E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD vendosin me 5 votime kreun e shtetit

Komisioni i Ligjeve miratoi me shumicë votash variantin përfundimtar PS-PD, për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.

BLEDAR HOTI

Kreu i ri i shtetit do të zgjidhet me pesë herë votime, të cilat tashmë nuk do të cilësohen raunde. Kundër variantit konsensual PS-PD për presidentin u shprehën Braho i LSI-së, Peçi i PBDNJ-së, demokratët Pal Dajçi, Dashnor Sula dhe Sali Shehu. Ndërsa në votim, në tërësi votat kundër ishin vetëm të Peçit dhe të Brahos, ndërsa të gjithë deputetët e tjerë si të PD-së dhe të PS-së e miratuan atë. Në mbledhjen e mbrëmshme të komisionit, është hedhur për votim dhe propozimi i mbështetësve të Presidentit Bamir Topi, i paraqitur nga 36 firma. Në këtë propozim, vota pro ishin vetëm të Dajçit, Brahos, Sulajt, Shehut dhe Peçit. Nisma e dytë parashikonte, që Presidenti të zgjidhej nga populli në rast të dështimit të raundeve. Kryekomisioneri Fatos Beja pas votimit të amendamenteve deklaroi se, pavarësisht votimit, të dyja nismat për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit do të shkojnë për votim në Parlament. Një gjë të tillë e konfirmuan për "Panorama", edhe dy anëtarët e komisionit, juristët Spiro Peçi dhe Spartak Braho. Prova e votimit të ndryshimeve kushtetuese në formën e një pakete, pritet të jetë në seancën e së hënës në Kuvend. Këtu pritet të vërtetohet nëse demokratët dhe socialistët do t'i sigurojnë 94 votat për ndryshimin e Kushtetutës.
Presidenti dhe me short
Çudia e neneve të miratuara në mbledhjen e komisionit është se, Kushtetuta parashikon përzgjedhjen e kandidatëve me anë të shortit. Kjo parashikohet në pikën pesë të nenit 87, kur nga votimi i katërt dalin më shumë se tre kandidatë me të njëjtën mënyrë votash. "Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve, që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati, që merr pjesë në votim caktohet me short", thuhet në pikën 4 të nenit 87. Neni në fjalë nuk i shmang zgjedhjet e parakohshme, në rast të mos zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Por, në dy votimet e fundit është parashikuar që Presidenti të zgjidhet me një shumicë të thjeshtë votash, pra me 71 vota. "Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pas sukses, nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij", thuhet në pikën 5 të nenit 87.
Mocioni i besimit
Nëse për zgjedhjen e Presidentit shmangen zgjedhjet e parakohshme, PS-PD kanë përfshirë një procedurë të veçantë për mocionin e besimit ndaj Kryeministrit, ku në rast të rrëzimit të qeverisë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Në rast të rrëzimit të qeverisë në Parlament, vendi brenda 10 ditëve duhet të shkojë në zgjedhje. Më përpara në Kushtetutë ishte e përcaktuar se, nëse mocioni i besimit miratohet nga Kuvendi, Presidenti duhet të niste procedurat për zgjedhjen e një Kryeministri të ri të vendit.

Braho: Dy nismat kanë të njëjtat firma

Deputeti i LSI-së, Spartak Braho e cilësoi të rrëzuar nismën e parë të PD-së, pasi në të dytën rezultojnë të kenë firmosur të njëjtët persona. Kështu në listën e dytë, ku kërkohet një president nga populli, figurojnë emrat e Eris Hoxhës, Luan Skuqit, Ferdinand Xhaferrit, Genc Sharkut, Nikollë Lesit dhe të Petrit Gjonit. Të njëjtët emra figurojnë edhe në listën e parë, ku kërkohet që presidenti të mos zgjidhet nga populli. Përveç këtij paradoksi, deputeti Braho deklaroi se: "Kjo gjë përbën për element të Gjykatës Kushtetuese, pasi firma e parë rrëzohet dhe nuk i plotëson firmat e kërkuara për ndryshimin e Kushtetutës". "Nëse nismës së parë i heqim 6 deputetë në fjalë, i bie që nisma të mbetet me 24 deputetë, pra nuk ka vlerë juridike", theksoi Braho. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi. Një gjë e tillë është kontestuar nga ana e deputetëve të PD-së, të cilët u shprehën se një gjë e tillë, ku deputeti duhet të hedhë vetëm një herë firmën është vetëm me rastin e zgjedhjes së Presidentit të vendit.

Ndryshimet në Kushtetutë

Neni 67
1. Presidenti i Republikës mbledh Kuvendin e porsazgjedhur, jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Kur Kuvendi paraardhës është shpërndarë para mbarimit të mandatit, Presidenti e mbledh Kuvendin e ri, jo më vonë se 10 ditë para shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve.
2. Në rast se Presidenti nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi vetëmblidhet në ditën e dhjetë të afatit të parashikuar në nenin pikën 1 të këtij neni.

Neni 87
1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.
2. Presidenti zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon pesë votime.
Votimi i parë zhvillohet, jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet, jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.
3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur kandidati merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë, zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
4. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short.
Në rast se pas se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.
5. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pas sukses, nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohet brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.
6. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.

Neni 104
1. Kryeministri ka të drejtë t'i paraqesë Kuvendit mocionin besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri brenda 48 orësh nga votimi i mocionit, i kërkon presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit.
2. Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të kërkesës së mosbesimit sipas nenit 105.
3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar tre ditë nga paraqitja e tij.

Neni 105
1. Një e pesta e deputeteve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend, një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një kryeministër të ri.
2. Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një kryeministër të ri.
3. Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e Kryeministrit në detyrë dhe emërimin e kryeministrit të zgjedhur, jo më vonë se 10 ditë nga votimi i mocionit në Kuvend.

Presidenti të zgjidhet nga populli

Në nismën e dytë të firmosur nga 36 deputetë kërkohej që, Presidenti i vendit të zgjidhej direkt nga populli. Formulimi i nenit 87 nuk parashikonte votime në Parlament, por direkt në popull. "Kandidati për President propozohet nga subjektet politike, nga 1/5 e deputetëve, nga grupet parlamentare, si dhe çdo kandidat tjetër, që arrin të mbështetet nga 20 mijë zgjedhës. Zgjedhja e Presidentit bëhet direkt nga populli sipas procedurave të parashikuara në Ligjin Zgjedhor", thuhej në formulimin e paraqitur të nenit 87. Ndërsa ndër firmëtarët të bien në sy edhe emrat e Spartak Brahos të LSI-së dhe të deputetit tjetër majtist, Hamit Kosta. Pro mbështetjes së idesë Presidentit Topi janë edhe deputetët e PD-së, si dhe aleatët e PD-së.

“President nga Kuvendi, qëndrimi i PD”

Vendimi politik i PD-së është për të votuar në Kuvend, zgjedhjen e presidentit nga Parlamenti.

