Ministri Nishani, takim me Pierre Mirel dhe ambasadorin Lohan
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, kreu dje një takim me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel, dhe ambasadorin e Delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan.
Ministri i Drejtësisë gjatë fjalës së tij bëri një panoramë të punës dhe objektivave të realizuar nga institucioni që ai drejton si dhe vlerësoi mbështetjen që Bashkimi Evropian i ka dhënë vendit, si në asistencën ligjore, ashtu edhe në investimet e realizuara për ngritjen e infrastrukturës moderne në sistemin e gjykatave dhe në sistemin e institucioneve të vuajtjes së dënimit.
“Rruga jonë për integrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian nuk është e lehtë, por ne do marrim përgjegjësitë tona. Objektivat që kemi vënë përpara janë ambicioze dhe ne do t’i realizojmë edhe në sajë të partnershipit tonë me Komisionin Evropian”, - deklaroi ministri Nishani.
Më tej ai u shpreh për punën që po bën Ministria e Drejtësisë pas daljes së progres-raportit të Komisionit Evropian për vitin 2009.
“Kemi filluar punën për ristrukturimin e grupit të punës me qëllim draftimin e Strategjisë për Reformën në Drejtësi, e cila mendohet të kalojë në një proces të gjerë konsultimi për identifikimin e nevojave dhe prioriteteve. Në këtë proces do të marrin pjesë me qëllim ofrimin e asistencës edhe misionet e huaja që ndihmojnë Ministrinë e Drejtësisë, si EURALIUS”.
Më tej ai informoi se gjatë këtij viti deri në këto momente janë miratuar rreth 8 ligje. Në këtë kuadër ligjor të ri ministri veçoi legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, shërbimin përmbarimor privat dhe për shërbimin e provës. Ndër nismat më të rëndësishme të vitit 2009 duhen përmendur projektligji “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurive”, si dhe projektligji “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”.
Në fjalën e tij ministri tha se përmirësimi i infrastrukturës në sistemin gjyqësor do të vazhdojë të mbetet një prioritet. Deri tani Ministria e Drejtësisë ka marrë në dorëzim godinën e re të Gjykatës së Krimeve të Rënda, si dhe një sërë godinash të rikonstruktuara: Gjykatën e Rrethit të Sarandës dhe të Dibrës, si dhe ka vendosur në godina të veçanta dhomat civile dhe penale të Gjykatës së Rrethit Tiranë.
Ndërkohë që është duke punuar për hartimin e projektligjit të ri për organizimin dhe funksionimin e Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, i cili ndërmjet të tjerave do të identifikojë formulat e përshtatshme për marrjen dhe shfrytëzimin e fondeve të nevojshme si për infrastrukturën e gjykatave ashtu edhe për kapacitet administrative të tyre.
Ministri e informoi Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel, për masat konkrete, të ndërmarrja në sistemin penitenciar, për uljen e mbipopullimit, përmes orientimit drejt politikave që kufizojnë dhe ulin numrin e personave që dërgohen në burg dhe për mbajtjen e popullsisë në burgje në nivel të menaxhueshëm.
Ministri vlerësoi në këtë drejtimin mbështetjen financiare që Bashkimi Evropian i ka dhënë këtij sistemi nëpërmjet investimeve në ngritjen e Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Hapja e burgjeve të reja ka lehtësuar ndjeshëm mbipopullimin si dhe ka përmirësuar nivelin e respektimit të të drejtave të personave të burgosur.
Por, ministria ndërkohë po rrit investimet e saj në këtë sektor. Kështu në buxhetin e vitit 2010 është planifikuar një shifër prej 4.447 milionë lekë për sistemin penitenciar (për të cilat 450 milionë lekë përbëjnë investimet e huaja dhe 3.997 milionë lekë nga buxheti i shtetit). Kjo shumë konsiderohet shifër e lartë dhe e rritur, sidomos investimi nga buxheti i shtetit, në krahasim me vitin 2009, ku ka qenë e llogaritur shifra prej 4.144 milionë lekë nga të cilat 560 milionë investime të huaja dhe 3.584 milionë nga buxheti i shtetit.
Më tej ministri bëri të ditur edhe hapat që janë ndërmarrë për realizimin e reformës së të drejtave të pronës. Kjo reformë është materializuar në dokumentin e Strategjisë Ndërsektoriale “Reforma në fushën e të drejtave të pronësisë”, e cila synon rregullimin e tregut të tokës, si një ndër faktorët bazë të nxitjes së investimeve dhe zhvillimit ekonomik.
Gjatë vitit 2009 janë ndërmarrë një sërë iniciativash ligjore kryesisht për përmirësimi i procesit të konsolidimit të të drejtave të pronësisë, si dhe realizimi i kompensimit të ish-pronarëve. Për sa i përket kompensimit, në përputhje edhe me detyrat e lëna nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është duke u identifikuar mënyra të përshtatshme të kompensimit fizik apo financiar të subjekteve të shpronësuara. Qeveria ka rritur fondin e kompensimit financiar në buxhetin me 10 milionë euro për vitin 2010.
Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel, në fjalën e tij e uroi ministrin për miratimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit si vend anëtar dhe deklaroi se marrëdhënia e Shqipërisë me BE-në ka hyrë në një fazë krejtësisht të re.
Shqipëria ka hyrë në një proces, qëllimi i të cilit është anëtarësimi në BE, ndaj edhe reforma në drejtësi është një kriter shumë i rëndësishëm në këtë proces. Ai vlerësoi hapat e ndërmarra deri tani nga Ministria e Drejtësisë në miratimin e ligjeve si dhe vlerësoi si shumë të rëndësishme hapat e mëtejshëm që do të hidhen në strategjinë e reformës në drejtësisë si dhe shprehu shpresën që opozita të kthehet në parlament për të debatuar dhe miratuar ligje shumë të rëndësishme për vendin.
Në fjalën e tij, z. Pierre Mirel vlerësoi edhe hapat që po ndërmerren për realizmin e reformës së të drejtave të pronës, duke e konsideruar këtë shumë të rëndësishme për thithjen e investimeve të huaja në vend, madje po aq të rëndësishme sa edhe implementimin e Gjykatës Administrative.
Në fund të fjalës së tij ai shprehu besimin se investimet e Bashkimit Evropian në sektorin e drejtësisë do të vazhdojnë të jenë prezente. Ai vlerësoi faktin se Ministria e Drejtësisë do të rrisë investimet nga buxheti i brendshëm për përmirësimin e sektorëve të institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe atyre të gjykimit.