Legalizimet, pagesë me bono edhe për shtesat e pallateve
Nertila MahoShtesat anësore pa lejë në ndërtimet me lejë janë përfshirë në projektligjin më të fundit të legalizimeve, që lejon pagesën deri në 50% me bono privatizimi. Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit e ka diskutuar dje propozimin e Ministrisë së Financave duke bërë edhe një sërë sugjerimesh, para se ky projektligj të kalojë për miratim në Parlament. Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Jemin Gjana kërkoi shpjegim nga specialistja e Ministrisë së Financave Isida Koka për arsyet pse ishte lënë jashtë përfshirjes pika "d", në nenin që përcakton sipërfaqet që përfshihen nga ky proces. Duke e cilësuar thjesht si një harresë, specialistja ka dhënë detajet e nevojshme për projektligjin si dhe për propozimet e bëra nga diskutimet më të hershme në Komisionin e Ekonomisë. Ajo shpjegoi për komisionin se ky projektligj krijon mundësinë e pagesës deri në 50% me bono privatizimi për të gjithë ata që do legalizojnë sipërfaqet deri 300 metra katrorë brenda vijës së verdhë dhe deri në 500 metra katrorë jashtë vijës së verdhë. Deputeti Ilir Bano ka vlerësuar këtë projektligj dhe nxitjen që do t'i japë ky i fundit procesit të legalizimeve. Deputetët e komisionit, pasi kanë diskutuar lidhur me projektligjin, e kanë miratuar atë duke marrë parasysh edhe përfshirjen e shtesave anësore pa lejë në ndërtimet me lejë. Kryetari Gjana ka vënë theksin mbi këtë pikë duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme. Një javë më parë projektligji "Për disa shtesa në ligjin nr. 9482, "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje" të ndryshuar"" kaloi në Komisionin e Ekonomisë. Edhe aty u lanë për t'u rishikuar disa pika. Një prej tyre ishte ajo që kishte të bënte me legalizimin e parcelave mbi 300 metra në zonat urbane dhe mbi 500 metra katror në zonat informale. Propozim i rëndësishëm ishte ai i bërë nga anëtarët e këtij komisioni që nga procesi të mos përjashtohej kjo kategori dhe të gjithë ata që donin të legalizonin më shumë se sipërfaqet e përcaktuara të paguanin 50% me bono privatizimi për masën 300 metra dhe 500 metra brenda dhe jashtë vijës së verdhë. Ndërkohë që, për pjesën që mbetet jashtë asaj që përcakton ligji është propozuar që të paguhet me para në dorë. Ligji i legalizimeve ka ndryshuar për here të fundit në tetor të vitit të kaluar me një propozim të bërë nga ministria e Financave. Ndryshimi kësaj radhe është vlerësuar pozitivisht në dy komisionet e diskutuara duke pritur që t'i japë një ritëm të ri procesit të legalizimeve. Paralelisht me këtë nismë për ndryshimin e ligjit pritet që të jepet një impakt i ri në përdorimin më të gjerë të bonove të privatizimit. Projektligji i ri, i cili pritet që të kalojë për miratim së shpejti ka ndryshuar në nenet 19 dhe 20 të ligjit ekzistues dhe sipas komisioneve ka shmangur diskriminimet në proces.