Hetim për monopol në naftën botërore
Institucioni mbikëqyrës i bursave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftoi dje se ka hapur një hetim të gjerë në praktikat e tregtimit të naftës në të gjitha hallkat e tregut, me qëllim identifikimin e abuzimeve dhe krijimit të oligopolit në këtë treg të rëndësishëm. Demokratët amerikanë kërkuan në Kongres fillimin e hetimit dhe deklaruan se spekulantët e bursave mund të jenë shkaktarët e vërtetë në rritjen e çmimit të naftës në rekordin historik prej 135.09 dollarëve të shënuar javën e kaluar. Çmimi referues i naftës, i njohur si BRENT apo WTI, përfaqëson mesataren e çmimit të fiksuar për naftën e prodhuar në Detin e Veriut dhe atë të prodhuar në Teksas, përkatësisht. Këto dy tregues përfaqësojnë një pjesë shumë të vogël të naftës botërore që tregtohet çdo ditë, por merren si çmime referencë për shkak se aludohet se janë tregje të hapura me shumë shitës e me shumë blerës. Pjesa dërrmuese e naftës në botë, shitet me negociata të drejtpërdrejta, si p.sh., nafta e Arabisë Saudite, për pasojë nuk mund të merret si çmim referencë. Prej një viti tashmë dyshohet se një grup institucionesh financiare janë në gjendje të kontrollojnë tregun e naftës së Detit të Veriut dhe atë të Teksasit, gjë që ka rritur çmimet. OKB akuzoi pak javë më parë se përzierja e institucioneve financiare botërore në tregun e ushqimeve, ka sjellë edhe rritjen e çmimeve. Institucionet financiare janë thjeshtë ndërmjetës në tregjet e naftës apo grurit, por kanë fuqi të ndikojnë mbi shumicën dërrmuese të kontratave të nënshkruara dhe të rrisin çmimet pas kësaj, për të arkëtuar fitime.