Ndryshon ligji i ‘94-s, Berisha: Kompensim pronarëve me çmim tregu
Qeveria do të amendojë ligjin e vitit 1994, i cili e pengon atë që të shesë tokat publike. Sipas Kryeministrit Sali Berisha, ligji është në funksion të procesit të kompensimit të pronarëve, çka do të thotë që me një amendim të lehtë të tij për ta qartësuar, Këshilli i Ministrave duhet të autorizohet të përdorë trojet në mënyrën më eficente të kompensimit të pronarëve me vlerën e tregut
Qeveria ka vendosur të kompensojë pronarët shqiptarë me vlerën e tregut, por më parë kërkon amendimin e ligjit të vitit 1994, i cili e pengon këtë të fundit që të shesë tokat publike. Kryeministri Sali Berisha njoftoi në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave se kjo i nevojitet qeverisë për të siguruar të ardhura shtesë për t’i çuar më pas në fondin e kompensimit të pronarëve. Pikërisht për të zgjidhur këtë ngërç, qeveria miratoi dje projektligjin për caktimin e fondit të kompensimit të pronarëve me çmimet e tregut. Kryeministri Berisha përmendi se në bazë të premtimeve dhe qëndrimit të mazhorances për pronat, është përzgjedhur forma më e ndershme, më e kushtueshme dhe më e vështirë e kompensimit, që është ajo me vlerën e tregut. "Me këtë ligj hapen shtigje të reja, mundësi të reja për fondin e kompensimit të pronarëve, qoftë fizik, qoftë dhe monetar. Në një mbledhje të shkuar ju njoha me qendrën e Tiranes. Ligji i vitit 1994 i ndalon qeverisë të shesë toka, por ky ligj e ndalon për shkak të kompensimit të pronareve”, - deklaroi z. Berisha. “Pra, - shtoi ai, - ligji është në funksion të procesit të kompensimit të pronarëve, çka do të thotë që me një amendim të lehtë të tij për ta qartësuar, Këshilli i Ministrave duhet të autorizohet të përdorë trojet në mënyrën më eficente të kompensimit të pronarëve”. Për krijimin e fondit monetar të kompensimit, Kryeministri Berisha bëri të ditur se do të përdoren edhe të ardhurat nga privatizimet dhe ankandet e aseteve shtetërore. Kryeministri e vlerësoi një veprim shumë të drejtë, që krahas ligjit, 20 për qind e privatizimeve do të shkojë për kompensimin e pronarëve. Duke folur më tepër për përdorimin me efikasitet të pronave publike, kreu i qeverisë, Sali Berisha, i bëri thirrje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që të dorëzojë sa më parë për miratim në KRRTRSH planin urbanistik të kryeqytetit. Berisha e akuzoi Ramën për tejzgjatje të mbajtjes së planit rregullues të kryeqytetit. "Mbajti planin rregullues një vit e gjysmë, tani e ka miratuar para dy javësh dhe del e thotë po e bllokon KRRTRSH-në qendrore. Pra, në përputhje me planin urbanistik ne duhet të gjejmë mënyrën e fitimit maksimal dhe kjo e tëra do shkojë në fondin e pronareve, por si kjo mund të ketë dhe raste të tjera analoge, për të cilat qeveria duhet të autorizohet me ligj të procedoje", - theksoi z. Berisha. Kryeministri e konsideroi këtë hap një detyrim kushtetues dhe moral të mazhorancës ndaj pronarëve, të cilët në mënyrën më të padrejtë e më klasore u shpronësuan. Sipas tij, ky projektligj ridimensionon burimet e qeverisë për të kompensuar pronarët shqiptarë. “Në përputhje me Kushtetutën e vendit, por edhe me parimet programatike të qëndrimeve tona ndaj çështjes së pronës, kemi përzgjedhur formën më të ndershme, më të kushtueshme dhe më të vështirë të kompensimit, që është ajo me vlerën e tregut. Kjo është një faturë shumë e madhe, e cila ka dinamizmin e saj nga viti në vit, sepse i tillë është dinamizmi i vlerës së tregut”, - u shpreh Kryeministri.
Mbrojtja e tokës, qeveria ngre strukturë administrimi Qeveria krijon një strukturë të posaçme për administrimin dhe mbrojtjen e tokës nga vërshimi i detrave për shkak të ngrohjes globale. Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës. “Ky është një detyrim shumë i rëndësishëm dhe një vendimmarrje e madhe. Shqipëria është vend me pak tokë dhe toka e saj po mbartet me shpejtësi të madhe në dete. Së dyti, si rezultat i ngrohjes globale, është e sigurt se sipërfaqe të rëndësishme toke po “grabiten” nga deti, veçanërisht nga Narta në Velipojë, ndaj duhet të parashikohet mbrojtja e tokës, si pasojë e ngritjes së deteve, me praktikat më të mira të mundshme, përndryshe, ne do të humbim shumë tokë në gjirin e Drinit, në Divjakë, Golem dhe në gjithë Ultësirën Bregdetare”, - u shpreh Kryeministri.