Akordohet fond qesharak për rikonstruksionin e kanalit Peqin-Kavajë
Debate të shumta kanë shoqëruar mbledhjen e zhvilluar në nënprefekturën e Kavajës për të diskutuar rreth problemit të kanalit vaditës Peqin-Kavajë dhe për ti paraprirë investimit që do të bëhet gjatë vitit të ardhshëm për rikonstruksionin e këtij kanali. Debatet, ashtu si edhe në mbledhje të tjera të ngjashme, janë shkaktuar për faktin nëse fondet që janë dhënë janë të mjaftueshme për rikonstruksionin e këtij kanali si dhe për mënyrën e funksionimit të shoqatave të përdoruesve të ujit.
Të pranishëm në këtë mbledhje kanë qenë drejtori i ujërave dhe tokave në Ministrinë e Bujqësisë Esat Hasani, drejtori i përgjithshëm i shoqatave të ujit Edi Gjoni si dhe kryetarët e komunave të Synejit e Luzit të Vogël, Përparim Çaça, Hajrulla Tafa dhe kryetari i bashkisë së Rrogozhinës Haqim Tosku. Prefekti i nënprefekturës së Kavajës Bardhyl Rexha, që në fillim të takimit ka bërë të ditur se për vitin që po vjen duhet të bëhet ç'është e mundur që uji i kanalit Peqin-Kavajë të mbërrijë deri në Synej, në mënyrë që të mbjellat e fermerëve të kësaj komune të mos pësojnë fatin e këtij viti që u thanë nga mungesa e ujit. Përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit që kanë qenë të pranishëm në këtë takim, kanë deklaruar se ministria ka akorduar për vitin 2009 një shumë prej 5 milion lekësh për rikonstruksionin e kanalit vaditës Peqin-Kavajë. Shuma në fjalë është cilësuar tepër e vogël nga drejtuesit e njësive të qeverisjes vendore, të cilët kanë kërkuar që të shtohet shuma që mendohet që të përdoret për rikonstruksionin e kanalit. Shumës prej 5 milion lekësh i janë shtuar edhe 500 mijë lekë të tjera nga fondet e federatës së ujit, por përsëri asgjë nuk duket se do të arrihet me këtë shumë. Shuma totale prej 5.5 milion lekësh mendohet që të përdoret më shumë në vendet ku kanali është më i dëmtuar dhe jo për gjithë gjatësinë e tij në 42 km nga Çengelaj deri në Synej. Problemet e kanalit Peqin Kavajë janë të shumta pasi në shumë vende kanali është çarë dhe nuk funksionojnë pritat për hapjen dhe mbylljen e ujit, nuk ka persona që të ruajnë vendet ku hapet uji për të vaditur me radhë tokat e komunave sipas një grafiku të caktuar, sepse ndodh që pjesa më e madhe e ujit merret nga komuna Gosë dhe më pas Lekaj, ndërsa dy komunat e tjera Luz i Vogël dhe Synej nuk lagen fare. Përgjegjësia për kanalin është e Bordit të Kullimit, i cili nuk ka fuqi që ta rikonstruktojë dhe ta bëjë atë funksional për tokat e fermerëve. Vitin e kaluar vetëm në komunën Synej u thanë 400 hektarë të mbjella me misër sepse uji nuk erdhi fare në muajt korrik e gusht. Kanali është 42 km i gjatë nga Çengelaj (Peqin) dhe përfundon në Synej dhe në shumë vende të tij pjesët e shtruara me beton në bazament dhe faqet anësore janë plasaritur dhe shkatërruar ndaj kërkohet ndërhyrje urgjente, përndryshe prodhimet bujqësore të të gjithë zonës janë në rrezik.