Qeveria shton punonjësit e Priftit dhe Bodes
Këshilli i Ministrave ndërhyri dje në vendimin “Për përcaktimin e numrit të punonjësve për vitin 2009 në ministritë dhe institucionet qendrore”. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr. 10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e ministrit të Financave, vendosi që numri i punonjësve buxhetorë për vitin 2009, për ministritë dhe institucionet qendrore, bëhet 89 918 veta. Numrit të punonjësve, miratuar për vitin 2009, për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, i shtohen 18 (tetëmbëdhjetë) veta për Qendrën Kombëtare të Aplikimeve Energjitike. Numrit të punonjësve, miratuar për vitin 2009, për Ministrinë e Financave, i shtohen 3 (tre) veta për njësinë e auditimit të sistemit të zbatimit të programeve të asistencës, të Bashkimit Evropian. Numrit të punonjësve, miratuar për vitin 2009, për Këshillin e Ministrave, i shtohen 15 (pesëmbëdhjetë) veta për Agjencinë e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit.