E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, mbyllet procesi për zonat e mëdha

Është firmosur dje legalizimi për 32 zona informale. Gjatë mbledhjes së KRRTRSH-së, u miratua legalizimi i 11.364 objekteve informale.

Fabiola Çela

Nga ky vendim i KRRTRSH-së do të përfitojnë 6 qarqe të vendit. Gjatë miratimit të këtyre zonave, kreu i qeverisë, Sali Berisha, u shpreh se tashmë është mbyllur miratimi i zonave informale mbi 5 hektarë. Zonat e tjera janë nën 5 ha dhe miratimi i tyre kryhet nga KRRT-të e qyteteve përkatëse.
Zonat
Në mbledhjen e djeshme KRRTRSH-ja ka dhënë "ok" për miratimin e një zone informale në Tiranë, shtatë zonave në Vlorë, dy në Durrës, 3 në Lezhë dhe 8 në Korçë. Numrin më të madh të zonave informale e ka qyteti i Shkodrës, me 11. Nga formalizimi i këtyre objekteve përfitojnë gati 6307 familje. Sipas kreut të qeverisë, për të gjithë këto zona duhet të konkludohet me shpejtësi për pajisjen me tituj dhe me tapi të të gjithë pronarëve të rinj të tyre. "Është shumë e rëndësishme që ky proces të fillojë sa më shpejt dhe të çlirohet ky kapital i ngrirë në një periudhë shumë të rëndësishme për vendin dhe ekonominë e tij, sepse janë rreth 6 miliardë euro llogaritur sipas kostos që çlirohen dhe kjo do të jetë e rëndësishme, si për zhvillimin e tregut, ashtu dhe për sektorin e ndërtimit", tha Kryeministri Berisha. Ndërsa kreu i Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia, tha se deri më tani  janë përpunuar 120 mijë pasuri me mbi 5 hektarë, me një sipërfaqe ndërtimore prej 3000 ha dhe me një kosto që futet në treg prej 6 miliardë eurosh që janë miratuar në KRRTRSH, ndërsa 80 mijë pasuri të tjera janë në proces legalizimi. Sipas tij, gjithsej janë 200 mijë pasuri të identifikuara në terren, ndërsa janë edhe rreth 150 mijë shtesa individuale pallatesh të ndërtuara para dhe pas vitit 1993, të cilat do të përpunohen nga specialistë të ALUIZNI-t.
Pagesat
Qytetarët që do të paguajnë brenda 1 viti vlerën e legalizimit për shtëpinë e tyre, do të kenë 10 për qind ulje në çmim, ndërsa ata që do ta paguajnë menjëherë vlerën, do të kenë një zbritje 20 për qind të çmimit. Ndërsa mënyra e tretë për të shlyer pagesën e një ndërtimi pa leje, është likuidimi me këste ose nëpërmjet sistemit të kredisë. Ndërkohë, kostoja financiare e shërbimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje është 3000 lekë. Sipas ligjit, pronari i ndërtimit pa leje, që në momentin që i legalizohet banesa ka 3 vjet afat për ta paguar atë. Projekti i ALUIZNI-t ka si qëllim që të krijojë lehtësira për të gjithë ata që do të paguajnë brenda një kohe shumë të shkurtër. Ndërsa për ata qytetarë që nuk kanë mundësi financiare për ta paguar menjëherë, do të përdoret sistemi me këste deri në 3 vjet. Gjatë kësaj periudhe prona regjistrohet në hipotekë dhe mbetet në pronësi të shtetit deri në momentin që përfundon pagesa. Qytetarët që të marrin titujt e pronësisë, nuk do të kenë nevojë të prodhojnë dokumente pronësie, si harta, gen-plane, planimetri, sepse dokumentacioni i pronësisë i dhënë nga ALUIZNI është në përputhje me të gjitha kriteret e duhura ligjore. Gjithashtu dokumentacioni i pronësisë është i disponueshëm në dy versione, versionin manual dhe atë elektronik, është dokumentacion i certifikuar dhe i zyrtarizuar me të gjitha të dhënat e pronësisë.

U miratuan në KRRTRSH

    "Detyra e projektimit për Planin e Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Beratit"

    "Detyra e projektimit për Planin e Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Kuçovës"

    "Detyra e projektimit për studimin urbanistik të zonës së qendrës së qytetit të Fierit"

    "Shesh dhe leje ndërtimi për objektin me sipërfaqe 15.238 metër katrorë 'Qendra e mbyllur e pritjes së emigrantëve të parregullt', në fshatin Karrec-Maminas, Durrës, me investitor Ministrinë e Brendshme"

    "Studimi urbanistik pjesor dhe shesh ndërtimi për objektin 'Impianti i bluarjes së Klinkerit' Sallmone-komuna Xhafzotaj, me investitor 'Shqipëria Cement Company'"

    "Studim urbanistik pjesor dhe shesh ndërtimi për objektin me sipërfaqe 22.565 metra katrorë, 'Vend grumbullimi i mbetjeve të rrezikshme në Uzinën e Metalurgjisë së Bakrit, në Rubik'"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›