në total ato janë 67 056 589 lekë, ose 63.1 % e fondit të fushatës elektorale. Nga këto 65 242 261 lekë janë për reklama televizive dhe pjesa tjetër për reklama në radio. Ndërsa shpenzimet për hapësira dhe materiale publicitare kapin shumën 11 874751 lekë. Sakaq shpenzimet për karburant janë në masën 1 165 000 lekë dhe janë mbuluar tërësisht nga donatorët. Gjithsej janë përfituar në natyrë 6500 litra naftë dhe 3000 litra benzinë, të cilat janë marrë drejtpërdrejt nga shoferët në pikat e karburantit. Sasia e karburantit të përfituar vërtetohet me deklaratat e dhuruesve, kurse vlerësimi është bërë me çmimet e tregut nga Departamenti i Financës i PS-së. Shpenzimi i karburantit deklarohet i barabartë me shumën e përfituar e nënshkruar nga donatorët. Shpenzimet telefonike 2 545 254 lekë përfaqësojnë shumën e faturuar nga “Albtelekom” për numrat e telefonit në përdorim nga Partia Socialiste për impulset e harxhuar gjatë fushatës, që përkon me muajin qershor 2009, të cilat nuk janë likuiduar. Por në shumën e këtij shpenzimi nuk janë përfshirë kamatëvonesat që rrezikon të paguajë kjo parti për pagesë të vonuar. Shpenzimet për konsulencë 7 960 900 lekë janë bërë për të paguar firmën konsulente amerikane Arthur J. Finkelsteing Associates Inc. S.A. për 83 000 USD dhe 134 dollarë komisione bankare.

Shpenzimet për muzikë paraqiten 660.000 lekë dhe ato për kancelari deklarohen 1.723.598 lekë.

Vendimi i KQZ-së për raportet

KQZ shtyn vendimin për gjobitjen e partive

Komisioni Qendrori Zgjedhjeve shtyu për një tjetër ditë marrjen e vendimit ndaj subjekteve që sipas relacionit të administratës së këtij institucioni nuk kishin respektuar detyrimet ligjor gjatë pasqyrimit të shpenzimeve për fushatën elektorale. Gjatë mbledhjes së djeshme ankesa e parë u prezantua nga përfaqësuesi i Aleancës Demokratike në KQZ, Genci Anastasi. Ai e quajti të padrejtë gjobën prej 50 mijë lekë që administrata kishte propozuar për subjektin politik që ai përfaqëson për mosçeljen e një numri llogarie bankare për donacionet. “Nuk e kuptoj pse duhet të hapë AD-ja një numër llogarie bankare kur ky subjekt nuk ka pas donacione gjatë fushatës. Propozoj që të hiqet gjoba ndaj AD-së”, - tha Anastasi. Në pretendimin tij ai u mbështet edhe nga anëtarët e KQZ-së Pandeli Varfi dhe Dëshira Subashi. “Unë mbeshtes përfaqësuesin e partisë politike. Përderisa nuk ka veprim, nuk mund të themi se ka mungesë transparence, prandaj kjo parti nuk duhet gjobitur. Për sa u takon partive që nuk kanë plotësuar detyrimin tatimor, mendoj se për këtë pjesë duhen parë me kujdes raportet e ekspertëve kontabël”, - tha anëtari i KQZ-së Varfi. Duke ndjekur të njëjtën linjë arsyetimi, nënkryetarja e komisionit Dëshira Subashi propozoi ndarjen e aktit në dy pjesë. “Unë mendoj që fillimisht të publikojmë raportet e shpenzimeve për secilën parti, duke mbyllur në këtë mënyrë edhe verifikimin e tyre. Në pjesën e dytë, në një kohë tjetër të merremi dhe diskutojmë për subjektet që kanë probleme me ligjin. Minimalisht 24 orë më parë duhej të ishin njoftuar palët”, - tha Subashi, propozim që mori mbështetjen e anëtarëve të tjerë të KQZ-së.

PR

Partia Republikane ka përfituar nga buxheti i shtetit 10 695 140 lekë, nga donacionet dhe dhuratat 500 000 lekë si dhe burime të tjera, të cilat e çojnë në 13 147 971 lekë shumën që kjo forcë politike ka shpenzuar për fushatë. Kjo parti është financuar nga 5 persona fizikë me nga 100 000 lekë secili. Ata janë Gjergji Miculi, Dashnor Bajaziti, Astrit Veliaj, Myrvete Pazaj dhe Luan Duzha.

PBDNJ

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka shpenzuar për fushatën elektorale gjithsej vlerën prej 7.708.921 lekë, ku përballimi i këtyre shpenzimeve të bërë nga fondi i dhënë për fushatën elektorale në vlerën 2 145 537 dhe 5 563 348 lekë përballuar nga fondet që kjo parti merr nga financimet vjetore nga buxheti i shtetit. Kjo forcë politike e ka zero shumën e fondeve të përfituara nga dhurimet.

PSD

Partisë Socialdemokrate i janë dhënë fonde për fushatën në vlerën 6 821 852 lekë, ndërsa janë shpenzuar 6 841 000 lekë. Diferenca prej 19148 lekë është përballuar nga fondet e vetë të partisë. Sipas eksperti kontabël, personat që kanë dhënë fonde janë vendas; shuma e derdhur nuk është më e madhe se 100 000 lekë dhe se dhurimi i fondeve jopublike është bërë në llogari të posaçme.

“G-99”

Partia “G-99” ka shpenzuar gjithsej 5 352 801 lekë, të cilat janë përfituar nga donacionet. Kjo parti ka çelur llogari të veçantë për financuesit jopublikë, nga 17 që janë gjithsej vetëm 3 prej tyre kanë derdhur drejtpërsëdrejti në llogarinë e posaçme të subjektit. Konkretisht janë dhuruar nga 14 subjekte fizike 4 450 000 lekë, janë dhuruar nga 2 subjekte fizike 3500 euro dhe janë dhuruar nga 1 subjekt fizik 2000 dollarë.

PDS

Partia Demokracia Sociale ka shpenzuar për fushatën e 28 qershorit në total 10 484 814 lekë. Nga këto 2 192 632 lekë janë financim nga buxheti i shtetit dhe 8 292 184 lekë janë burimet e vetë partisë. Partia e kryesuar nga Paskal Milo nuk ka marrë asnjë lekë nga donacionet. Në zëra të veçantë shpenzimet telefonike kapin shifrën e 764 865 lekë, ato për reklama 2 233 012 lekë dhe kancelaria 25 065 lekë.

PDI

Partia për Drejtësi dhe Integrim nuk ka përfituar fonde nga buxheti i shtetit për këtë fushatë zgjedhore, por ajo ka shpenzuar për të 2 518 645 lekë. Partia i ka pasur burimet e financimit të saj nga kontributet e anëtarësisë në formën e kuotizacioneve, dhuratat e anëtarëve dhe kontributet e kandidatëve për deputetë sipas zonave të tyre elektorale. Shuma e të ardhurave për këtë parti shënon 2 755 750 lekë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›