Testi i integrimit, Berisha fton KE-në në mbledhjen e qeverisë
Një mënyrë krejtësisht e veçantë e zhvillimit të mbledhjes së Komitetit Ndërministror, ku kryeministri Sali Berisha dje preferoi të ftonte Drejtorin e Përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, dhe ambasadorin e KE-së në Tiranë, z .Helmuth Lohan. Kjo mbledhje kishte në fokus të saj hapat që do të ndjekë Shqipëria për pyetësorin prej mijëra pyetjesh mbi të cilin BE do të vendosë për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen evropiane. Praninë e dy diplomatëve të KE-së Kryeministri Sali Berisha e nënvizoi të rëndësishme në këtë fazë të zhvillimit të marrëdhënieve me Brukselin zyrtar, ndërsa u premtoi se qeveria do t’i përgjigjet me vërtetësi pyetësorit të KE-së. “Shqyrtimi i kërkesës, - tha Berisha, - është vetëm fillimi i procesit për integrim, hapi i parë është përgjigjja ndaj pyetësorit si verifikim i statusit të funksionimit të demokracisë dhe zbatimit të reformave”. Ndërsa diskutimi i pyetësorit për zyrtarin e lartë evropian, z. Mirel, përbën një fazë të rëndësishme që tregon në një anë se është shënuar arritje dhe po aq në fillimin e një procesi të verifikimit në terren të arritjeve. “Detyra dhe objektivi ynë është që përgatisim një opinion të balancuar dhe objektiv. Si elemente të gjykimit tonë për Shqipërinë do të veçoja në radhë të parë zbatimin e marrëveshjes dypalëshe. Ne kemi vënë re se deri tani ka një zbatim të kënaqshëm të saj. Si element i dytë dhe më i rëndësishëm, janë kriteret politike dhe ekonomike si përcaktuese në vendimin për një vend aplikant”, - u shpreh z. Mirel. Në fjalën e tij, Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel, vuri në dukje se detyra e Komisionit Evropian është krijimi i një opinioni të balancuar dhe të besueshëm dhe se në të gjithë këtë lloj ushtrimi do të kenë si udhërrëfyes parime të thjeshta për të qenë sa më objektivë e transparentë që të jetë e mundur, sepse synimi i vetëm është anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Më tej, z. Mirel theksoi gjithashtu se zbatimi i marrëveshjes dypalëshe deri më tani ka qenë i kënaqshëm, por do të shikohen edhe çështje të tjera, të cilat kanë të bëjnë me administratën doganore, me TVSH-në, me kriteret politike, kriteret ekonomike, me çështjen e pronësisë, si dhe me një pjesë tjetër të standardeve evropiane, siç janë edhe ambienti, bujqësia, tregu i brendshëm etj. Z. Mirel e vlerësoi si shumë të rëndësishëm në këtë proces bashkëpunimin, angazhimin dhe përkushtimin e të gjitha institucioneve shqiptare. Kryeministri Berisha dha garanci të plotë për përgjigje në kohë dhe serioze të palës shqiptare, të cilat të tregojnë, siç tha ai, funksionimin e plotë të demokracisë në vend. Si dëshmi të kësaj, Kryeministri solli në vëmendje edhe një herë provën e kaluar me zgjedhjet parlamentare, të certifikuara edhe nga institucionet ndërkombëtare. Gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Integrimit, ministrja Bregu bëri një paraqitje në detaje të angazhimit të qeverisë për t’iu përgjigjur pyetësorit. Bregu tha se parapërgatitja është përcaktuese në efiçencën e këtij procesi. Lidhur me përgatitjen e institucioneve dhe gjithë administratës shqiptare për këtë proces ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, pasi bëri një prezantim të punës përgatitore të bërë deri më tani për pyetësorin, si dhe garantoi se për sa i përket pjesës organizative Shqipëria do të jetë e gatshme të fillojë punën për t’iu përgjigjur menjëherë pyetjeve, sapo pyetësori të ketë përfunduar, u shpreh se qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha mundësitë që t’u përgjigjet pyetjeve në mënyrë reale, brenda një kohe sa më të shkurtër, sigurisht pa lënë mënjanë cilësinë në këtë proces. Kjo parapërgatitje e paraqitur nga ministrja e Integrimit u përshëndet më pas nga ambasadori i KE-së në Tiranë, z. Helmuth Lohan, i cili theksoi se e gjithë kjo ndihmë që qeveria shqiptare po jep në lidhje me kapacitetet është një parakusht i këtij ushtrimi, pasi kjo garanton dhënien e përgjigjeve të sakta e të mira. Me tej, z. Lohan vuri në dukje edhe një herë rëndësinë e kontrollit të cilësisë që duhet bërë me të gjithë funksionarët dhe udhëheqësit e këtij ushtrimi. Në fund të mbledhjes, duke i falënderuar edhe një herë të pranishmit për praninë e tyre, Kryeministri Berisha theksoi se qëllimi kryesor i qeverisë shqiptare do të jetë vërtetësia në të gjitha përgjigjet, për të kaluar me sukses provën e parë të madhe të autoriteteve shtetërore shqiptare në qëndrimin ndaj procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.