E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, anulim shitjes mafioze të tokës në qendër të Tiranës



Shitja e tokës në qendër të Tiranës, e kryer në kundërshtim me ligjin dhe për interesa klanore, do të anulohet. Kryeministri Sali Berisha njoftoi në mbledhjen e djeshme të qeverisë anulimin javën që vjen të kontratës së shitjes së truallit në zonën e parkut ‘”Rinia” për llogari të “Taivan sh.p.k”. Z. Berisha urdhëroi ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi, që të sjellë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave vendimin për anulimin e kontratës, ndërsa lajmëroi se kjo çështje do të kallëzohet penalisht në prokurori. Para anëtarëve të kabinetit, Kryeministri Berisha citoi ligjin që përcakton se shitja e trojeve shtetërore bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, për arsye madhore ose për ndërtimin e një kategorie të caktuar banesash. “Kryebashkiaku dhe Besniku i tij, me tokën që kanë përvetësuar në qendër të Tiranës, kanë shkelur rëndë ligjet e vendit. Dosja do t’i dërgohet me urgjence prokurorisë. Qeveria, në zbatim të Kushtetutës, do të anulojë vendimin e shitjes. Pronari përvetësues do të përballet me ligjin, bashkë me atë që ka autorizuar dhënien e tokës”, - u shpreh z. Berisha. Sipas kreut të qeverisë, shkelja në këtë kontratë shitjeje ka të bëjë me faktin se tokat në pronësi publike mund të shiten për qëllime shumë të larta dhe strategjike biznesi ose për ndërtimin e banesave sociale. Berisha sqaroi se dhunimi flagrant dhe mafioz i ligjit për shitblerjen e trojeve në Republikën e Shqipërisë konsiston në përvetësimin, në kundërshtim me ligjin e vendit të 1350 metrave tokë publike nga kryebashkiaku i Tiranës dhe Besniku i tij, në zemër të qytetit. Berisha bëri të qartë se pasi nuk kanë ngurruar për ta përvetësuar atë me çmimet më qesharake, një truall, që në vendin ku ndodhet, e ka çmimin mbi 2 mijë euro për metër katror, është blerë për 95 euro. Sipas Kryeministrit Berisha, për shkak të këtyre interesave që ai i llogarit në qindra milionë euro, Edi Rama nuk njeh zgjedhjet. “Kjo është një dëshmi e vogël, por tepër domethënëse se përse aleanca punisto-mafioze nuk do të respektohen dhe të njihen vendimet e gjykatave dhe na kërkon të shkelmojmë mbi to, madje na kërcënon. Por ne do te mbetemi njerëz të ligjit”, - theksoi z. Berisha. Kryeministri paralajmëroi se këto ditë do të publikohen edhe raste të tjera të ngjashme. Sipas tij, kjo është vetëm maja e ajsbergut. Berisha vuri në dukje se shumë shpejt do t’u faktojë shqiptarëve, njësoj si me këtë rast, se mbrapa qëndrimit të shkelmojë mbi vendimin e gjykatave, qëndrojnë interesat mafioze. Në mënyrë të qartë, Berisha pohoi se publikut do t’i bëhet transparencë e plotë. “Klanet mafioze të konvertuara në qindra e qindra, në mos në shumë qindra milionë euro, se po bëhen llogaritjet, fillojnë me qendrën e Tiranës dhe shtrihen në të gjithë gjatësinë e bregut, nga Velipoja në Ksamil”, - theksoi z. Berisha.

“Taivani”, ku është shkelur ligji

Me vendim të Këshillit të Ministrave, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave është përgjegjës për zbatimin e ligjeve të dërguara prej tij në Parlament. Ligji për shitblerjen e trojeve numër 7980, datë 27.7.1995, neni 3 i tij thotë se derisa të përfundojë kompensimi fizik i ish-pronarëve, kalimi i trojeve të lira nga pronë shtetërore në pronë private bëhet vetëm në rastet si vijojnë:

a) Për ndërtimin e banesave me qëllim të lirimit të banesave të ish-pronarëve, si dhe për të pastrehët të ndërtuara nga Enti i Banesave për persona të tjerë.

b) Me vendim të Këshillit të Ministrave për shitje për investime shumë të rëndësishme për vendim.

Janë vetëm këto dy rrethana që ligji i këtij vendi autorizon apo mundëson shitjen e trojeve publike. Në rastin konkret, kryebashkiaku dhe Besniku i tij me tokën që kanë përvetësuar në qendër të Tiranës kanë shkelur rëndë ligjet e vendit. Besniku i Ramës e mori për të ndërtuar banesa për ish-pronarët me Ramën? E ka bërë lokal tërësisht të përbashkët me kryebashkiakun.

Së dyti, po kaq e shëmtuar është shitja e tij, pasi nuk kanë ngurruar për ta përvetësuar atë me çmimet më qesharake. Një truall, që në vendin ku ndodhet, e ka çmimin mbi 2 mijë euro për metër katror, është blerë për 95 euro. Dosja do t’i dërgohet me urgjencë prokurorisë. Qeveria, në zbatim të Kushtetutës, do të anulojë vendimin e shitjes. Pronari përvetësues do të përballet me ligjin, bashkë me atë që ka autorizuar dhënien e tokës.

Afera korruptive, reagon bashkia

Pas akuzave të qeverisë për dhënien e lejes së ndërtimit nga Bashkia e Tiranës në një tokë shtetërore, reagoi administratori i përgjithshëm në bashki, Dritan Agolli. Përmes disa dokumenteve, ai pretendon se vendimi për legalizimin e kësaj ndërtese është marrë nga Këshilli Bashkiak me 71% të votave. “Shoqërisë “Taivani sh.p.k” i është shitur një sipërfaqe toke për efekt legalizimi. Gënjejnë kur thonë se ligji nuk lejonte shitjen e tokës dhe bashkia e ka bërë atë në shkelje të ligjit në rastet e trojeve publike, për efekt legalizimi toka shitet nga Këshilli i Bashkisë apo kKomunës”, - u shpreh Agolli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›