E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shokët e rrugës i kthyen fondet në rroga për veten

14/04/2011  Kryeministri prezanton në Fier kandidatin e së djathtës Ilir Bele

Kryeministri Sali Berisha është ndalur dje pasdite në qytetin e Fierit për të prezantuar kandidatin për bashkinë e këtij qyteti Ilir Bele. Gjatë fjalës së tij shefi i maxhorancës dhe kryesuesi i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” u shpreh se Bele do të jetë kryetari i ardhshëm i Bashkisë. “Ju garantoj se kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Fierit, dhe kryetarët e tjerë vendorë, do të ndërtojë infrastrukturën më moderne në të gjithë qytetin e komunat e Fierit. Në katër vjetët që vijnë Fieri do të jetë një nga qendrat më të zhvilluara të gjithë Shqipërisë, pasi ne jemi të vendosur të investojmë katër herë më shumë, në mënyrë që qytetarët të jetojnë në kushte infrastrukturore të njëjta me ata të qytetarëve europianë”, - deklaroi kreu i qeverisë. Më tej ai tha se edhe në katër vjetët e shkuar janë investuar mbi 400 milionë euro dhe 260 km rrugë. Kryeministri Berisha tha se “shokët e rrugës së vetme i kthejnë fondet në rroga, prandaj ju ftoj të votoni alternativën që do t’i japë përgjigjen më të shkëlqyer kësaj rruge, pasi ju garantoj se Ilir Bele do të asfaltojë që në vitet e para të mandatit të tij çdo rrugë e rrugicë.” Ai tha se Fieri do të ketë jo një, por disa dalje në det, për të qenë një nga pikat kryesore turistike, madje Berisha theksoi se edhe ujërat e lumit Gjanica do të jenë të pastra dhe asgjë e ndotur nuk do të derdhet në to, as mbetje nafte e asgjë tjetër. Ndërsa fermerët e Fierit do të kreditohen për punimet e produkteve të tyre bujqësore, por ai theksoi se një nga arritjet më të mëdha ka qenë Shqipëria turistike, për të cilën Shqipëria ia doli dhe u shpall destinacioni i parë turistik për gjithë botën, pasi Shqipëria u shpall e Bukura e Dheut. “Alternativa e vetmisë apo e rrugës së vetme është alternativa tjetër, por unë u them këtyre shokëve se shqiptarët janë qytetarë të lirë, dhe qytetarët e lirë nuk e pranojnë rrugën e vetme, pasi ajo rrugë është vetëm mashtrim. Në liri çdo njeri ka rrugën e tij, çdo njeri e ndërton rrugën e tij mbi bazë të kapaciteteve të tij, prandaj së bashku ne bashkohemi të gjithë për një Shqipëri europiane dhe për integrimin e përbashkët”, - deklaroi Berisha.

Reagimi i Baftjar Zeqajt

Kryebashkiaku Baftjar Zeqaj ka dalë dje para medies për të denoncuar mungesën e

vëmendjes së qeverisë për investime në qytetin e Fierit. “Berisha ka premtuar rehabilitimin e lumit Gjanica, por s’po merret as me minimizimin e ndotjes që po i bëjnë qytetit të Fierit 2 nga kompanitë më të mëdha të naftës”, - tha ai. Zeqaj i ka kërkuar kryeministrit shqiptar të mbajë fjalën për investimet që u premtoi qytetarëve fierakë në fushatën e kaluar zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›