E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Amendamentet e PD-së jo kushtëzim për sistemin

 

Sekretari socialist Fatmir Xhafaj ka kërkuar që fillimisht të miratohet reforma zgjedhore

 

Paketa e demokratëve për amendimin e Kushtetutës së Shqipërisë, duket se ka vënë në pikëpyetje konsensusin e shprehur deri më tani nga dy forcat e mëdha për realizimin e reformës zgjedhore. Partia Socialiste ka denoncuar dje si të pamoralshme kushtëzimin që Partia Demokratike i ka bërë miratimit të sistemit zgjedhor me kalimin e ndryshimeve të tjera kushtetuese, të propozuara dy ditë më parë në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Socialiste, pa u futur në diskutimin e neneve konkrete që përmban kjo paketë e re amendamentesh, ka bërë të qartë se më parë duhet të miratohet reforma zgjedhore. "Nuk më duket korrekte dhe e ndershme, për të qenë i sinqertë me publikun, por edhe me kolegët e mi, për mënyrën se si është duke vepruar Partia Demokratike. Nuk është e moralshme që të kushtëzohet konsensusi i dhënë për propozimin e PS me kalimin në bllok. Për më tepër, unë e kam thënë dhe nuk është e pandershme ajo që bëri kryetarja e Kuvendit, që urdhëroi kryetarin e komisionit të ligjeve që ta ndërpriste diskutimin e projektit, për të cilin të gjithë anëtarët e komisionit u shprehen të gjithë dakord, për të mos e kaluar atë në votim, në mënyrë për t'i dhënë mundësi propozimeve të tjera", tha Xhafaj. Megjithatë, ai ka deklaruar se PS nuk paragjykon asnjë propozim shtesë për ndryshimin e Kushtetutës dhe se është e hapur për t'i diskutuar ato në një moment të dytë. Amendamentet, që kanë të bëjnë me zgjedhjen e presidentit, të drejtën e mocionit nga kryeministri dhe mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm, sipas Xhafës duan kohë që të diskutohen, jo vetëm në rangjet politike, por edhe ato të juristëve. "Ne nuk përjashtojmë mundësinë per nisma të tjera për ndryshime në Kushtetutë për ndryshime të tjera në kuadrin ligjor që lidhen apo jo me çështjet zgjedhore. Por mendoj se duhet të mbyllet ky diskutim që ka të bëjë me çështjet e reformës dhe PD nuk mund të vazhdojë që të mbështesënë mënyrë hipokrite bashkëpunimin me partitë e tjera parlamentare dhe për më tepër ta kushtëzojë në varësi të projekteve të cilat kanë nevojë të vlerësohen, kanë nevojë të debatohen në radhë të parë brenda politikës, por mendoj që ka nevojë edhe të debatohet edhe jashtë politikës me ekspertë dhe konstitucionalistë, të interesuar dhe të aftë për të gjykuar", u shpreh Xhafaj. Partia Socialiste i bën thirrje dhe një herë PD-së, që të heqë dorë nga kushtëzimet dhe të kalojë sa më parë ndryshimin e sistemit zgjedhor në Kushtetutë, për të cilën është rënë dakord parimisht që të jetë sistem proporcional-rajonal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›