Legalizimet, pas 24 nëntorit, pagesa me letra me vlerë
Në datën 24 nëntor hyn në fuqi ligji për ndryshimet në ligjin e legalizimeve, duke bërë të mundur që një pjesë e ndërtimeve të paguajnë me letra me vlerë deri në masën 50 për qind të detyrimeve. Pagesa do të bëhet në bankë. Kush ka paguar me para në dorë dhe zotëron letra me vlerë, mjafton t’i dorëzojë ato për të marrë paratë në dorë. Qeveria do të rikthejë paratë për ata që kanë bono, por që kanë bërë pagesën me lekë në dorë.
Pas datës 24 nëntor, nis pagesa e legalizimeve me letra me vlerë. Ligji i ri tashmë është botuar në fletoren zyrtare dhe në këtë datë ai hyn në fuqi. Çdo zotërues i ndërtimeve informale në proces legalizimi që ka marrë lejen e legalizimeve, mund të paguajë gjysmën e detyrimit për ndërtimin e tij me letra me vlerë. Pavarësisht se një pjesë e qytetarëve kanë paguar me para në dorë, ligji u njeh të drejtën atyre që t’u kthehen paratë. Nëse dikush ka paguar me lekë në dorë, por ka letra me vlerë, ai mund të marrë deri në 50 për qind të parave që ka paguar për ndërtimin e tij. Drejtori i Agjencisë së Legalizimeve për Tiranën, Agim Berisha, tha dje se qytetarët pas datës 24 nëntor mund t’i drejtohen bankës për të bërë pagesën me letra me vlerë. “Në datën 24, qytetarët vijnë dhe aplikojnë për të marrë lejen e legalizimit dhe 50% e pagesës bëhet me letër me vlerë në bankë. Ka një numër qytetarësh që i kanë marrë lejet e legalizimit, që kanë paguar me kesh. Këtyre u lind kërkesa që të aplikojnë me një kërkesë pranë ALUIZNI-t për të kërkuar që ky 50% që kanë paguar me kesh, t’u kthehet vlerë parash”, - tha Berisha. Ai tha më tej se brenda këtij viti i gjithë procesi pritet të mbyllet në Tiranë. Në kryeqytet ka afërsisht 85 mijë ndërtime që do të përfitojnë legalizimin në bazë të ligjit. Sipas ndryshimeve ligjore, ata që kanë ndërtime pa leje dhe që lejohen nga ligji për të paguar tarifat sipas ligjit me bono privatizimi, duhet të bëjnë një kërkesë në Agjencinë e Legalizimeve. Kjo kërkesë duhet bërë jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Referuar ligjit që hyn në fuqi në datën 24 nëntor, jo të gjithë që kanë një ndërtim pa leje mund të paguajnë me letra me vlerë. Kështu, për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi ndryshon në bazë të metrave katrorë. Me bono thesari paguajnë ata që kanë mbi 500 metra katrorë parcelë ndërtimore. Këta individë e paguajnë me vlerë tregu ndërtimin, kështu që sipas ndryshimeve ligjore, ata kanë mundësi të paguajnë me letra me vlerë deri në 50 për qind të vlerës së ndërtimit. Për parcelat ndërtimore të ndërtimeve informale brenda vijave të paguajnë me letra me vlerë ata që kanë mbi 300 metra katrorë dhe do të mund të paguajnë vetëm 50 për qind të vlerës së ndërtimit me bono privatizimi. Për sa u përket shtesave pa leje, çdo ndërtim mbi 100 metra katrorë do të paguajë me letra me vlerë deri në 50 për qind të vlerës së ndërtimit. Nga ana tjetër, bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera, gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore, kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare, që lidhen me kalimin e së drejtës së pronësisë, bëhen vetëm në lekë. Kjo do të thotë që çdokush që ka bono, mund t’i kalojë ato në këtë proces, duke i kthyer vlerën atyre në masën 100 për qind. Aktualisht, rreth 70 për qind e qytetarëve që kanë marrë lejen e legalizimit, e kanë paguar detyrimin financiar, por në rast se ata disponojnë bono privatizimi, qeveria do t’u kthejë lekët. Kjo do të thotë që ata që e kanë paguar tashmë shtëpinë e tyre me letra me vlerë, mund të tërheqin paratë e dhëna për ALUZINI-n për t’i shkëmbyer me letra me vlerë. “Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit, personat duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t, brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, - thuhet në ligjin e ri që miratoi Parlamenti.