ADI SHKEMBI

Deklarata është bërë dje nga Kryeministri Berisha, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij çek, Topolanek. I pyetur pikërisht për debatin e fundit brenda të djathtës, se cilën prej varianteve do të mbështesë, Berisha ka konfirmuar qëndrimin e kryesisë, por nga ana tjetër i ka lënë hapësira të nevojshme edhe firmëtarëve të zgjedhjes së presidentit nga populli.
Debati
"Unë mendoj se gjithçka është e qartë. Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur dje, të votojë paketën e miratuar nga komisioni i Ligjeve. Ky është vendimi politik i kryesisë së PD-së", ka theksuar Kryeministri Berisha. Ndërkohë për sa i përket zgjedhjes së presidentit në popull, kreu i qeverisë është shprehur i hapur, nëse do të mund të gjenden 94 votat e mjaftueshme për të ndryshuar Kushtetutën. Para mediave, Berisha ka deklaruar se, nuk ka më asnjë ambicie për t'u zgjedhur president, teksa është shprehur i vendosur për të hequr nga Kushtetuta nenin 87, i cili sipas variantit aktual kërkon zgjedhjen e kreut të shtetit me 84 vota. "Lidhur me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, unë kam qenë një avokat i zgjedhjes së Presidentit nga populli, por unë në pamundësi për të realizuar një gjë të tillë, nenin me 3/5 e konsideroj një nënkrizë dhe pranoj variantin tjetër. Ju e dini tashmë, që unë personalisht kam hequr dorë nga ambiciet presidenciale dhe dua të heq një nënkrizë për Kushtetutën e vendit. Grupit parlamentar ka vendosur që të mbështesë vendimin e Kryesisë së Partisë Demokratike. Por, në rast se bëhen 94 vota për ta zgjedhur presidentin nga populli, vota në kuadrin e paketës së ndryshimeve, ky zhvillim është shumë i mirëpritur", është shprehur më tej Kryeministri Berisha. Prej disa ditësh, kampi i djathtë është përfshirë nga debatet, lidhur me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit. Një propozim i papritur i Arenca Trashanit në komisionin e Ligjeve, nxiti nga ana tjetër përkrahësit e Presidentit Topi, të iniciojnë një tjetër propozim për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nga populli. Dy ditë më parë gjatë një debati në kryesi, por edhe në grupin parlamentar Kryeministri Berisha ka lënë të hapur të dyja variantet, duke mos dashur në këtë mënyrë të bllokojë asnjë prej iniciativave. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar përkrahësit e Presidentit Topi kanë bërë të ditur se, do të mbledhin firmat dhe do të çojnë në Kuvend amendimin e Kushtetutës, me premtimin se nëse nuk do të kalojë propozimi i tyre, atëherë ata në bllok do të votojnë pro variantit të paraqitur pak ditë më parë në komisionin e Ligjeve për zgjedhjen e Presidentit në Parlament.

PDK: President nga populli
Partia Demokristiane konfirmoi dje qëndrimin e saj për zgjedhjen e Presidentit nga populli. Duke folur në një prononcim për mediat sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Ndue Shpani, tha se: "PDK dhe grupi i saj parlamentar, ka shprehur tashmë qëndrimin për zgjedhjen e Presidentit nga populli". Sipas tij: "Votat në Parlament do të jenë 100 për qind për këtë variant". Në listën e firmëtarëve janë edhe firmat e Nard Ndokës, Jak Ndokës, Ymer Tolës e Ndue Shpanit.

PDR: Mbështesim variantin e popullit
Një tjetër parti e koalicionit të djathtë, PDR-ja kërkon zgjedhjen e Presidentit në popull. Zëdhënësi i PDR-së, Ermal Bushi, u shpreh se: "PDR ka qenë dhe është për zgjedhjen e kreut të shtetit direkt nga populli, pasi besojmë se kështu evitohen vështirësitë, ngërçet, ndoshta dhe pazaret e panevojshme". Sipas tij: "Në këtë mënyrë legjitimohen më mirë Institucionet e Republikës". "Shpresojmë se në ditët në vijim edhe forcat parlamentare që kanë qenë për versione të tjera, do të rishikojnë qëndrimin e tyre", përfundoi Bushi.

Paloka: Neni 87 shkakton krizë
Anëtari i kryesisë së PD-së, Edi Paloka, konfirmoi dje qëndrimin kundër nenit 87 të Kushtetutës që, sipas tij, shkakton kriza në zgjedhjen e Presidentit. Ai theksoi se PD është dakord që të shmangë nenin 87 të Kushtetutës në zgjedhjen e Presidentit, nen që praktikisht shkakton kriza, pasi është një proces që kërkon 84 vota. "Në grupin e maxhorancës kishte dy ide, njëra për zgjedhjen e Presidentit me 71 vota dhe tjetra, një ide e vjetër e PD-së, për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë, nga populli", tha deputeti Paloka.

Sondazhi i ZMQ për Presidentin
Shumica e qytetarëve mendojnë se, Presidenti i ardhshëm i vendit duhet të zgjidhet nga populli. Në një sondazh të Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve vihet re se, shumica e qytetarëve të pyetur në pesë qytete, kërkojnë të pyeten ata për presidentin, ndërkohë që çështjet e tjera për të cilat kërkohet mendimi i tyre janë reforma në drejtësi dhe sistemi zgjedhor. Thuajse të gjithë sondazhet e fundit kanë nxjerrë pikërisht këtë qëndrim të qytetarëve për t'u pyetur për presidentin që duan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›