Legalizimet, qeveria i heq kompetencat pushtetit vendor
Kuvendi ka miratuar ligjin "për disa ndryshime në ligjin për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale
"Një ligj që ka nevojë të formulohet në 70 për qind të karakterit të tij juridik ka vdekur"
Vetëm dy vjet nga miratimi, ligji "Për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale" ka ndryshuar dje në rreth 70 për qind të tij. Kuvendi ka miratuar dje me votën e deputetëve demokratë dhe votat kundër të opozitës, si dhe republikanëve amendamentet në ligjin bazë të legalizimeve, duke sanksionuar në këtë mënyrë shmangien e pushtetit vendor nga ky proces dhe kalimin e të gjitha kompetencave të dhënies së pronësisë Agjencisë qeveritare të Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale.
Ashtu si edhe gjatë diskutimit në komisionet e përhershme parlamentare edhe dje gjatë seancës plenare, diskutimet janë përqendruar tek çështja e kompetencave që i jepen ALUIZNI-it, heqja e afateve për përgatitjen e listës së ish-pronarëve që do të shpronësohen, si dhe tek ndryshimi që bëhet në projektligjin në fjalë i termit "zonë informale". Sipas deputetëve opozitarë, heqja e këtij termi ndryshon gjithë ligjin, prandaj e kanë konsideruar si të papranueshme. "Me anë të këtij procesi doni të kondiciononi zgjedhjet e ardhshme, pra të kondiciononi votën e shqiptarëve", ka theksuar nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, i cili ka akuzuar qeverinë se po tenton të marrë kompetencat e pushtetit vendor në lidhje me këtë proces. Ndërkohë, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, duke mbrojtur amendamentet e paraqitura ka theksuar se ato thjeshtojnë skemën e legalizimit, duke kaluar nga zona informale tek parcela ndërtimore, duke shkurtuar një numër të pafund procedurash që janë ndjekur deri tani. Sipas tyre, për efekt shpejtësie, procesi i legalizimeve do të ndahet nga ai urbanizimit të këtyre zonave dhe legalizimi nuk do të bëhet pasi të miratohen zonat informale, por ai do të kryet në mënyrë individuale nga çdo person. "Ata që sabotojnë në mënyrë permanente procesin e legalizimin, janë kryetarët e bashkive në qytetet e mëdha, të cilët i përkasin opozitës. Janë Tirana, Elbasani dhe Fieri. Ne po bëjmë procesin dhe po e përshpejtojmë dhe modeli që ne ofrojmë është ligjor", tha Olldashi. Por ndaj këtij qëndrimi kundër kanë dalë edhe republikanët, aleatët e PD-së në qeverisje, të cilët me anë të kryetarit të grupit Arian Madhi kanë deklaruar hapur votën e tyre kundra. Ndërkohë që në debat ka ndërhyrë dhe deputeti demokrat Spartak Ngjela, i cili ka akuzuar qeverinë se po vazhdon të nëpërkëmbë të drejtat e ish-pronarëve. "Më lejoni të them se pas dy vjetësh, për të tëra këto që kemi shkruar, këtë paçavure që kemi sjellë si qeveri në këtë parlament, u kam paralajmëruar 2 vjet më parë. Një ligj që ka nevojë të formulohet në 70 për qind të karakterit të tij juridik ka vdekur, pra ka dështuar pavarësisht se vazhdon të veprojë. Dhe do të vazhdojë të dështojë", u shpreh Ngjela. Ndërkohë që sipas një ndryshimit të bërë në komision, me anë të këtyre amendamenteve përcaktohet se të gjithë banorëve që kanë ndërtuar në zonat informate, të përfshira brenda vijës së verdhë dhe për të cilat ka një studim urbanistik për ndërtimin e pallateve mbi 5 kate, do t'u prishen banesat dhe do të konsiderohen nga shteti si të pastreha. Krahas 27 amendimeve që mbart drafti i parë, projektligjit për disa ndryshime në ligjin për legalizimin e zonave informale, i është bërë dhe një ndryshim shtesë, sipas të cilit parashikohet që shteti të marrë përsipër që të strehojë të gjitha familjet të cilat kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme brenda zonave që kanë plane rregulluese urbanistike dhe ku parashikohet ndërtime mbi 5 kate nga niveli zero. Sipas kësaj pike shtesë parashikohet që kur pronari i truallit ndërton sipas planit rregullues, firma investuese detyrohet që, në çastin e paraqitjes së kërkesës për leje shesh ndërtimi, të paraqesë në zyrën e urbanistikës përkatëse deklaratën noteriale për vendosjen në dispozicion, në çastin e përfundimit të objektit, të pasurisë së paluajtshme ndërtimore në favor të strehimit të familjes, që disponon ndërtimin pa leje në këtë truall.