Legalizimet, qytetarët nën presion nga tarifat e larta
Procesi i legalizimit është mirëpritur nga qytetarë të Beratit, por ky proces po has vështirësi për shkak të pagesave të larta që duhet të kryejnë qytetarët për procedurat legalizuese të objekteve të tyre. Drejtori i Aluiznit, Aleksandër Mellonashi bën të ditur se nga faza e dytë kanë përfituar rreth 500 pronarë pa letra.
Sipas tij, për të legalizuar 300 metër katror parcelë nëse qytetari paguan me lekë në dorë duhet të paguajë 320 mijë lekë. Nëse pronarët paguajnë me lekë të dorë fitimi është 20 për qind ulje dhe nëse ky detyrim shlyhet brenda 1 viti, ulja shkon në 10%, citon Mellonashi. Sipas tij, interesi është i madh nga ana e qytetarëve që të legalizojnë banesat e tyre. Në rrethin e Beratit, sipas drejtorit të Aluizinit pronat janë 50% të ngritura në pronë shtetërore dhe 50% në prona private, të cilat pjesa më e madhe janë në zona informale dhe që kanë probleme me mosparjen e certifikatave të pronësisë, siç është rasti i lagjes Uznovë. Në zonën e quajtur Fusha e Pyllit, në qytetin e Beratit, janë rreth 180 objekte që kanë bërë kërkesë për legalizim. Banorët e kësaj lagjeje shprehin shqetësimin e tyre se çmimi që duhet të paguajnë në shtet për të marrë letrat e pronësisë është i lartë. Si zgjidhje shumë banorë thonë se i kanë marrë milionat borxh për të paguar dhe kjo vlen pasi në këtë mënyrë përfitojnë 20 për qind ulje. Ndërsa sipas drejtorit të Aluzinit, Menollashi, janë rreth 2000 dosje të objekteve që priten të legalizohen në qytetin e Beratit. Por ajo që vonon këtë proces, sipas tij janë detyrimet e qytetarëve.