Legalizimet me letra me vlerë, spekulim me interesat e bonove pa u miratuar ligji
Ervin KOÇI
Përqindja e letrave me vlerë që pritet të përdoren në procesin e legalizimeve të ndërtimeve informale, apo siç njihen ndryshe bono privatizimi, është rritur ditët e fundit. Nga një vëzhgim i bërë një ditë më parë në tregun e lirë valutor rezulton se ato këmbehen deri në 21 për qind, ndërsa pak muaj më parë ato këmbeheshin vetëm 3-4 për qind. Ky treg është rizgjuar menjëherë pas përsëritjes së disa javëve më parë të deklaratës së kryeministrit Berisha, se bonot që qytetarët kanë nëpër shtëpi do të rimarrin vlerën e tyre, pasi do të përdoren gjerësisht në procesin e legalizimeve. Për këtë qëllim qeveria pret që të miratojë në fillim të legjislaturës së re parlamentare, projektligjin i cili do të vërë sërish në përdorim këto letra me vlerë për procesin e legalizimeve. Por, deri tani, edhe pse një ligj i tillë nuk ekziston, madje as që dihet nëse do të kalojë në Kuvend, spekulimi me vlerën e përqindjeve të këtyre bonove ka arritur kulmin në tregun e zi valutor. Bonot e privatizimit janë rikthyen në treg me një rritje të ndjeshme të vlerës së tyre që nga mesi i muajit qershor. Këshilli i Ministrave vendosi që qytetarët shqiptarë që do të legalizojnë objektet pa leje do të kenë të drejtë që 80 për qind të vlerës së tyre ta paguajnë me letra me vlerë. Nga kjo pagesë do të përjashtohet vetëm taksa e infrastrukturës, e cila paguhet pranë pushtetit lokal. Për qytetarët, të cilët e kanë paguar vlerën njëqind për qind, në bazë të vendimit të qeverisë, do t'u rimbursohet 80 për qind e vlerës që ata do ta paguajnë me letra me vlerë. Ndërsa sipërfaqen jashtëligjore, të cilën ligji e parashikon që të paguhet me vlerën e tregut, qytetarët do ta paguajnë 50 për qind me letra me vlerë dhe 50 për qind me para. Numri i përgjithshëm i pasurive informale është rreth 350 000, me shtrirje në një sipërfaqe prej 320 000 hektarësh në shkallë vendi. Në procesin e legalizimit, përmes vetëdeklarimit vullnetar të poseduesve të ndërtimeve informale janë përfshirë mbi 270 mijë objekte.
Aktivizimi i tregut
Ditë më parë, sipas tregtarëve, bonot e privatizimit bliheshin nga tregtarët me 3-4 për qind të vlerës së tyre nominale, ndërsa dje çmimi i blerjes së këtyre bonove shkonte nga 6-8 për qind të vlerës nominale, ndërkohë që shiteshin me 10-12 për qind të vlerës së tyre nominale. Edhe pse gjatë ditës qytetarët e interesuar për tregun e bonove kanë qenë të shumtë ata janë shfaqur skeptikë përsa i përket futjes në tregtim të letrave me vlerë, proces që më parë nuk ka dhënë asnjë rezultat. Disa ditë më parë një bono privatizimi 10-mijë lekëshe blihej në treg me vetëm 7 për qind të vlerës së saj.
Bonot e privatizimit
Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë që përfituan nga letrat me vlerë ose bonot e privatizimit që qeveria e parë demokratike shpërndahu nga viti 1993-1995 për ta. Gjatë periudhës së qeverisjes socialiste ky proces ndenji pezull, duke mos i konvertuar letrat me vlerë në aksione. Sipas të dhënave, rreth gjysma e letrave me vlerë u mbetën në dorë qytetarëve kur ligji i vitit 1998 nuk u zbatua. Sipas ligjit të vitit 2008, në kuadrin ligjor për realizimin e procesit të privatizimit për sektorë strategjikë dhe jostrategjikë, u parashikuar pjesëmarrja e letrave me vlerë ose bonove të privatizimit. Sipas të dhënave zyrtare, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave i janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë. Nga këto janë përdorur deri tani në proces privatizimi 10 miliardë lekë. Ndërkohë që mbeten të shpërndara dhe të papërdorura 41 miliardë lekë të tjera. Bonot e privatizimit mund të përdoren për qëllimin me të cilin janë emetuar deri më 31 dhjetor të vitit 2010.
Gjendja e bonove të privatizimit dhe vlera në miliona lekë
Të shpërndara 51 229 000 000, ose 68,3%
Të pashpërndara 23 748 000 000, ose 31,7%
Totali 74 977 000 000, ose 100%
Të përdorura në privatizim 10 935 193 000, ose 14,6%
Të papërdorura 64 041 807 000, ose 85,4%
Kriza ekonomike, BB: Duhen politika fiskale të kujdesshme
Banka Botërore i vë në dukje qeverisë shqiptare të jetë më e kujdesshme në menaxhimin e krizës ekonomike. Jane Armitage, drejtoreshë për vendin dhe koordinatore rajonale për Europën Juglindore për BB-në, gjatë takimeve të zhvilluara ditët e fundit me krerët e shtetit, ka theksuar rëndësinë që ka hartimi i një politike fiskale të kujdesshme. Qëllimi i vizitës së saj ishte për të vlerësuar përparimin në zbatimin e projekteve të financuara nga Banka Botërore në Shqipëri. Në këtë kontekst, ajo vizitoi disa projekte dhe u takua me përfituesit e tyre. Përveç kësaj, Armitage diskutoi me autoritetet më të larta shqiptare mbi situatën aktuale makroekonomike dhe atë fiskale, mbi ndikimin e krizës financiare ndërkombëtare, si edhe filloi dialogun mbi programin e financimit të Bankës Botërore për katër vitet e ardhshme. Diskutimet me qeverinë, Bankën e Shqipërisë dhe përfaqësues të sektorit privat u përqendruan në situatën aktuale makroekonomike dhe ecurinë fiskale, si edhe në ecurinë mbi rishqyrtimin e zbatimit të strategjisë së vendit të Bankës Botërore për Shqipërinë (2006-2009), prioritetet për hartimin e një strategjie të re të partneritetit të vendit (2010-2013). Armitage gjithashtu e vuri theksin te disa nga sfidat me të cilat përballet ekonomia shqiptare, duke u ndalur veçanërisht tek ecuria fiskale aktuale, përfshi deficitin buxhetor dhe nivelin e borxhit, reduktimin e nivelit të kreditimit për ekonominë dhe deficitin e llogarisë rrjedhëse. Ajo vuri në dukje rëndësinë e një politike fiskale të kujdesshme, veçanërisht në kontekstin e përgjithshëm të krizës financiare dhe tendencën në ulje në dërgimin e remitancave.
10 Gusht 2009