E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet në Plazh në fazën përmbyllëse

14/04/2011  Lihen për në fund zonat e Plazhit dhe Shkëmbi i Kavajës, ka volume pune

DURRES- ALUIZNI në Durrës po ecën me ritme të kënaqshme në procesin e legalizimit të objekteve të ndërtuara pa leje në zonën numër 6 të Durrësit. Drejtori Andi Lila ka pohuar se zona numër 6, e cila përshinë sipërfaqen nga Ura e Dajlanit deri në vendin e quajtur Përroi i Agait, në kufi me Kavajën, është parcela e fundit nga gjashtë zonat e Durrësit. Ecuria në terren ka qenë në ritmet e duhura, ndërsa një pjesë e konsideruar e dosjeve janë mbyllur dhe gjenden në fazën e kalimit për në komisionin e qarkut. Matjet, verifikimet e deklarimeve për vërtetësinë e tyre, azhornimin në terren të të dhënave dhe dosjet janë plotësuar tashmë dhe presin fazën përmbyllëse. Plazhi e Shkëmbi i Kavajës janë lënë qëllimisht për t’u mbyllur, pasi të përfundojë procesi në pesë zonat e tjera ngase kërkonte edhe përqendrimin më të madh të specialistëve në terren dhe volume jo të vogla pune. Nga Ura e Dajlanit deri tek Përroi Agait janë regjistruar 21. 300 objekte në 2300 ha, ndërsa rreth 15 për qind e këtyre objekteve kërkojnë të kalojnë në procesin e legalizimit përmes vetëdeklarimeve të kryera. Pjesa tjetër e objekteve është ndërtuar me leje dhe përgjithësisht për to ka dosje në hipotekë. Drejtori Lila ka pohuar se interesimi i qytetarëve për të përmbushur detyrimet, të cilat lidhen edhe me procesin e pagesës së detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe më pas të shlyerjes së detyrimit. Zona që ka më shumë ndërtime nis nga rruga e Plazhit në drejti të bregut të detit. Lila ka bërë të qartë se zona numër 6 ka një gjerësi prej afro 100 m dhe shtrihet nga vija hekurudhës deri në brezin e rërës, gjerësi që diku ngushtohet dhe diku shkon deri në 130 m. Kjo pjesë, nisur edhe nga fakti se zona është tërësisht bregdetare dhe turistike, ka një numër të konsideruar ndërtimesh disakatëshe kryesisht lokale shërbimi, hotele, restorante, dyqane shërbimi dhe mjedise argëtimi. Për këtë arsye çmimi tokës për m2 është ndër më të lartat krahasuar me të gjitha zonat. Këtu toka e zënë do të vlerësohet me 28 800 lekë për m2 deri në 30500 lekë për m 2 në varësi të pozicionit, largësisë nga vija e parë e brezit të rërës, pozicioni, parcela etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›