SHBA, Jones: PS humbi zgjedhjet, të hyjë në Kuvend
SHBA-të kanë pritur me kohë hyrjen e PS-së në Kuvend, ndaj ato apelojnë përmes zv.asistentit të Parë të Sekretarit të Shtetit, Stuart Jones, se opozita duhet të kontribuojë në procesion e integrimit të vendit, duke u bërë pjesë e reformave në sallën e Parlamentit. “Shqipëria e fitoi NATO-n, por tani diskutohet anëtarësimi i saj në BE. Opozita duhet të shkojë në Parlament, pikërisht për të ndihmuar në këtë proces, madje prisnim që duhet të kishte shkuar tashmë”, - theksoi z. Jones.
Jo vetëm Brukseli, por edhe SHBA-të kanë shtuar thirrjet në adresë të opozitës shqiptare që të pranojë humbjen e 28 qershorit dhe të thyejë bojkotin ndaj Kuvendit. Zv.asistenti i Parë i Sekretarit të Shtetit, Stuart Jones, ka bindjen e plotë se zgjedhjet ishin të rregullta dhe të pakontestueshme. Në kushte të tilla, SHBA-të kanë pritur me kohë hyrjen e PS-së në Kuvend, ndaj në këtë rast ato apelojnë përmes z. Jones se opozita duhet të kontribuojë në procesion e integrimit të vendit, duke u bërë pjesë e reformave në sallën e Parlamentit. Këtë qëndrim, zv.asistenti i Parë i Sekretarit të Shtetit, Stuart Jones, e bëri gjatë takimit me ministrin tonë të Mbrojtjes, Arben Imami, të cilit i pohoi në mënyrë të qartë se SHBA-të janë kundër bojkotit të opozitës.
“Unë nuk e mbështes, nuk kam simpati për bojkotin. Kur humbet, duhet të pranosh humbjen”, - u shpreh Jones. Në Departamentin e Shtetit, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, dhe zv.asistenti i Parë i Sekretarit të Shtetit, z. Stuart Jones, diskutuan për zgjedhjet që u zhvilluan më 28 qershor në Shqipëri.
Zoti Jones u shpreh se opozita duhet të shkojë në Parlament pikërisht për të ndihmuar procesin e integrimit të vendit. “Shqipëria e fitoi NATO-n, por tani diskutohet anëtarësia e saj në BE. Opozita duhet të shkojë në Parlament, pikërisht për të ndihmuar në këtë proces, madje prisnim që duhet të kishte shkuar tashmë”, - theksoi z. Jones, kurse ministri shqiptar e informoi zyrtarin e lartë amerikan se zgjedhjet ishin një fitore e madhe e demokracisë shqiptare. Imami vuri në dukje se fiksimi elektronik i çdo vote gjatë numërimit u provua eficiente si procedurë. “Qeverisja me bazë të gjerë, që doli prej këtyre zgjedhjeve, është shenjë e pjekurisë politike. Parlamenti është funksional, qeveria e angazhuar dhe koalicioni i përgjegjshëm për qeverisje të mirë dhe për integrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes. Imami dhe Jones folën edhe për çështje të tjera të bashkëpunimit dypalësh. Duke folur për demilitarizimin, z. Jones u shpreh se ndihej i lumtur “që ndihmesa e qeverisë amerikane në lidhje me demilitarizimin është dhe duhet përdorur me mençuri dhe përgjegjësi”. “Ju inkurajojmë fort që të vazhdoni në këtë proces në mënyrë sa me metodike. Shqipëria ka bërë shumë përpara në procesin e demilitarizimit”, - u shpreh ai. Jones përgëzoi ministrin edhe për detyrimet që ka marrë Shqipëria në kuadër të ISAF-it, në Afganistan. Z. Jones vuri në dukje se qeveria amerikane do të mbështesë plotësisht hapat që do të ndërmarrë Shqipëria për të forcuar luftën ndaj korrupsionit, respektimin e shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor. Ai garantoi më tej edhe mbështetjen e Shqipërisë nga SHBA-të për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, ndodhet në një vizitë disaditore në SHBA, ku ka zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit, Shtëpisë së Bardhë dhe përfaqësues të Forcave të Armatosura. Ministri Imami u takua edhe me Sekretarin e Mbrojtjes, z. Robert Gates, në Pentagon.